Drejtësia arbitrare në Turqi: kur edhe bletët shndërrohen në «dëshmitare»

Aristokrat, aktivist për të drejtat e njeriut, pasanik dhe përkrahës i kulturës: Osman Kavalla po mbahet në paraburgim qe 500 ditë, tani drejtësia turke ka prezantuar aktakuzën qesharake kundër tij.

Osman Kavala.



Apelet, letrat e protestës dhe peticionet nga bota perëndimore deri më tani nuk kanë pasur efekt te udhëheqja në Ankara. Osman Kavalla po mbahet në paraburgim qe 500 ditë në një burg turk të sigurisë së lartë: ky filantrop akuzohet se na qenkësh puçist. Kështu mendon presidenti Rexhep Taip Erdoan dhe drejtësia turke, një sherbëtore e gjunjëzuar e qeverisë, nuk guxon të kundërshtojë.

Përkundrazi: sipas qejfit të Erdoanit kadinjtë e tij javën që shkoi prezantuan aktakuzën kundër 62-vjeçarit Kavalla dhe 15 të akuzuarve të tjerë. Të gjithë akuzohen se në vitin 2013 i kanë organizuar protestat kritike ndaj qeverisë në lidhje me planet për ndryshimin e Parkut Gezi në Stamboll. Përmes «rebelimit të dhunshëm» Kavalla dhe mbështetësit e tij paskëshin planifikaur rrëzimin e qeverisë, nënvizohet në aktakuzë.

Aktakuza prej 657 faqeve përmban «dëshmi» pjesërisht absurde. Në telefonin mobil të Kavallës hetuesit gjetën fotografinë e një harte. Për prokurorin kjo është dëshmi e qartë se Kavalla ka synuar ndryshimin e kufijve të Turqisë dhe ka dashur të shkatërrojë unitetin e republikës. Portali hulumtues turk Odatv ka dëshmuar se kjo akuzë është qesharake. Harta e gjetur në telefonin mobil të Kavallës tregon «përhapjen gjeografike të racave të bletëve» në Lindjen e Afërt. Ajo është fotografuar nga botimi turk i një libri mbi bletët, i cili është botuar në vitin 1988 në anglisht. Autor i kësaj vepre standarde është bletologu austriak Friedrich Ruttner.

Procesi kundër Osman Kavallës pritet të fillojë në qershor. Ai dhe të akuzuarit e tjerë mund të dënohen me burgim të përjetshëm në kushte të rënda. Erdoani tashmë e ka dënuar Osman Kavallën: presidenti turk ka thënë se janë «zbuluar» aktivitetet e Kavallës dhe se pas tij qëndron «hebreu i famshëm hungarez» George Soros. «Ky është ai njeriu që i dërgon njerëzit e tij nëpër botë për t’i përçarë kombet». Pas këtij sulmi Fondacioni Soros ndërpreu punën në Turqi.

Me Fondacionin e tij Anadolu Kültür Osman Kavalla mbështet prej dekadash projekte teatri, ai është angazhaur për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Turqisë dhe pakicave, ka përkrahur një orkestër të të rinjve turq dhe armenë dhe ka kërkuar zgjidhjen e çështjes kurde. Në «kryeqytetin» e kurdëve të Turqisë, në Diyarbakir, Kavalla themeloi një qendër kulturore. Ky aristokrat dhe aktivist për të drejtat e njeriut ëndërron një Turqi të hapur ndaj botës, e cila do të ishte urë lidhëse mes kontinenteve dhe civilizimeve.

Kavalla, i lindur më 1957 në Paris, rrjedh nga një familje të pasur dhe me ndikim në Turqi. Babai i tij ishte tregtar duhani dhe themeloi një ndërmarrje të përzier. Kur ai vdiq më 1982, biznesin nisi ta drejtojë i biri i tij. Më parë Osman Kavalla kishte ndjekur në Stamboll të famshmin Robert College (një shkollë në gjuhën angleze) dhe kishte studiuar ekonominë në University of Manchester.

Në një letër të hapur në fund të tetorit ai shkroi: «Muaj të tërë të jetës sime po kalojnë. Dua që sa më shpejt që të jetë e mundur të fitojë lirinë time dhe të bashkohem me familjen dhe miqtë». Por liria për Osman Kavallën, i cili është i martuar me një profesore të ekonomisë, tani për tani mbetet e paarritshme. Në shtetin represiv të Erdoanit mendjet kritike janë të padëshiruara.