Drejtësia belge gjykon të dyshuarit për vrasjen e Enver Hadrit

25 vjet pas vrasjes së Enver Hadrit të enjten në Bruksel do të fillojë procesi gjyqësor kundër Veselin Vukotiqit, Bozhidar Spasiqit dhe Andrija Drashkoviqit.

Foto: kaprik / Shutterstock

Ditën e diel të 25 shkurtit 1990, rreth orës 16:30, aktivisti shqiptar i të drejtave të njeriut, Enver Hadri, po priste hapjen e semaforit për të vazhduar udhëtimin në një rrugë të Brukselit. Në atë çast veturës së tij të markës «Opel» iu afrua një «Golf». Një pasagjer hapi dritaren, nxori një armë me shurdhues dhe qëlloi dy herë Hadrin. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin «Saint-Pierre» të Brukselit. Vrasësi profesionist e kishte qëlluar në kokë.

25 vjet pas këtij krimi të rëndë të enjten në Bruksel do të fillojë procesi gjyqësor kundër Veselin Vukotiqit, Bozhidar Spasiqit dhe Andrija Drashkoviqit. Bëhet fjalë për tri figura të rëndësishme të nëntokës politike dhe kriminale serbo-malazeze. Në një njoftim për publikun vajza e Enver Hadrit, Teuta, ka theksuar se ajo vetë dhe avokati i familjes Hadri, Christophe Marchand, i kanë bërë kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës të marrë pjesë në procesin gjyqësor si palë paditëse. «Deri më sot familja nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Qeveria apo Ambasada e Kosovës në Bruksel», ka shkruar Teuta Hadri.

Të akuzuarit Veselin Vukotiq, Bozhidar Spasiq dhe Andrija Drashkoviq do të gjykohen në mungesë për shkak se autoritetet serbe kanë refuzuar ekstradimin e tyre. Në fund të qershorit të vitit të kaluar Andrija Drashkoviqi u arrestua nga policia kroate në Aeroportin e Splitit – me kërkesë të autoriteteve belge. Sipas mediumeve kroate, ai kishte ardhur në Kroaci me avion privat, kishte shijuar jetën nëpër bregdetin dhe ishujt e Adriatikut dhe përmes Aeroportit të Splitit planifikonte të kthehej në Beograd. Pak pas arrestimit Drashkoviq u lirua me kaucion prej 100 mijë eurosh dhe u urdhërua të qëndrojë në një hotel në Split: një lloj arresti shtëpiak në pritje të ekstradimit. Pas pak ditësh Drashkoviq «u zhduk». Ky skandal i drejtësisë kroate nuk ka nxitur asnjë reagim nga autoritetet e Kosovës, të cilat do të duhej të ishin të interesuara për zbulimin e vrasësve të Enver Hadrit. (Një interesim të tillë zyrtarët e Prishtinës do të duhej të tregonin edhe për hetimet e drejtësisë gjermane për zbulimin e vrasësve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës).

Andrija Drashkoviqi, babai i të cili ka punuar në kombinatin «Trepça», tani me gjasë jeton në Serbi. Gazeta «Veçernje novosti» shkruante vitin e kaluar se Drashkoviqi mund të ketë ikur «me amin të kroatëve», sepse ai në Kroaci «ka miq të shumtë me ndikim». Dy mafiozë të tjerë serbë të dyshuar për pjesëmarrje apo përgatitje të vrasjes së Enver Hadrit nuk jetojnë më: Andrija Lakoniqi dhe Darko Ashanini janë vrarë në larjen e hesapeve mes grupeve kriminale serbo-malazeze.

I akuzuari Veselin Vukotiq është figurë e njohur e krimit të organizuar. Ka qenë i dënuar për vrasje dhe i dyshuar për dy vrasje, por kryesisht është trajtuar si i privilegjuar nga drejtësia serbe, e cila madje i ka dhënë edhe shtetësinë serbe. Bozhidar Spasiqi ka qenë punëtor i shërbimit sekret jugosllav përkatësisht serb deri në vitin 1993. Në prezantimin që i bën vetes në internet ai thotë se ka punuar në «drejtorinë për luftë kundër bandave terroriste ustashe dhe shqiptare». Në mediat bulevardeske serbe ai shpesh është i pranishëm me teori komploti.