Do dëshiroja

Foto: Shutterstock



Do dëshiroja që t’i thosha ty
Më t’ëmblat fjalë, që mund të thuhen;
Po nuk guxoj, kam frikë mos më tall.
Prandaj, më mirë tallem me vetveten
Dhe e mbyt të fshehtën time në shpoti
Un‘ e përbuz dhe vetë vojtjen time
Nga frika se mos ma përbuzësh ti.

Do dëshiroja të t’i thosha ty
Më të vërtetat fjalë që thuhen;
Po nuk guxoj; kam frikë se s’beson,
Prandaj i vesh me rrobën e gënjeshtrës
Dhe flasë të kundërtën nga sa mendoj.
Unë vetë e quaj si të kotë vojtjen
Nga frika mos ma quash ti të kotë.

Do dëshiroja të t’i shprehja ty
Gjith‘ fjalët më të çmueshme që shprehen;
Po nuk guxoj, kam frikë se s’i çmon,
Prandaj të flas me kaq rreptësi
Dhe mburrem për fuqinë time t’egër
Të bëj të vuash ti, sepse kam frikë
Që s’e ke ditur kurrë ç’është dhëmbja.

Do desha të rri heshtur pran teje;
Po nuk guxoj nga frika se mos zëmra
Më del nga vëndi e më vjen në buzë,
Prandaj prallos e llomotit më kot
Edhe e fsheh pas fjalëve zëmrën time.
Un‘ vetë s’e përfill më dhëmbjen time
Nga frika se mos ti nuk ma përfill.

Do desha që të shkoja largë prej teje;
Po nuk guxoj ta bëj sepse kam frikë
Mos marrësh vesh paburrërinë time,
Ndaj kokën e mbaj lart me krenari
Dhe dal përpara teje i çkujdesur;
Po heshtat, që lëshojnë syt‘ e tu,
Ma mbajnë plagën hapur përherë.