Doktor Bojiqi dhe shokët e tij: Si po dalin nga errësira në Serbi besnikët e Millosheviqit

Pasi anëtarët e gardës së vjetër të Sllobodan Millosheviqit dolën nga errësira për të rimarrë pushtetin, një nga një, është koha për t'u shqetësuar.

Hija e Millosheviqit dhe ish-zëdhënësi i tij Ivica Daçiq. Kariktaturë e Corax e botuar në gazetën Danas (2012).



Ndoshta unë jam duke vuajtur nga sindroma e stresit post-traumatik, ose ndoshta jam vetëm duke u plakur, por kohët e fundit kam përjetuar një sërë kujtimesh shumë të pakëndshme nga e kaluara jo shumë e largët. Këto kujtime më kthejnë në epokën e Sllobodan Millosheviqit, e cila u shënua nga luftërat, sanksionet dhe represioni. Regjimi i Millosheviqit përfundoi më 5 tetor, 17 vjet më parë, por kohë pas kohe, pjesë të saj vazhdojnë të më ndjekin edhe sot. Episodi më i fundit u shkaktua nga emërimi i dr. Milovan Bojiqit si menaxher i ri i Klinikës së Zemrës në Dedinje, një institucion prestigjioz shtetëror në periferi të Beogradit.

Dr. Bojiqi është i mirënjohur për të gjithë ne dhe mjaft i vjetër për të mbajtur në mend Millosheviqin (o Zot, a ka qenë kaq e gjatë?) Për shumicën e këtyre ditëve të këqija të së kaluarës, ai zuri pozicionin e njëjtë në krye të klinikës së Dedinjës. Por ai ishte shumë më shumë, si një bashkëpunëtor i ngushtë i gruas së Millosheviqit, Mira Markoviqit, dhe si një zyrtar i lartë në partinë e saj JUL, Bojiqi ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e Millosheviqit.

Në muajt e fundit të regjimit të vjetër, ai ishte në ballë të goditjes kundër opozitës dhe medias së lirë. Ai udhëhoqi spastrimin në Universitetin e Beogradit dhe filloi akuza penale kundër gazetarëve. Pas rrëzimit të Millosheviqit, kështu ndodhi edhe me dr. Bojiqin, ai u largua edhe nga qeveria, edhe nga Klinika Dedinje. Doli se një shumë e madhe parash ishte zhdukur nga spitali dhe ai ishte akuzuar për përvetësim. Gjykimi i tij i gjatë përfundoi dy vjet më parë me një shfajësim, gjyqtarët vendosën se provat kundër tij ishin të pamjaftueshme, pavarësisht se doli se kishte një llogari bankare sekrete në Zvicër.

Ndërkohë, ai mori një pozicion të lartë në Partinë Radikale Serbe të ekstremit të djathtë, të udhëhequr nga Vojislav Shesheli, i cili u gjykua (dhe u lirua në shkallën e parë) për krime lufte në gjykatën ndërkombëtare në Hagë, ICTY. Dr. Bojiqi është gjithashtu mjek personal i Sheshelit. Tani ai ka një nga dy punët e tij të mëparshme. Pyes veten nëse ai do të kërkojë edhe të dytën, të bashkohet me qeverinë.

Pastaj ju keni edhe Milorad Vuçeliqin, ish-nënkryetarin e Partisë Socialiste të Serbisë të Millosheviqit. Përveç kësaj, Vuçeliqi ishte drejtor për një kohë të gjatë në televizionin shtetëror serb, i cili nxorri propagandën helmuese gjatë viteve të nëntëdhjeta. Kur Millosheviqi vdiq në Hagë gjatë gjyqit të tij për krime lufte, Vuçeliq udhëhoqi ekstremistët që u përpoqën ta merrnin partinë. Ata dështuan dhe Vuçeliq u ulë në pozitë duke drejtuar një revistë të vogël javore të quajtur Peçat (Vula), kryesisht duke promovuar përmbajtjen pro-ruse dhe teoritë e konspiracionit.

Megjithatë, muajin e kaluar, Vuçeliq u emërua papritmas kryeredaktor i «Vecernje novosti», një gazetë shtetërore e madhe e mbrëmjes. Gazeta tani promovon pretendimin se NATO me qëllim ka helmuar qindra-mijëra serbë me uranium gjatë fushatës së bombardimeve të vitit 1999. (Në realitet, një sasi shumë e vogël e municioneve të DU-së u përdorën dhe nuk ka prova që ka pasur ndonjë efekt në shëndetin e përgjithshëm.)

Bojiqi dhe Vuçeliqi janë vetëm shembujt e fundit, Aleksandar Vulini, i cili ishte gjithashtu afër gruas së Millosheviqit gjatë viteve nëntëdhjetë, tani udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes. Goran Trivani, i cili drejtoi valën e parë të spastrimeve të mediave në ditët e para të Millosheviqit, është ministër për Mbrojtjen e Mjedisit.

Unë mund të vazhdoj edhe me të tjerë. Duket se çdo ditë gjithnjë e më shumë nga miqtë e vjetër të Millosheviqit janë duke u rikthyer. Mund të theksohet, me të drejtë, se kjo nuk duhet të shkaktojë habi. A nuk ishte Aleksandar Vuçiqi, presidenti i tanishëm i Serbisë, aleat i dikurshëm i Millosheviqit? Dhe a nuk ishte Ivica Daçiqi, ministri i Jashtëm, ish-zëdhënës i partisë së Millosheviqit? Vuçiqi dhe Daçiqi kanë hequr dorë nga agjenda nacionaliste e Millosheviqit para se të merrnin pozicionet e tyre të tanishme. Por Bojiqi, Vuçeliqi, Vulini dhe të tjerë mbeten të papenduar deri më sot, ata i mbeten besnikë idesë së vjetër për Serbinë e Madhe.

Pra, pse Vuçiqi, i cili është betuar se do të reformojë Serbinë dhe do ta çojë atë në Bashkimin Europian, është duke e rrethuar veten gjithnjë e më shumë me njerëz që shumica e serbëve me mendje demokratike do t’i harronin? Unë nuk e di. Kjo mund të jetë pjesë e një manovrimi politik të brendshëm të ndërlikuar. Por mund të jetë gjithashtu një prelud për kthimin e ditëve të këqija të së kaluarës. E di që, si veteran i luftës kundër Millosheviqit, ndihem i frikësuar. Siç më pëlqen t’i përfundoj komentet e mia me një thënie, këtu është një nga William Faulkner: «E kaluara nuk vdes kurrë. Madje nuk është as e kaluar».

Dejan Anastasijeviq është gazetar i njohur i pavarur nga Beogradi. Ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë. Në vitet ’90 Anastasijeviq ka raportuar edhe nga Kosova. Komenti i tij është shkruar për BIRN. Titulli është i redaksisë.