Draft-platforma për kapitullin 35 të negociatave BE – Serbi

Në hapje të prezantimit të saj për negociatat e anëtarësimit, Serbia ka deklaruar se merr pjesë «me besim të plotë dhe me dëshirën për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate, dhe pavarësisht ndërlikueshmërisë së sfidave me të cilat përballet», në dialogun e nivelit të lartë me Prishtinën, i cili ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri e BE-së.




Ajo konsideron se arritje më e rëndësishme ishte Marrëveshja e parë e parimeve qeverisëse të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila është nënshkruar në Bruksel më 19 prill 2013, e shoqëruar nga marrëveshje të rëndësishme të arritura më 25 gusht 2015. Në këtë aspekt, ajo ka cekur se: «Me ta kuptuar plotësisht se procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i normalizimit duhet të shkojnë paralelisht dhe në mbështetje të njëra-tjetrës, Serbia do të mbetet e përkushtuar plotësisht për vazhdimin e proceseve të normalizimit dhe dialogut me Prishtinën».

Duke i pasur parasysh të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, Serbia ka ofruar informata rreth zbatimit të masave që ka marrë deri më tash dhe ka shprehur përkushtimin e vet për vazhdimin e zbatimit të tyre edhe në të ardhmen. Ajo është e përkushtuar për të vazhduar angazhimin në dialog dhe ka përmendur fushat, ku do të dëshironte që dialogu të rezultonte me marrëveshje të reja, transmeton të plotë Koha.net shkrimin e «Kohës Ditore».

Mbi të gjitha, Serbia ka treguar përkushtim për dialog dhe angazhim, duke përfshirë atë në nivelin më të lartë politik, për adresimin e të gjitha çështjeve në diskutim, si dhe për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit që do të siguronte përparim në procesin e normalizimit.

Vlerësim i përgjithshëm

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura nëpërmjet dialogut mund të konsiderohet në përgjithësi si i kënaqshëm. Serbia ka marrë një mori masash konkrete për zbatimin e Marrëveshjes së parë të vitit 2013.

Për sa u përket zgjedhjeve në komunat veriore, vlerësimi i përgjithshëm i zbatimit të këtij elementi të Marrëveshjes së Brukselit konsiderohet si më se funksional, veçanërisht për sa i përket këndvështrimit të kontributit të Serbisë në procesin elektoral në veri të Kosovës.

Për sa i përket Asociacionit-Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshja e 25 gushtit të vitit 2015 i përcakton hapat e ardhshëm lidhur me hartimin e Statutit përbrenda katër muajsh. Lidhur me policinë, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i marrëveshjes konsiderohet të jetë i kënaqshëm.

Për drejtësinë, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i marrëveshjes mund të konsiderohet funksional, ndërsa kërkon hapa shtesë për lejimin e zbatimit. Kompletimi i procesit të integrimit dhe caktimi i gjykatësve dhe prokurorëve serbë të Kosovës sidoqoftë mbetet i kushtëzuar nga marrëveshja ndërmjet dy palëve për përbërjen e stafit gjyqësor të mbështetjes dhe premisave.

Për sa i përket mbrojtjes civile, pas Marrëveshjes së marsit të vitit 2015, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes konsiderohet të jetë i kënaqshëm.

Lidhur me aranzhimin e kontakteve, vlerësimi i përgjithshëm është se sistemi i themeluar me aranzhimet e vitit 2013 dhe me Marrëveshjen e vitit 2014 për shkëmbimin e vizitave zyrtare deri më tash ka funksionuar në mënyrë relativisht të kënaqshme.

Për sa i përket energjisë, zbatimi i aranzhimeve origjinale të arritura në shtator të vitit 2013 është shtyrë dhe në Marrëveshjen e fundit të 25 gushtit 2015. Kjo Marrëveshje (në formë të ‘Konkluzioneve të BE-së ndërmjetësuese) paraqet në hollësi se si dy kompani të reja energjetike serbe (njëra që merret me import, eksport dhe transit; tjetra me furnizim dhe shërbime të distribuimit) mund të themelohen në Kosovë dhe të licencohen për aktivitetet e tyre të ndryshme. Këto aranzhime ende nuk kanë filluar të zbatohen.

Lidhur me telekomunikacionin, zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2013 është shtyrë si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me përcaktimin e aktiviteteve të ndryshme, si dhe hapave të saktë që duhen ndërmarrë për alokimin e kodit telefonik treshifror të Kosovës. Plani i veprimit i aprovuar më 25 gusht 2015 duhet të ndihmojë në adresimin e këtyre çështjeve.

