Dorëzohet organizatori shqiptar: Koncerti i reperëve antisemitë anulohet

Pas presionit nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë dhe nga Qeveria e Kosovës një biznesmen shqiptar është detyruar të anulojë një koncert me dy reperë që me këngët e tyre tallen me vuajtjet e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

Reperi gjerman Kollegah (emri civil Felix Blume) dhe reperi me origjinë marokene Farid Bang (emri civil Farid Hamed El Abdellaoui).



Reperët Kollegah dhe Farid Bang nuk do të këndojnë në një të ashtuquajtur «Albanian Festival», që planifikohej të mbahej në Schaffhausen të Zvicrës në fillim të majit. Kollegah dhe Farid Bang së fundi kanë fituar një çmim të rëndësishëm muzikor në Gjermani dhe kjo ka shtyrë shumë artistë të kthejnë çmimin që kanë marrë vite më parë. Në këngët e tyre reperët tallen me vuajtjet e hebrenjve në Luftën e Dytë, por edhe me pakica të ndryshme. Dy reperët, mjaft të popullarizuar në mesin e të rinjve, ishin të ftuar nga një biznesmen shqiptar nga Zvicra në një koncert, ku do të merrnin pjesë edhe këngëtarë të estradës së Kosovës si Sabri Fejzullahu dhe Leonora Jakupi.

Në një njoftim të bërë publik të premten organizatori i festivalit shkroi se pas bisedave intensive me autoritetet dhe partnerët e festivalit dhe për shkaqe të sigurisë është vendosur të hiqet dorë nga paraqitja e reperëve Kollegah dhe Farid Bang.

Ditëve të fundit presioni kundër organizatorit ishte shtuar. Së pari protestuan disa politikanë zviceranë me një letër publike. Pastaj Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë lëshoi një deklaratë mjaft të ashpër, kur kritikonte ftesën që organizatori i kishte dërguar dy reperëve, por edhe keqpërdorimin e emrit shqiptar («Albanian Festival»). Organizatori Beslim Memishi nga e ashtuquajtura shoqatë kulturore Alba me ditë të tëra kishte refuzuar të përgjigjet në interesimin e mediave. Pas ndërhyrjes së ambasadorit shqiptar në Bernë Ilir Gjoni, organizatori premtoi se do ta shqyrtojë mundësinë e anulimit të paraqitjes se reperëve. Burime nga qeveria e Kosovës bëjnë të ditur se edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar që urgjentisht të hiqet dorë nga një organizim i tillë, i cili do të ishte i dëmshëm për imazhin e komunitetit shqiptar dhe për të dy shtetet – Kosovën dhe Shqipërinë.

Albumi i fundit i duetit Kollegah dhe Farid Bang përmban vargje antisemite si «Trupi im më i definuar se ai i të burgosurve të Auschwitzit» dhe «Bëje edhe një Holokaust, hajde me mollotov». Në Poloninë e okupuar nazistët gjermanë më 1940 hapën kampin e Auschwitzit, ku deri më 1945 u shfarosën së paku 1,1 milionë njerëz, prej tyre rreth 1 milion hebrenj. Një pjesë e madhe e të burgosurve të Auschwitzit u vranë në dhoma gazi. Krahasimi i trupave muskuloz të reperëve me trupat e të burgosurve të Auschwitzit ka ngjallur zemërimin e mediave dhe të opinionit në Gjermani dhe në Zvicër. Po ashtu albumi përmban edhe tekste kundër grave, refugjatëve, homoseksualëve dhe invalidëve.

Organizatori kishte theksuar se paratë nga koncerti do të derdheshin në xhirollogarinë e fondacionit Kuq e Zi, për të cilin në opinionin e diasporës shqiptare në Zvicër nuk dihet asgjë. Duket se edhe kësaj radhe ngjyrat kuq e zi janë përdorur për përfitime «patriotike». Pas tërheqjes së ftesës për dy reperët, koncerti me këngëtarët e estradës kosovare me gjasë do të mbahet. Lajmi për tërheqjen e ftesës për Kollegah dhe Farid Bang është publikuar menjëherë edhe nga shumica e mediave zvicerane dhe gjermane.