Dosjet tregojnë se dramat e Jugosllavisë e mbajtën CIA-n të zënë me punë

Dokumente të bëra të disponueshme së fundmi nga CIA tregojnë se agjencia amerikane ishte mjaft e zënë duke ndjekur ekzistencën e trazuar të Jugosllavisë dhe shpërbërjen graduale të përgjakshme.

Lideri jugosllav Josip Broz Tito dhe presidenti amerikan John F. Kennedy gjatë një takimi.



CIA ia kishte ngulur sytë Jugosllavisë komuniste nga vitet 1940, duke ndjekur nga afër zhvillimet deri në ditët e fundit në 1991. Pasi një OJQ amerikane, MuckRock, fitoi një çështje kundër CIA-s, agjencisë iu desh t’i bënte dosjet e saj tashmë të hapura më të aksesueshme. Javën e shkuar, baza online e dokumenteve u hap për publikun. Dokumentet tregojnë interesin e madh që CIA kishte për situatën në Jugosllavi, veçanërisht gjatë viteve të trazuara 1980, me ngritjen e nacionalizmit dhe përkeqësimin e krizës ekonomike.

Me vdekjen e presidentit jugosllav Josip Broz Tito në 1980, një dokument i quajtur «Jugosllavia: Sforcimet bëhen të dukshme» nga viti 1982, thotë se «sistemi politik i vendit mund të rezultojë i paaftë për t’u përballur me vështirësitë financiare ndërkombëtare, problemet e brendshme ekonomike dhe tensionet etnike në rritje». «Për sa kohë Tito ishte gjallë, Jugosllavia mund të funksiononte me sukses, pavarësisht dobësisë së sistemit, sepse Tito kishte prestigjin të ndërhynte në çaste kritike dhe të impononte masa përmirësuese», shkruan dosja. Dosja përshkruan se si sistemi federal jugosllav i përfshirë në kushtetutën e re në 1974 – që futi presidencën federale me mandat njëvjeçar – ishte përpjekje e Titos për të parandaluar dominimin e Jugosllavisë nga ndonjë grup «etnokombëtar«».

Një vit më vonë, në 1983, një dosje «Jugosllavia përkulet drejt nacionalzimit etnik» raporton rritjen e tendencave nacionaliste në vend, megjithëse e konsideron ende dhunën e përhapur etnike si «jo të afërt». «Rivalizimet etnike acarohen nga polemikat në shtypin e përditshëm të vendit, duke rritur tendencën e liderëve fetarë për t’i lidhur çështjet e besimit me interesat etnikë dhe tërheqjen e nacionalizmit etnik te të rinjtë e pakënaqur jugosllavë», nënvijëzon raporti. Një analizë nga janari 1991 – përpara konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci – titullohet me pesimizëm «Jugosllavia: S’ka rrugëdalje». «Jugosllavia ende duket se po shkon drejt shpërbërjes, ose në një kasaphanë ose me më pak gjasa përmes marrëveshjeve të përbashkëta mes republikave», shkruan analiza.

Marrëdhëniet e Jugosllavisë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik ishin gjithashtu shqetësim për CIA-n. Raportet e saj nga 1986 tregojnë se si zyrtarët jugosllavë dhe media vendase dënuan bombardimet amerikane në Libi, kur forcat ajrore bombarduan Tripolin dhe lideri libian Moamar Gadafi i mbijetoi sulmit. Një vit më pas, me Jugosllavinë që po binte në krizë ekonomike dhe politike, CIA pa me shqetësim bisedimet mes Bashkimin Sovjetik me liderin e ri sovjetik Gorbaçov që synonin të afronin dy vendet. «Synimi kryesor i Beogradit në përmirësimin e marrëdhënies është të fitojë ekonomikisht ndërsa shmang çdo lidhje politike».

Dosjet përmbajnë raportime të shumta mbi betejat e Jugosllavisë me terrorizmin në kuptimin e «ekstremistëve» nacionalistë në vend dhe jashtë. Një raport nga viti 1972 përqendrohej në «Pranverën Kroate», një lëvizje politike nga brenda Lidhjes së Komunistëve të Kroacisë, që kërkoi reforma politike dhe ekonomike në 1971. «Një pjesë e mirë e përgjegjësisë për krizën bie mbi krahun e fortë liberal të Partisë Komuniste Kroate. Ky krah për vite ka kërkuar të shfrytëzojë ndjesinë nacionaliste për të konsoliduar pushtetin vendas dhe për të fituar lëshime nga autoritetet qendrore në Beograd», shkruhej në të.

Raportimet gjithashtu theksuan mbërritjen e refugjatëve grekë që largoheshin nga lufta civile në Greqi në 1950, aktivitetet e Komitetit të Maqedonisë së Lirë të sponsorizuar nga sovjetikët që mbronin kthimin e pjesëve të Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Greqisë në një shtet më të madh maqedonas dhe ekzistencën e kampeve të punës pranë Beogradit.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/dosjet-tregojne-se-dramat-e-jugosllavise-e-mbajten-cia-n-te-zene-me-pune/)