Drejt një Kosove pa letra

Qeverisja e plotë elektronike do ta ndihmonte Kosovën ta zbusë korrupsionin dhe burokracinë dhe ta rrisë efiçiencën. Anëtarët e diasporës, me potencialin dhe ekspertizën e tyre, mund të jenë asete për shtetin e ri të Kosovës.

Grafika: Trembelat.



Një shtet i ri me lidhje aq të përhapura online, ku rreth 90 për qind e qytetarëve kanë qasje në internet, nuk ka arsye ta justifikojë mosdigjitalizimin e qasjes dhe shërbimeve në sektorët publikë dhe privatë. Një vit e gjysmë pas përfundimit të studimeve të mia për qeverisje elektronike, mësoj dhe punoj me më të mirët e fushës së privatësisë, arritje e madhe për dikë që njëherë ishte vajzë e vogël e lindur dhe e rritur në Oslo të Norvegjisë me prindër imigrantë nga Kosova. Krenohem me vendin prej nga vij, Bllacën e Suharekës, dhe them me krenari se nëse më vjen mundësia, jam e gatshme t’ia jap këtë ekspertizë shtetit tim amë ku kurrë s’munda të jetoj.

Tani jetoj në një qytet me disa nga artistet më të mëdha të Kosovës, Dua Lipën dhe Rita Orën, të cilat e kanë dhënë kontributin e tyre “në shtëpi”. Besoj se kosovarët e rinj në diasporë kanë potencial të pamasë për të kontribuar jo vetëm në fushat e kulturës dhe sportit, por edhe me ekspertizën e tyre arsimore që mund të rezultojë në vënien e shtetit në drejtimin e duhur.

Me prapavijën time arsimore, unë shoh se sektor më sektor, jeta në shtetin tonë amë mund të jetë më e digjitalizuar, përfshirë shëndetësinë, edukimin, dhe sektorët tjerë administrativë që ofrojnë shërbime, të drejta dhe detyra për qytetarët.

Kosova mund të bëhet shoqëri pa letra. Me një popullatë prej më pak se dy milionë banorë, digjitalizimi nuk do të jetë aq e vështirë as në teori, as në praktikë. Është kështu sepse Kosova mund të nisë prej fillimit duke mësuar prej shteteve tjera të Perëndimit që tashmë kanë implementuar procese të vendimmarrjes dhe komunikimit të automatizuar.

Shembulli i shteteve anëtare të BE-së që kanë më pak banorë se Kosova, siç është Estonia, shtet që ka krijuar një sistem të qeverisjes tërësisht pa letra, duhet të jetë model për Kosovën. Sot, Estonia është një ndër shtetet më efiçiente dhe më së paku burokratike në BE, dhe gjithashtu një ndër shtetet më së paku të korruptuar në botë. Për më shumë, një sistem i qeverisjes pa letra do të kishe edhe rezultate tjera pozitive, për shembull përmirësimin e vetëdijes mjedisore, gjë që mund të jetë sfidë kyçe në të ardhmen e Kosovës.

 

 

Ndikimi i këtij procesi do të ishte përhapja më e drejtë dhe efiçiente e shërbimeve publike te qytetarët e Kosovës. Vendimet nuk do të bazoheshin më në sistemin “a ke të njofshëm” të qeverisë që mund të të ndihmojë jashtë të drejtave tua, apo t’i shmangësh detyrat. Zgjedhja e sistemit digjital përkundër atij me letra do të rezultonte në zbutjen e korrupsionit duke e prezantuar një sistem të fuqishëm të përcjelljes dhe procese të korrekte të vendimmarrjes.

Dorëheqja nga letrat nuk do ta ndihmonte vetëm luftën kundër korrupsionit, një ndër pengesat më të mëdha për të ardhmen e Kosovës, por edhe do t’i ulte shpenzimet qeveritare për burokraci.

Një qeverisje pa letra do t’i kishte edhe kostot e veta, por në periudhën afatgjate, përfitimet nga rritja e efiçiencës së qeverisjes dhe ulja e korrupsionit dhe burokracisë do ta justifikonte investimin fillestar. Nëse Kosova mund të investojë më se dy miliardë euro për ndërtimin e dy autostradave, ajo po ashtu mund të investojë në një projekt kapital sikur ky që mund t’i lidhë qytetarët me shtetin.

