Donacionet plotësojnë mungesën e barnave në QKUK

Mungesat e barnave nëpër klinikat e QKUK-së po plotësohen nga donacionet, raporton KTV.

Derisa ky vit ka shënuar krizë në furnizim në institucionin terciar shëndetësor, buxheti ka qenë për rreth 5 milionë më i ulët se kërkesat.

Klinikës së neonatologjisë i është shtuar numri i pajisjeve dhe aparaturave që janë të nevojshme e të cilat nuk i kishte.

Ky nuk është një investim nga institucionet e vendit, por donacion nga Emiratet e Bashkuara, që kap vlerën prej më shumë se 55 mijë euro.

Zyrtarë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar tregojnë se ka një përmirësim të lehtë të furnizimit, por jo sa kërkesat.

Faktin se QKUK-ja varet shumë nga donatorët, e pranojnë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Thonë se gjendja do të ndryshojë, derisa lavdërohen se shfrytëzuan mirë ndihmën duke krijuar besimin e donatorëve.