«Do ta luftoj deri në fund të jetës këtë rend kanibalist botëror»

Të lexosh një intervistë të socialistit zviceran Jean Zieger është më shumë se një përjetim madhështor i shkathtësisë mendore të një 82-vjeçari që e ka parë botën dhe të gjitha honet e saj. Dikur thoshte: «Zvicra është një Shqipëri alpine e korruptuar», tash e përshkruan Jezu Krishtin si socialist.

«Nuk mund të përgatitesh për të vdekur, por siç ka thënë Victor Hugo: dua të vdes duke jetuar»: Jean Ziegler, sociolog zviceran. Foto: Arte



Ky njeri nuk e ka gojën topall. Ai flet. Flet kundër padrejtësive. Kundër diktatorëve. Dikur fliste kundër Millosheviqit, tash kundër Asadit. Më së shumti ka folur kundër shtypjes së vendeve të botës së tretë nga sistemi kapitalist perëndimor. Kundër urisë në Afrikë. Kundër qeverive të ekstremit të djathtë në Amerikën Latine. Kundër korrupsionit. Edhe kundër korrupsionit në Zvicër. Jean Ziegler është një politikan zviceran që nuk i lë të qetë bashkëkombësit e tij. Sociolog, profesor shumëvjeçar në Universitetin e Gjenevës dhe në Sorbonne të Parisit, kritik i globalizimit, deputet me disa mandate i Partisë Socialdemokrate në Parlamentin e Zvicrës, këshilltar i OKB-së për të drejtën për ushqim, mik i Jean-Paul Sartre, adhurues i Che Guevares dhe Kubës, folës (dikur) në demonstrata të shqiptarëve në Gjenevë – Jean Ziegler është një majtist gjuhëmprehtë, i larë me të gjitha ujërat.

Që në vitin 1990 gazeta gjermane «Die Zeit» shkruante se Ziegler e sheh veten si avokat të popullit kundër qeverisë, ai është i interesuar që makineria e burokracisë të kërcasë, për të Zvicra është një Disneyland i bankave me trezorë të Ali Babës, ai godet oligarkinë ekonomike, e quan Zvicrën një hon grabitësish, bashkëpunëtore të mafies dhe një Shqipëri alpine të korruptuar. Sidomos sharja e fundit tingëllon mjaft origjinale. Nuk mund ta marrësh tamam seriozisht, por as ta hedhësh poshtë. Për Jean Zieglerin Zvicra është një vend i pushtuar nga kriminelët e drogës, nga shpirtrat e mjerë, nga oborrtarët e ngopur dhe të ngathët. «Krimi ndërkombëtar sundon këtu – deri në nivelet më të larta».

Kundër këtij «sistemi» Ziegler ka shkruar dhjetëra libra. Nganjëherë nuk ia ka qëlluar fare, por s’ka gjë, me rëndësi që ai ka qenë i bindur se morali ishte përherë në anën e tij, madje edhe atëherë kur nuk ishte, për shembull kur demonstronte afërsi jokritike edhe me diktatorë, sepse mendonte se ata ishin çlirimtarët e botës. Më vonë i dëshpëruar shkëputej prej tyre. Por nëse Sadam Huseinin dikur e ka përkrahur edhe Washingtoni, përse të gjykohet vetëm Jean Ziegler. «Një sistem besimi i fortë si çeliku» – kështu e quan Ziegler filozofinë e tij.

Njëra nga cilësitë e mëdha të intelektualëve të vërtetë është se nuk jetojnë në kafazin e tyre mendor, por janë të hapur për tema të reja. Në numrin e së shtunës të gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» Ziegler ka folur për – fenë! Ai thotë se e ndjen praninë e të vdekurve, se zhvillon biseda me nënën e tij të vdekur qëmoti, thotë se këtu ka diçka empirike. Këto mendime të tij do të mund të hidheshin poshtë, të përqesheshin, por ato janë vetëm koketime të Zieglerit me një botë, të cilën, siç e pranon, nuk e njeh, sepse askush nuk është kthyer në këtë botë pasi ka vdekur. Për vdekjen ai thotë: «Vdekja është një skandal! Por ajo i jep jetës unikalitetin e saj. Asnjë moment nuk do të kthehet. Në Salvador de Bahia në Brazil në fasadën e kishës së françeskanëve shkruan: <Të gjitha orët lëndojnë, e fundit vret>. Nëse nuk do të ekzistonte fundi, nuk do të kishte përgjegjësi, as kreativitet, as vullnet për jetë. Për trupin vdekja është e natyrshme, ripërtëritja e qelizave të trupit bëhet gjithnjë e më e ngadalshme».

Për këtë arsye Sartre e ka quajtur vdekjen vrasje. Por njeriu jeton në një formë. Që nga Homo sapiensi i parë para 2,8 milionë viteve para Krishtit mbi tokë kanë jetuar 85 miliardë njerëz – por asnjëri nuk i ka pasur gjurmët e njëjta të gishtërinjve. Çdo njeri është unik dhe i tillë do të mbetet edhe pas vdekjes. A mund të jetë një majtist besimtar? «Unë i përmbahem Victor Hugosë: i urrej të gjitha kishat, i dua njerëzit dhe besoj në zot». A mund ta adhuroj një majtist Papën? «Ky Papë», thotë Ziegler, «është një mrekulli e vërtetë! E dyta mrekulli krahas Antonio Gueterresit, sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB-së. Gueterres, një katolik majtist portugez me shtatë fëmijë, ka punuar në lagjet e varfra të Lisbonës, para se ta merrte Kofi Annani në Komisariatin e Lartë për Refugjatë. Papa, ndërkaq, bashkë me një gazetar italian shkroi një libër, ku një kapitull ia kushton asaj miliarde të njerëzve, të cilët në rendin kanibalist botëror shikohet si <bërllok>, sepse ata nuk janë të nevojshëm». Një majtist si Ziegler nuk e adhuron vetëm Papën, por edhe Leninin dhe Jezu Krishtin. Lenini, sipas Ziegler, nuk është përgjegjës për tradhtinë që Stalini ia bëri komunizmit. «Që në vitin 1922 Lenini pati një sulm në tru. Kur më 1903 vizitoi bibliotekën e qytetit në Gjenevë, ai la shënime në libra të ndryshme. Për shembull te kjo pjesë e tekstit të Ernst Renanit: <Krishti erdhi në këtë botë për të shkatërruar pasurinë dhe pushtetin, jo për ta përvetësuar atë>. Krahas kësaj Lenini shkroi: <Këtu gjendet socializmi i vërtetë>». Jezusi socialist?

Ziegler kritikon shoqëritë perëndimore për injorimin e traditës, për tabuizimin e vdekjes, për trajtimin e njeriut vetëm si mall, si diçka që ka vlerë vetëm nëse konsumon. A ndihet fajtor një sociolog i famshëm për gjërat që nuk ka mundur t’i bëjë? «Ne sot kemi shumë më tepër pasuri se ç’na duhet – nëse do ta dhuronim, do të shpëtonim shumë jetë». «Të bardhët përbëjnë vetëm 13 për qind të popullsisë së botës dhe sundojnë këtë planet qe 500 vjet me mjetet më kriminale: skllavëri, kolonializëm, kapitalizëm, globalizim. (…) Nuk mund të përgatitesh për të vdekur, por siç ka thënë Victor Hugo: dua të vdes duke jetuar. Do ta luftoj deri në fund të jetës këtë rend kanibalist botëror.