Donald Trumpi belg

Ministri i Azilit dhe Emigracionit të Belgjikës, Theo Francken, është në një luftë politike e ligjore me gjykatat belge për mosdhënien e vizës humanitare një familjeje siriane nga Halepi. Duke u barrikaduar në qëndrimet e tij, ministri vazhdon të sfidojë tërë sistemin e drejtësisë belge! Francken dhe ministria e tij po ashtu kanë dorëzuar dy propozime tek Këshilli Europian i Ministrave kundër liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Europian.



Sekretari shtetëror i azilit belg, ose ndryshe ministri belg për Azil dhe Emigracion, Theo Francken, është po aq zbavitës për median belge sa Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA. Deklaratat e tij janë një vijë e hollë larg fashizmit. Pas një serie skandalesh që e lidhin atë drejtpërsëdrejti me qëndrime fashiste, homofobe dhe kundër emigrantëve, ministri e arriti kulmin në gjysmën e dytë të këtij viti kur nisi një luftë politike duke mos lëshuar një vizë humanitare për një familje nga Halepi i Sirisë.

Tash e gjashtë muaj, një familje me katër antarë nga Halepi është në betejë gjyqësore dhe mediatike me ministrin Francken. Në fillim të vitit 2016, ministria e emigracionit belg i kishte refuzuar kërkesën për azil kësaj familjeje. Sponsor të vizës për familjen nga Halepi ishte bërë një familje me qëndrim të përhershëm në Namyr të Belgjikës. Kjo e fundit kishte shprehur dëshirën për të akomoduar familjen siriane dhe kishte nisur procedurat ligjore që katër shtetasve sirianë t’u jepet viza humanitare. Kryefamiljari, kishte marrë rrugë nga Halepi në Bejrut të Libanit për të aplikuar për vizë humanitare në ambasadën belge.

Autoritetet belge refuzuan një vizë të tillë, paçka se kishte prova të mjaftueshme që familja siriane, të paktën për një periudhë fillestare, nuk do të bëhej barrë e shtetit. Fill pas kësaj familja nga Halepi bashkë me familjen nikoqire belge dërguan në Gjykatën e Shkallës së Parë në Belgjikë kërkesën për ta rishikuar vendimin e ministrit. Duke u thirrur në të drejtën për azil bazuar në legjislacionin belg dhe në atë ndërkombëtar, familja ishte e bindur në fitoren gjyqësore. Dhe ashtu ndodhi! Gjykata e Shkallës së Parë refuzoi vendimin e ministrisë dhe kërkoi zbatimin e së drejtës për azil të familjes siriane. Ministria e Azilit dhe Emigracionit belg e çoi tutje sagën ligjore duke mos e përfillur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në aspektin politik dhe popullist u argumentua se në rast të dhënies së të drejtës për azil familjes në fjalë, kjo do të përbënte një precedent të rrezikshëm dhe do të «inkurajonte» familje të tjera refugjate nga «të katër anët» të mësyjnë Belgjikën.

Familja siriane, bashkë me familjen nikoqire në Namyr, e vazhdoi tutje sagën ligjore duke kërkuar mendimin e Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit përsëri vendosi në favor të familjes siriane, madje e obligoi Zyrën belge për Azil dhe Emigracion që t’i paguaj dëmshpërblim familjes siriane. Qartësisht, vendimi i Gjykatës kërkon që për çdo ditë të vizës së munguar, ministria belge e emigracionit i detyrohet nga një mijë euro në ditë secilit nga katër anëtarët e familjes siriane. Deri në këto momente shuma e detyruar ka arritur në 20 mijë euro. Në një reagim gjoja sarkastik në faqen e tij në Facebook, ministri Francken publikoi një fotografi të zyrës së tij me këtë shënim: «Le të vijnë t’i marrin tavolinat dhe karriget e zyrës. Ministria nuk i ka 20 mijë euro për dëmshpërblim».

Liderë të partive opozitare belge nga Partia e Gjelbër dhe Partia Kristian-Demokrate reaguan menjëherë kundër mosrespektimit që ministri po i bën një vendimi të Gjykatës dhe sfidimit të tërë sistemit të drejtësisë nga ana e tij. «Paramendoni nëse njerëzit do të fillojnë t’i kundërshtojnë në mënyrë të njëjtë vendimet e Gjykatës», thotë avokati i familjes nga Halepi, Thomas Mitevoy, duke shtuar se ministri Francken e ka «vendosur veten mbi ligjin».

Çështja është çuar tutje tek Këshilli Shtetëror i Gjyqësisë dhe Gjykata Europiane. Në ndërkohë, Francken vazhdon të mbetet i barrikaduar në qëndrimet e tij se nuk do të lëshojë vizë humanitare për familjen nga Siria edhe nëse do të duhet të paguaj dëmshpërblim. «Nuk do të lejoj që kjo gjë të na çojë përsëri në kaos të refugjatëve», u shpreh Francken në fillim të dhjetorit. Në vend të vizës belge, ai sugjeron që familja në fjalë të kërkojë status refugjati në Liban dhe se nuk ka nevojë për kërkesë për të ardhur në Belgjikë.

Brenda vitit të parë të mandatit të tij, Francken u bë eksponent i rëndësishëm për mediat belge dhe në ato të Europës perëndimore më gjerë. Pak muaj pas emërimit të tij në krye të Zyrës së Emigracionit, një numër partish politike belge kërkuan dorëheqjen e tij, pasi Francken ishte parë në festën e ditëlindjes të Bob Maes, ish-eksponent i partisë nacionaliste e fashiste Vlaams Nationaal Verbond, parti kjo që kishte bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lidhjet e tij personale dhe familjare me ish-eksponentë të nazizmit janë diskutuar gjatë në debatet publike në Belgjikë.

Pa kaluar shumë kohë nga ky skandal, Francken u gjet edhe në një vorbull tjetër po kaq kontradiktor, kur në opinion dolën një seri emailesh të tij që përmbanin gjuhë homofobe e denigruese kundër pakicave seksuale. Kjo është posaçërisht e ndjeshme në Belgjikë, marrë parasysh që vendi garanton të drejtat e komunitetit LGBTQI dhe madje edhe të drejtën e tyre për martesë. Përpos kësaj, vetë kryeministri i fundit belg, Elio Di Ruppo, ishte eksponent i shquar i komunitetit LGBTQI.

Jo më larg se dy muaj nga ky skandal, në faqen e tij në Facebook ministri shtroi pyetjen se «cili është përfitimi i shtetit belg nga prezenca e madhe e emigrantëve nga Maroku, Kongo dhe Algjeria?» Për shkak të presionit të madh politik, akademik dhe të publikut më gjerë, Francken kërkoi falje për deklaratat e tij në parlamentin federal.

Që nga viti 2015, Belgjika ka pranuar 7500 azilkërkues nga Siria. Ndryshe, që nga viti 2013, popullsia e Libanit është dyfishuar nga numri i azilkërkuesve sirianë. Theo Francken mori drejtimin e Ministrisë pas zgjedhjeve të vitit 2014. Lideri Nieuw-Vlaamse Alliantie (NVA) dhe njëkohësisht shefi i Francken, Bart De Wever, sot gëzon popullaritet të gjerë në pjesën holandishtfolëse të Belgjikës. Kjo parti është karakterizuar jo vetëm me diskurs të hapur separatist brenda Belgjikës, por edhe me politikat e saj kundër emigrantëve dhe refugjatëve. Partia në fjalë dhe ministria e Francken kanë avokuar vazhdimisht kundër liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Europian.