Drejtësia ia tregon Trumpit kufijtë e pushtetit

Dy javë pas marrjes së detyrës Donald Trump për herë të parë është përballur me kufijtë e pushtetit të tij. Kjo përvojë e ka zemëruar.

Ilustrimi: Shutterstock



Vendimi i një gjykatësi federal për t’i pezulluar përkohësisht dekretin e tij për ndalimhyrje është «qesharak» ka thënë Trump dhe ka premtuar se do të anulohet. Ai e përqeshi gjykatësi James Robart edhe personalisht, duke e i drejtuar me «i ashtuquajturi» gjykatës.
Përkundër zemërimit Trump tani për tani po e respekton vendimin e gjykatësit, i cili anuloi dekretin e Trumpit të publikuar para një jave,i cili u ndalonte hyrjen në SHBA qytetarëve të shteteve myslimane dhe të gjithë refugjatëve.

Në të vërtetë Ministria e Drejtësisë e SHBA-ve të shtunën u ankua kundër vendimit të gjykatësit, por një gjykatë e apelit hodhi poshtë rikthimin e vendimit për ndalimin e hyrjes në SHBA. Autoritetet e qeverisë që të shtunën iu kthyen praktikës së mëhershme të udhëtimeve.

Pas disa vendimeve gjyqësore kundër dekretit të Trumpit ai i James Robart ishte goditja më e rëndë. Prokurori i përgjithshëm i shtetit të Washingtonit, Bob Ferguson, i cili kishte nxitur urdhrin e përkohshëm, e kishte arsyetuar padinë me atë se dekreti i trumpit shkel të drejtat themelore të migrantëve, të cilat i garanton Kushtetuta amerikane. «Askush nuk qëndron mbi ligjin – as presidenti», tha ai.

Trump tani për herë të parë e pa se çka është sistemi i «checks and balances», pra i kontrollit të ndërsjellë të organeve kushtetuese. Kjo përvojë e zemëroi atë aq shumë, saqë nga resori i tij luksoz në Florida qëlloi me batare nga Twitteri kundër gjykatësve. Presidenti tha se gjykatësi Robart po e privon «vendin tonë nga ndjekja penale». «Ku do të shkojë vendi ynë nëse një gjykatës bllokon ndalimin e hyrjes me qëllim të mbrojtjes së atdheut dhe pastaj çdokush, madje edhe njerëz me qëllime të këqija, mund të vijnë në SHBA?»

Debakli i Trumpit me dekretin e tij filloi para vendimit të gjykatësit. Urdhri ishte përgatitur në mënyrë diletante, shumë detaje qenë joprecize, mes qeverisë shumë gjëra nuk ishin sqaruar. Kësisoj, në aeroporte u krijua kaos – shoqëruar me demonstrues të zemëruar, me protesta të partnerëve të huaj dhe me shkarkimin e ushtrueses së dytyrës të ministres së drejtësisë.

Sulmi i Trumpit kundër gjykatësit ka rritur shqetësimet se ai mund të injorojë ndarjen e pushteteve. Pastaj SHBA-të mund të rrëshqasin në një krizë kushtetuese. Kongresmeni Adam Schiff dënoi deklaratën e Trump: «Ky i ‚ashtuquajtur‘ gjykatës është emëruar nga një i ‚ashutquajtur‘ president dhe është konfirmuar nga ‚i ashtuquajturi‘ Senat».
Profesori i drejtësisë në Harvard Laurence Tribe tha se sulmi i Trumpit kundër drejtësisë është paralajmërim shqetësues për të ardhmen. Sipas tij në 150 vitet e fundit asnjë president tjetër nuk e ka sulmuar personalisht një gjykatës. (dp, SDA, DPA)