Dorëhiqet këshilltari i lartë për sigurinë i presidentit amerikan

Këshilltrai për sigurnë kombëtare i Donald Trumpit, Michael Flynn, ka dhënë dorëheqje. Ai akuzohet se ka zhvilluar diplomaci private me Rusinë përpara fillimit të qeverisjes së kryetarit të ri dhe ka dhënë deklarata të rreme për këtë.

Ilustrimi: doddis77 / Shutterstock



Një dorëheqje spektakolare të hënën mbrëma në Washington. Michael Flynn duhej ta dorëzonte funksionin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, edhe atë në mënyrë të turpshme. «Washington Post» kishte publikuar informata shumë të rëndësishme, sipas të cilave Ministria e Drejtësisë e kishte ishformuar për to prej kohësh Shtëpinë e Bardhë që Flynn mund të ishte i shantazhueshëm. Ai në fakt, transmeton Neue Zürcher Zeitung, është i kontestuar për shkak të lidhjeve me Rusinë, sikurse edhe shefi i tij.

Michael Flynn ka pasur kontakte telefonike me ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kisljak, me të cilin shkëmbente sms-së shumë kohë përpara se Trump të vinte zyrtarisht në pushtet. Dorëheqja e tij tani shihet si një dëshmi e asaj që Flynn ga gënjyer në opinion për këto kontakte, çka rusëve iu ka mundësuar që ta vënë atë nën presion.

Çështja ishte bërë ende më e ndërlikuar për faktin se ai e kishte gënjyer edhe zëvendëspresidentin Mike Pence, i cili shkurt para fillimit të mandatit të Trumpit është pyetur për kontaktet e Flynnit me ambasadorin rus. Ai ätëbotë ka deklaruar se ka folur me Flynn për këtë dhe se në ato biseda nuk është tematizuar çështja e sanksioneve ndaj Rusisë. Të hënën u konstatua se fjalëve të Flynn nuk mund t’iu zihet besë.

Vetë Michael Flynn ka dhënë deklarata kontradiktore lidhur me bisedat me ambasadorin rus. Pyetja kryesore kishte qenë nëse ai ka biseduar për sanksionet kundër Rusisë dhe heqjen eventuale të tyre. Sanksione të cilat i kishte vënë presidenti Obama nga fundi i qeverisjes së tij, për shkakun se Rusia, sipas të dhënäve amerikane, ishte përpjekur t’i influenconte zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Amerikë në rrugë elektronike.

Atëbotë Omama i kishte dëbuar nga vendi 35 shtetas rusë me status diplomatik. Për habinë e të gjithëve, Putin nuk i ishte përgjigjur atij me të njëjtën monedhë. Ky fakt ka dhënë të mendohet se mos Flynn i kishte sinjalizuar rusët se nën qeverisjen e presidentit Trump ato do të hiqeshin shumë shpejt përsëri.

Donald Trump nga ana e tij ishte shprehur skeptik për akuzën se sulmeve të hakerëve fshihet Rusia; të cilat në fakt ishin vlerësuar si përpjekje për ta influencuar rezultatin e zgjedhjeve në disfavor të Hillary Clintonit. Tani, sipas «Washington Post», Flynnit i është dorëzuar një transkript i bisedave të tij me ambasadorin rus, ku dëshmohet se është folur për sanksionet. Ndonëse ai për gjatë kohë e kishte mohuar këtë fakt. Befasisht ai e korrigjoi veten duke pohuar se kujtesa e tij kishte zbrazëtira dhe sanksionet ndoshta janë prekuar në biseda.

Gjithsesi në SHBA është ilegale zhvillimi i diplomacisë private me fuqi të huaja. Nga ana tjetër, ish gjenerali Flynn ka një karrierë të bujshme në shërbimet informative amerikane. Nga kjo perspektivë duket krejt e pamundur që ai të ketë qenë kaq naiv dhe të kishte vepruar në mënyrë të qëllimshme. Çudit edhe fakti që ai si ish funksionar i lartë në spiunazhin amerikan nuk ka qenë i kujdesshëm në këtë aktivitet; ai është dashur ta dinte që këto biseda përgjohen.

Michael Flynn është shfaqur relativisht herët në fushatën e Donald Trump për president të SHBA-ve. Ai i kishte dhënë kandidatit të papërvojë në çështje të politikës së jashtme një prestigj në çështje të sigurisë kombëtare, duke i qëndruar atij gjithë kohës luajal. Çështja që shtrohet tani është ajo se mos Flynn ka vepruar prapa shpinës së zëvendëspresidentit, por në marrëveshje me Trump. Funksionin e Flynn për një periudhë kalimtare do ta marrë gjeneral armate Keith Kellogg, një tjetër i besuar i ngushtë i Trumpit.

Me rëndësi në këtë kontekst janë edhe qëndrimet e palës ruse. «Është ashiqare që Flynn dorëheqjen e tij e ka shkruar nën presion», është shprehur kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në prlamentin rus, Leonid Sluzki. Qëllimi i kësaj është erodimi i besueshmërisë në qeverinë e re amerikane. «Do shohim si do të zhvillohen ngjarjet», ka thënë ai. Kremlini nuk denjon ta komentojë dorëheqjen e këshilltarit për siguri të Trumpit. Kjo është një çështje e brendshme e SHBA-ve, e transmeton zëdhënësin e Kremlinit Neue Zürcher Zeitung, duke iu referuar agjencisë zvicerane të lajmeve.

Ka komentuar edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm të Këshillit Federativ, Konstantin Kossatschow: Nga skifterët në Washington gatishmëria për dialog me rusët shihet si një krim. Sipas tij, presidenti Trump ose nuk mund të veprojë në mënyrë të pavarur, ose pengohet ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërsa eksperti rus për Amerikën nga akademia e shkencave në Moskë pas dorëheqjes së Flynnit sheh një fushatë revanshi të demokratëve për humbjen e tyre dramatike, siç është shprehur ai për agjencinë e lajmeve Interfax. ks