«Dokufesti» në Zürich

Në fokusin e Festivalit të Filmave të Rinisë së Zvicrës sivjet gjendet Kosova.

Foto: Schweizer Jugendfilmtage



Sot në Zürich hapet edicioni i radhës i Festivalit të Filmave të Rinisë së Zvicrës. Në mesin e 45 filmave do të shfaqen edhe dy programe me dokumentarë të shkurtër nga Kosova. Programet janë përgatitur nga «Dokufesti», festivali i mirënjohur, i cili mbahet në Prizren dhe gëzon një reputacion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar. Programi i parë përmban filma të xhiruar nga të rinjtë, ndërsa programi i dytë ofron filma të xhiruar nga regjisorët profesionistë, të cilët kanë emigruar vetë, njofton gazeta zvicerane «20 minuten».

Filmi «Note of Multitude» prezanton burra, gra e fëmijë duke i thënë lamtumirë vendit të tyre; ata hipin në autobus, i cili do t’i çojë në botën e jashtme në kërkim të fatit. Ata janë emocional, por nganjëherë edhe të dhunshëm. Viteve të fundit mbi 100 mijë kosovarë kanë braktisur vendin e tyre si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike. Në «Immigrant Journal» një kineast shqiptar përcjell me kamerë një 23-vjeçar nga Kosova, i cili niset për të emigruar ilegalisht në BE.

Festivali i Filmave të Rinisë së Zvicrës sivjet mbahet për herën e ’41. Garuesit kanë dorëzuar 230 filma, të cilët do të shfaqen nga e mërkura deri të dielën në Theater der Künste në Gessneralle, Zürich. (dp)