Për diasporën e Kosovës në veçanti, qeverisja elektronike do të kishte një efekt tjetër pozitiv – votimin elektronik. Përdorimi i mënyrave elektronike për të votuar do ta lehtësonte votimin për diasporën e Kosovës, të cilët gjithmonë kanë pasur probleme për të marrë pjesë në procesin demokratik të Kosovës gjatë zgjedhjeve.

Për më shumë, zvogëlimi i resurseve për praktika burokratike lë më shumë resurse në fusha tjera si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet sociale për qytetarët që kanë më pak siguri financiare. Tingëllon sikur ëndërr për kosovarët. Sidoqoftë, digjitalizimi ka një të metë: qytetarët duhet t’i besojnë qeverisë së tyre.

Ata duhet t’u besojnë vendimmarrësve. Zëvendësimi i letrave me një sistem elektronik nuk do të thotë që vendimet më s’mund të jenë të korruptuara. Prapë mund të jenë të atilla, sepse vendimet e automatizuara dhe të paraprogramuara që qytetarët do t’i merrnin bazohen në vendimet dhe interpretimet paraprake të rregullativave ekzistuese të juristëve dhe politikanëve që implementohen pastaj brenda një sistemi, për shembull lidhur me tatimin, pensionet, apo pranimet në universitet. Këto vendime dhe interpretime paraprake duhet të bëhen prej personave të duhur dhe në mënyrën më transparente të mundur.

Skenari i përshkruar më lartë nuk mund të ndodhë brenda ditës. Shumica e shteteve të BE-së kanë punuar në digjitalizim për më se 50 vjet, dhe ende ka hapësirë për përmirësime. Zhvillimet e shpejta teknologjike gjithmonë i tejkalojnë zhvillimet politike dhe rregullative.

Sidoqoftë, në një shtet kaq të ri, roli i diasporës mund të jetë fitimprurës, duke ndihmuar në shmangien e gabimeve që shtetet tjera i kanë bërë në procesin e digjitalizimit. Diaspora përbëhet prej individëve dhe profesionistëve me prapavija juridike, politike, teknologjike, e ndërmarrëse, dhe të cilët mund t’i ndajnë praktikat dhe metodat më të mira drejtpërdrejt me zhvilluesit dhe rregullatorët në Kosovë.

Meqenëse digjitalizimi duhet të ndodhë hap pas hapi, përcjellja e shndërrimit të sektorëve publikë dhe bizneseve në Kosovë është e domosdoshme për të gjetur se ku nevojitet digjitalizimi më së shumti. Kur kjo vihet në letër, ndarja e praktikave më të mirë mund të ndodhë kryesisht përmes mjeteve të ndryshme digjitale që ua mundësojnë njerëzve të bashkëpunojnë prej vendeve të ndryshme. Së dyti, pjesëtarët e diasporës me ekspertiza të veçanta, pa angazhime politike në Kosovë, mund t’i auditojnë procedurat nga një pikëpamje e jashtme, duke i shmangur vendimet që shkojnë në të mirë të interesave të caktuara.

Koha më e mirë për digjitalizim është tani, dhe do të duhet shumë ekspertizë ‘të jashtme’ për ta zgjedhur këtë drejtim. Por, shkëmbimi i praktikave më të mira po ashtu do t’i ndihmonte fushat ndërdisiplinare që tashmë ekzistojnë në Kosovë për të punuar së bashku, e jo ndaras. Në mënyrë që Kosova ta zgjedhë shtegun pa letra, investimi teknologjik hap pas hapi do të jetë faktori kyç i suksesit për këtë shtet të ri. Shpresoj që Kosova është gati për këtë ndryshim.

Drenusha Suka ka diplomë master për studimet e qeverisjes elektronike nga Universiteti i Oslos si dhe një diplomë tjetër master për shkenca juridike nga Universiteti Queen Mary’në Londër. Tani, ajo është praktikante në kompaninë ‘Promontory IBM’ në Londër dhe bashkëkryesuese e task forcës ‘Fuqizim dhe Diversitet’ në organizatën rinore politike ‘Federalistët e Rinj Evropianë’

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.