Për sa u përket doganave, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes konsiderohet të jetë i kënaqshëm.

Për menaxhimin ndërkombëtar të kufijve, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes konsiderohet të jetë i kënaqshëm.

Lidhur me lirinë e lëvizjes, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes konsiderohet të jetë funksional.

Për bashkëpunimin rajonal, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2012 për përfaqësim rajonal dhe bashkëpunim mund të konsiderohet relativisht i kënaqshëm.

Për regjistrimin civil, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes mund të konsiderohet i kënaqshëm.

Për kadastrën, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes në projektin e vazhdueshëm të skanimit të dokumenteve të kadastrës nga Serbia mund të konsiderohet i kënaqshëm. Për sa i përket njohjes së diplomave universitare, vlerësimi i përgjithshëm është se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2011 nuk i ka prodhuar rezultatet e dëshiruara. Sidoqoftë, Serbia është përkushtuar që t’i adresojë mangësitë e Marrëveshjes origjinale bashkë me Kosovën.

Bashkëpunimi ndërmjet Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe autoriteteve serbe ka ndodhur në dy fushat kryesore të aktivitetit: në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe në ushtrimin e përgjegjësive ekzekutive. Vlerësimi i përgjithshëm është se bashkëpunimi me EULEX-in në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për ushtrimin e përgjegjësive të saj të përcaktuara ekzekutive konsiderohet të jetë funksional, ndërsa kërkon hapa shtesë për të lejuar zbatimin.

I. Drafti i qëndrimit të përbashkët

Ky qëndrim i Bashkimit Evropian është i bazuar në qëndrimin e tij të përbashkët për konferencën e anëtarësimit me Serbinë (CONF-RS 1/14) dhe është subjekt i negocimit të parimeve të mbështetura aty, në veçanti:

-çdo qëndrim i shprehur, qoftë nga Serbia, qoftë nga BE-ja, për një kapitull specifik të negociatave nuk do ta paragjykojë në asnjë mënyrë qëndrimin, i cili mund të merret për kapitujt e tjerë;

-marrëveshjet e arritura nga negociatat në kapitujt specifikë, madje edhe ato të pjesshme, nuk mund të konsiderohen si përfundimtare derisa të mos bëhet një vlerësim i përgjithshëm për të gjithë kapitujt;

-avancimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE do të shoqërohet me progresin e Serbisë në përgatitje për anëtarësim, e cila do të matet veçanërisht krahas angazhimit të vazhdueshëm të Serbisë drejt përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën.

BE-ja e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të tregojë përkushtim të njëjtë me qëllim të prodhimit të rezultateve dhe shënimit të përparimit në kompletimin e punimeve të zbatimit, si dhe të punimeve të shënimit të progresit të mëtutjeshëm për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja bën të ditur se Serbia, në qëndrimin e vet (CONF-SR 214) ka shprehur: «E kuptojmë plotësisht se procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i normalizimit duhet të shkojnë paralelisht dhe në mbështetje të njëra-tjetrës, Serbia do të mbetet e përkushtuar plotësisht për vazhdimin e procesit të normalizimit dhe dialogut të saj me Prishtinën».

Për sa u përket përgatitjeve aktuale të shtetit të Serbisë, BE-ja cek se, me të kuptuar se Serbia duhet të vazhdojë të shënojë progres në punimet e zbatimit dhe shënimit të progresit të mëtutjeshëm në procesin e normalizimit, Serbia mund të konsiderohet kënaqshëm e përgatitur në këtë fazë për negociatat në këtë kapitull. Për më tepër, Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë, rekomandojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë për kapitullin 35 – çështjet e tjera.

Serbia duhet të sigurojë se do të kompletojë punimet për zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, veçanërisht të krijimit të asociacionit-bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të elementeve të tjera të marrëveshjes së parë të prillit të vitit 2013 (polici, gjyqësor, mbrojtje civile). Përveç kësaj, Serbia do të kompletojë përkushtimet e veta të mbetura nga marrëveshjet e mëparshme teknike. Në fund, Serbia duhet të angazhohet në arritjen e marrëveshjeve të tjera, duke e thelluar normalizimin në besim të mirë, në aspektin e ecjes përpara drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në përputhje me kornizën negociuese.

