«DokuFesti» dhe «DokuVizioni» prezantojnë dokumentarin «Mos më lër»

Pas dy projeksioneve në Podgoricë dhe në Shkup, edicioni i tretë i «DokuVizionit» rajonal bartet në Prizren. Sipas drejtuesve të «DokuFestit», të mërkurën do të shfaqet filmi «Ne Me Quitte Pas» (Mos më lër) nga dyshja e regjisorëve holandezë, Niels van Koevorden dhe Sabine Lubbe Bakker.




«Pas shfaqjes së filmit do të ketë edhe një bisedë me njërën nga regjisoret e filmit Sabine Lubbe Bakker, për të diskutuar lidhur me temën e filmit. Paralelisht, edhe qytetet e tjera do të lidhen dhe do kenë mundësinë për t’i parashtruar pyetje mysafires në Prizren», ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i «DokuFestit», Eroll Bilibani, shkruan sot «Koha Ditore».

Portali prestigjioz për film «IndieWire» në një recension ka vlerësuar se në qoftë se Jim Jarmusch do të bënte një film për dy miq alkoolikë në pyll, atëherë ai do të ishte sikurse filmi dokumentar holandez «Ne Me Quitte Pas».

Filmi është një odë tragjikomike mbi dështimin, humbjen, birrën, absurditetin dhe një miqësi të pazakontë mes dy burrave në moshë të mesme në një provincë të vogël belge. Bobin dhe Marcelin i bashkon vetmia, sensi i çuditshëm i humorit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Ata e kanë vetëm njëri-tjetrin, për shkak të vendimeve të gabuara në jetë, karakterit të rëndë dhe veseve të shumta. Bob është një fermer i pensionuar, i cili sikur Erlend Luovog Doppler është tërhequr të jetojë në pyll, përderisa Marceli është duke u përpjekur që mos t’i humbë të gjitha kontaktet me gruan dhe fëmijët të cilët e kanë braktisur. Shumicën e kohës e kalojnë kryesisht duke pirë, dhe në një lloj të pritjes së Godosë. «Mos më le» është një tregim i prezantuar përplot humor mbi kërkimin e kuptimit të jetës nga një perspektivë, si dhe të vdekshmërisë nga ana tjetër.

«Mos më lër shfaqet në Prizren dhe qendrat e tjera të Ballkanit, në kuadër të «DokuVizionit», që është një projekt partneriteti i Rrjetit Ballkanik të Distribuimit të Dokumentarëve (BDDN), anëtarët e të cilit bashkë me «DokuFestin» janë «MakeDox», «Underhill Fest», «Restart», «Slobodna Zona / Festival Free Zone Film», «Petra PAN Film Production» dhe «Demiurg Distribucija». Kësisoj publiku prizrenas do ta shohë «Mos më lër» njëkohësisht me atë në Podgoricë, Lubjanë, Zagreb, Beograd e në Shkup.

Paraprakisht në kuadër të këtij projekti janë shfaqur dokumentarët «Web Junkie» dhe «We Come as Friends».