Drama në Gjevgjeli vazhdon: 7 mijë refugjatë për një ditë




Në kufirin greko-maqedonas vazhdojnë të vijnë mijëra refugjatë.

 

Të hënën në kufirin greko-maqedonas në Gjevgjeli kanë arritur refugjatë më shumë se kurrë: brenda 24 orëve janë regjistruar 7 mijë persona, ka njoftuar të martën Komisariati i OKB-së për refugjatë UNHCR. Aktualisht, sipas UNHCR, në ishujt grekë ndodhen rreth 30 mijë refugjatë, prej tyre 20 mijë në ishullin Lesbos, deklaroi zëdhënësja e UNHCR, Melissa Fleming.

Duke pasur parasysh këtë situatë të rëndë Fleming ka thënë se është gjithnjë e më «urgjente» të gjenden zgjidhje europiane. «Është e qartë se vetëm Gjermania nuk mund t’i qaset këtij problemi europian». Zëdhënësja e UNHCR tha se duhet ndërtuar kampe për refugjatë në kufijtë e BE-së në Hungari dhe në Greqi, por, sipas saj, kjo mund të funksionojë vetëm nëse arrihet që vendet e BE-së të merren vesh për shpërndarjen e refugjatëve.

Komisioni i Bashkimit Europian ka paralajmëruar se të mërkurën do të prezantojë një plan për shpërndarjen e 160 mijë refugjatëve, të cilët vijnë në Europën perëndimore përmes Italisë, Greqisë dhe Hungarisë. UNHCR kërkoi të martën shpërndarjen e 200 mijë refugjatëve. «Besojmë se ky numër duhet të shpërndahet në Europë», tha Fleming. -lli