Në përputhje me kornizën negociuese, Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë do të monitorojnë nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme hapat e Serbisë drejt përmbushjes e standardeve të para të përkohshme dhe raportimin e saj «të paktën dy herë në vit», për këtë çështje, para Këshillit.

Për t’i marrë në konsideratë zhvillimet e ardhshme në dialog, standardet e para të përkohshme do të rifreskohen, ashtu siç duhet.

Nëse «progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën e ngec dukshëm progresin e negociatave në përgjithësi, si pasojë e dështimit të Serbisë për të vepruar në besim të mirë, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Serbisë dhe Kosovës», Komisioni do të propozojë me vetiniciativë apo duke u bazuar në kërkesën e ndonjë shteti të tretë anëtar të frenojë rekomandimin për hapjen dheose mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave dhe të përshtat punën përgatitore, ashtu si duhet, derisa këto pabarazi të adresohen.

Zbatimi i Marrëveshjes së parë (prill 2013) dhe plani i zbatimit për maj – marrëveshjet për energjetikë dhe telekomunikacion

Rreth zgjedhjeve:

• Serbia ndërpret financimin dhe mbështetjen e strukturave serbe (me fjalë të tjera këshillave të përkohshëm komunalë, stafit komunal) në mënyrë që të finalizojë dhe konsolidojë administratat komunale, në pajtim me ligjet e Kosovës;
• Serbia inkurajon respektimin e plotë të legjislacionit të Kosovës nga autoritetet komunale të Kosovës Veriore, posaçërisht në prokurim dhe rreth çështjeve të mbetura të hapura nga statutet komunale (si përdorimi i vulave komunale dhe i simboleve, në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë).

Rreth Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë:

• Serbia i kontribuon vazhdimit të procesit (hartimit të Statutit) brenda afateve të caktuara dhe në pajtim me ligjet në Kosovë, Marrëveshjen e parë dhe Marrëveshjen e 25 gushtit të vitit 2015.
• Serbia siguron transparencë rreth financimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rreth policisë:

• Serbia do të japë informata tremujore rreth pagesës së pensioneve për ish-policët e saj, tashmë të integruar në Policinë e Kosovës, sipas rastit, tek Ministria për Punë të Brendshme e Kosovës.

Rreth drejtësisë:

• Serbia vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje për stafin mbështetës gjyqësor dhe për objektet.
• Serbia e konfirmon fundin e mbajtjes së detyrës për tërë personelin gjyqësor që do të integrohet.
• Serbia vë në fuqi një legjislacion special sa i përket institucionit gjyqësor serb në Kosovë, si parashihet në Ligjin serb për ulëset dhe Juridiksionet territoriale të Gjykatave dhe Zyrave të Prokurorëve.
• Serbia siguron informim tremuajsh për pagesën e pensioneve për personelin e integruar gjyqësor tek këshillat gjyqësorë dhe prokurorialë të Kosovës, sipas rastit.

Rreth mbrojtjes civile:

• Serbia miraton rregulloret e domosdoshme për ndërprerjen e dhënies së pagave dhe sigurimin e mjeteve financiare për mbrojtjen civile në Kosovë.

Rreth marrëveshjeve me Ndërlidhjen:

• Serbia vazhdon të respektojë në mënyrë të vazhdueshme dispozitat për shkëmbimin e vizitave zyrtare;
• Serbia i siguron zyrtarit serb për Ndërlidhje në Prishtinë të gjithë mbështetjen e domosdoshme administrative (për shembull përmes pagesës së qirasë për zyrën e tij).
• Serbia pajtohet rreth pamjes vizuale të korrespondencës zyrtare, që ende nuk është përcaktuar (vulat, simbolet dhe kornizat);
• Serbia vazhdon të ndihmojë në sigurinë dhe në qasjen me ndërmjetësit serbë të zyrtarëve kosovarë të Ndërlidhjes në Beograd.

Rreth Marrëveshjes për energjetikë:

• Serbia vazhdon të angazhohet në procesin e normalizimit midis Operatorit të Sistemit Kosovar të Transmisionit (KOSTT) dhe Kompanisë serbe të Transmisionit (EMS), duke përfshirë përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje për ndërlidhje, si dhe mbështetjen e anëtarësimit të KOSTT-it në organizatën evropiane, Rrjetin Evropian për Operatorët e Sistemit të Transmisionit për Elektricitet (ENTSO-E). Kjo marrëveshje duhet ta mbulojë tërë territorin e Kosovës, në pajtim me Marrëveshjen në energjetikë.
• Serbia themelon kompaninë e furnizimit (të quajtur «ElektroSever») në Kosovë dhe përmbush kushtet në pajtim me kornizën ligjore dhe rregulluese në Kosovë që kompanisë t’i jepet licenca për furnizim.
• Serbia i kontribuon arritjes së marrëveshjeve komerciale për «ElektroSeverin» me kompaninë ekzistuese të distribucionit, po qe se është në gjendje të kryejë shërbime të distribucionit;
• Serbia e zgjidh çështjen e menaxhmentit të caktuar prej serbëve të hidrocentralit të Gazivodës/Ujmanit.

