Dosjet e pjesëtarëve të FSK-së në dorë të shërbimeve sekrete serbe

Dosjet e pjesëtarëve të FSK-së në dorë të shërbimeve sekrete serbe.




Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala, ka folur për raportimin e medieve se Shërbimi Serb i Ushtrisë ka në dorë dosjet e pjesëtarëve të FSK-së. Ai ka thënë se informatat mund të kenë rrëshqitur nga zëvendësministri i komunitetit serb në ministri të FSK-së.

Aktualisht në ueb faqe të kësaj ministrie nuk figuron ndonjë emër i ndonjë zëvendësministri të komunitetit serb. Këtë pozitë para shtatorit të vitit 2013 e ka mbajtur Sllavisha Filipoviq. Pas tij në këtë pozitë ish- kryeministri Hashim Thaçi kishte emëruar Jasmina Vasiq, transmeton Koha.net.

Shala nuk ka përmendur emër, vetëm se iu ka referuar zëvendësministrit serb nga radhët e komunitetit serb.

«Ka mundësi që të kenë rrëshqitur, sepse ai është zëvendësministër dhe zëvendësministrat kanë të drejtë të kenë informacione për gjithçka në secilin institucion», është shprehur Shala.

«Ju duhet ta dini se në Ministrinë e FSK-së çdo herë kemi pasur një zëvendësministër nga radhët e komunitetit serb. Qeveria duhet të merret më seriozisht se kë po e emëron aty dhe kujt po i raporton çdo zëvendësministër i komuniteteve të tjera», ka thënë Shala pas mbledhjes së Komisionit, që është mbajtur të martën.

Ai ka thënë se i ka njoftuar anëtarët e Komisionit edhe për një vizitë në Degën e AKI-së në Prizren. Shala ka thënë se nga informatat që kanë marrë atje kanë kuptuar se rajoni i Prizrenit është i mbuluar me fajdexhinj.

«Javën e kaluar kemi pasur një vizitë në degën e AKI-së në rajonin e Prizrenit, … me rastin e fundit të vrasjes së një personi në Prizren, kemi shprehur interesim që të informohemi lidhur me grupet që merren me fajde, nga Agjencia i Inteligjencës në rajonin e Prizrenit. Jemi njoftuar se si funksionojnë dhe a ka me të vërtetë fajdexhinj. Në Prizren jemi të njoftuar rajoni sot është i mbuluar nga fajdexhinjtë», është shprehur Shala. Ai ka theksuar se nuk kanë emra konkretë të fajdexhinjve.

Shala ka deklaruar se i ka njoftuar anëtarët e Komisionit edhe për atë se nga e ka marrë informatën se shërbime sekrete serbe kanë të vendosura antena përgjimi në veri të Kosovës. «I njoftova që këtë informatë e kam marrë nga institucione që janë të thirrura për montimin e antenave dhe heqjen e tyre», ka theksuar Shala.