«Dodonës» i bllokohen 15 mijë euro sherri i numrit fiskal nga koha e UNMIK-ut

Gjashtë muaj pasi ka përfituar 15 mijë euro nga Ministria e Kulturës me konkursin për financim të projekteve kulturore, mjetet ende nuk janë derdhur në xhirollogarinë e teatrit të qytetit «Dodona».




Ministria e Kulturës nuk ia ka bartur ato, për shkak se ky institucion ende nuk ka numër fiskal sipas ligjeve të Republikës së Kosovës as 7 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë. Teatri, që është nën ombrellën e Komunës së Prishtinës, e ka vetëm numrin fiskal të kohës së misionit të UNMIK-ut, shkruan sot «Koha Ditore».

E për ta ndërruar atë ka qenë obligim qysh prej korrikut të vitit 2009, kur u miratua udhëzimi administrativ për regjistrimin, çregjistrimin dhe pajisjen me numër fiskal të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Komuna e Prishtinës e cilëson këtë si pengesë administrative, përderisa «Dodona», sherri i saj, s’mund ta konkretizojë programin.

Drejtori i teatrit «Dodona», Agron Shala, ka thënë se e kishte njoftuar Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës për telashet administrative qysh prej vitit të kaluar, kur kjo drejtori udhëhiqej nga Blerta Zeqiri.

«Shumë shpejt do të mundësohet bartja e mjeteve të dedikuara për teatrin ‘Dodona’», ka thënë Miranda Mullafazliu-Bejta, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.

Ndue Ukaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, ka thënë se problemi i vetëm për mosbartjen e mjeteve për «Dodonën» janë pengesat administrative.