Rreth Marrëveshjes për telekomunikacion:

• Serbia themelon kompaninë e telekomunikacionit si shtesë e «Serbija Telekomit» dhe përmbush kushtet në pajtim me kornizën ligjore dhe rregulluese të Kosovës që kompanisë t’i sigurohet licenca për telefoninë fikse.
• Serbia respekton afatet dhe secilin prej hapave të pajtuar, përmes të cilit mundësohet një proces paralel i sigurimit të kodit treshifror telefonik për Kosovën dhe dhënies së autorizimit të përkohshëm për operacionet ekzistuese celulare në Kosovë.
• Serbia angazhohet në procesin e bashkëpunimit midis autoriteteve rregullatore të telekomunikacionit.
• Serbia ia jep pajtimin, si kërkohet, ITU-së në dhënien e kodit treshifror për Kosovën, ashtu si edhe tekstin e buletinit të ITU-së, në pajtim me Planin e Veprimit.

2. Puna në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut teknik të Marsit 2011-Shkurtit 2012

Rreth doganave:

• Serbia adreson çështjen e ekzistencës së strukturave të zhvendosura administrative doganore serbe me emërtime të Kosovës;
• Serbia ndal lëshimin e dokumentacionit apo vulosjen me emërtime që bien në kundërshtim me obligimet serbe, në pajtim me Marrëveshjen e 17 janarit të vitit 2013.

Rreth IBM-së dhe pikëkalimeve të përbashkëta:

• Serbia e përmbyll krijimin e të gjithë pikëkalimeve;
• Serbia shqyrton kërkesat për Ndihmë të Përbashkët Ligjore;
• Serbia përmirëson kontrollin dhe/ose mbyll rrugët alternative dhe kalimet, për ta garantuar përdorimin vetëm të pikëkalimeve zyrtare për mallrat dhe personat që hyjnë apo dalin nga Kosova;

Rreth lirisë së lëvizjes:

• Serbia lejon shtetas të shteteve të treta që të hyjnë në Serbi përmes Kosovës;
• Serbia zbaton marrëveshjet për targat në Kosovën Veriore për banorët e Kosovës.

Rreth lirisë së lëvizjes/ Ura e Mitrovicës:

• Serbia mbështet publikisht zbatimin e Marrëveshjes së arritur më 25 gusht të vitit 2015, në veçanti afatet që kanë të bëjnë me hapjen për trafik të urës së Mitrovicës deri në verë/ jo më shumë se në fund të qershorit të 2016-s;
• Serbia respekton afatet e caktuara në marrëveshjet e 25 gushtit të vitit 2015.

Rreth bashkëpunimit rajonal:

• Serbia mundëson, nga ana e saj, pjesëmarrjen efektive të Kosovës në nismat e mbetura rajonale;
• Serbia mbështet përfshirjen e përfaqësuesve të Kosovës në menaxhment dhe struktura administrative të organizatave rajonale.

Rreth njohjes së diplomave universitare:

• Serbia angazhohet në mënyrë konstruktive me Kosovën për krijimin e një procedure konsistente për arritjen e rezultateve të synuara me Marrëveshjen e 2011-s.

Rreth bashkëpunimit me EULEX-in në Kosovë:

• Serbia siguron përkrahje publike për proceset gjyqësore të drejtuara nga EULEX-i, duke përfshirë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë;

3. Marrëveshjet e mëtejme dhe progresi në normalizimin e raporteve

* Serbia mbetet e përkushtuar për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, angazhohet në arritjen e marrëveshjeve të mëtejme në çështje/fusha të reja, avancimin e normalizimit në besim të mirë, me qëllimin e vazhdimit gradual të normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, në pajtim me kornizën e negocimit.

Duke pasur parasysh elementet e mësipërme, Konferenca duhet t’i kthehet këtij kapitulli në një moment të përshtatshëm.