Ditë të mira për budallenj, ditë të mira për votues

Askënd nuk mund ta ndalësh të flasë budallallëqe – sidomos jo gjatë fushatës elektorale. Por, ka një mundësi për t’u ballafaquar me marrëzinë: duke i tallur ata që fyejnë mendjen e shëndoshë të votuesve dhe duke votuar kundër tyre.

Ilustrimi: Shutterstock



Natyrisht që në Kosovë ka gazetarë, publicistë dhe analistë politikë të mirë. Të mirë domethënë të dobishëm për shoqërinë. Nganjëherë këta kontribuues të debatit publik i shohim edhe në televizion, i lexojmë në gazeta, në portale serioze, në revista. Por, tani që faktikisht ka filluar fushata elektorale dhe vrapi i stuhishëm i politikanëve dhe militantëve partiakë për t’ia hedhur miletit edhe njëherë, zërat racionalë mbulohen nga zhurma e anonimusëve me ambicie të mëdha. Që nga rrëzimi i qeverisë në parlament para dy javësh shihet një mobilizim i përgjithshëm edhe i mediave për të pasqyruar zhvillimet politike. Një mobilizim në të shumën e rasteve fisnik, por shpeshherë pa ndonjë rezultat.

Me ndonjë përjashtim lavdërues, çfarë ka parë publiku dhe çfarë ka përfituar nga debatet pothuaj 24-orëshe në studiot televizive apo në studiot e Facebookut? Goditje, shpërthime, sulme – të ashpra dhe shumë të ashpra -, vërsulje, turr, përplasje, shuplaka, flakaresha, klithma, pëlcitje, thirrje, britma, çirrje, uturima, ulërimë, ushtima, buçimë, fjalë vulgare, gjuhë fekaliesh, ngërdheshje, kërcënime, inate, zemërim, egërsim, hakërrim, gërmushje, shpifje, gënjeshtra, sajime, shpikje, deformim të së vërtetës, shtirje, viktimizime qesharake, grimasa, përbuzje, neveri, jargavitje, shkumëzime.

Përse po i bëjnë e po i thonë të gjitha këto? Për (të ruajtur) një copë pushtet! Këto janë ditë të mira për budallenj. Siç dihet guximi i budallait është i pakufishëm. Që budallai e merr veten në qafë, kjo atij s’i bie në sy, por a duhet edhe mediat t’i hapin studiot lloj-lloj protagonisti, militanti e qaramani partiak? Mos diskutoni kurrë me një idiot, sepse ai ju tërheq në nivelin e tij dhe ju mposht me përvojë. E ka thënë një autor amerikan. Ndërsa një tjetër, po ashtu amerikan, ka shtuar: mos diskutoni kurrë me një budalla; bën vaki që shikuesit nuk e vërejnë dallimin. Me rëndësi është që dallimin mes të keqes dhe të mirës qytetarët po e vërejnë gjithnjë e më shumë. Po rrëzohen mite, po hiqen maska, po hidhen idhuj të paqenë në bërllok. Askënd nuk mund ta ndalësh të flasë budallallëqe – sidomos jo gjatë fushatës elektorale. Por, ka një mundësi për t’u ballafaquar me marrëzinë elektorale: duke i tallur ata që fyejnë mendjen e shëndoshë të votuesve dhe duke votuar kundër tyre.

«Pa marrë parasysh çfarë ndodhë, askush nuk mund të t’i marrë vallet, të cilat i ke vallëzuar», thoshte Gabriel Garcia Marquez. Kjo vlen edhe për shumë persona të kyçur në politikën e Kosovës këto ditë. Nëse deri më tash kanë vallëzuar kundër sistemit të korruptuar dhe tani vallëzojnë brenda sistemit, atëherë pikësëpari këta njerëz kanë një problem me vetveten, me moralin dhe idealet që kanë përfaqësuar. Në vallen e re po bien në sy si valltarë të dobët. E valles së vjetër s’mund t’i kthehen më. Kjo është drama personale e këtyre njerëzve. Mirëkuptim nga opinioni publik s’mund të kërkojnë. Por, së paku mund të kërkojnë falje që s’po ia dalin ta argëtojnë miletin me vallen e re. Kosova nuk ka kohë për valle të vjetra.

Sepse vallja e vjetër domethënë vazhdim i papunësisë, vazhdim i izolimit, vazhdim i stagnimit ekonomik, vazhdim i aferave korruptive, vazhdim i shitjes skandaloze të resurseve shtetërore, vazhdim i pazareve nëntokësore me pasuritë publike, vazhdim i privatizimeve të paligjshme, vazhdim i nepotizmit, vazhdim i «vetëvrasjeve» të dyshimta, vazhdim i vrasjeve që s’sqarohen kurrë, vazhdim i politikës së tenderëve që shpërndahen për interesa të një tarafi politik, vazhdim i shkatërrimit të së ardhmes, vazhdim i degradimit të sferës kulturore, arsimore, shëndetësore, vazhdim i arrestimit të njerëzve pa fakte, vazhdim i vjedhjeve aq spektakulare si vjedhja në dhomën e dëshmive të Policisë së politizuar të Kosovës, vazhdim i avancimit në karrierë të gjykatësve dhe prokurorëve që do të duhej të ishin ose jashtë sistemit të drejtësisë ose në burg, vazhdim i qeverisjes së qyteteve të Kosovës me kryetarë të dënuar, vazhdim i pengimit të qytetarëve për të marrë pjesë në garën demokratike (shembulli i KQZ-së dhe pengimi i diasporës për të votuar është vetëm një shembull neveritës).

Më 11 qershor vendoset: e duan qytetarët këtë vazhdim të rrugës drejt humnerës apo duan të hapin një kapitull të ri, ku politika kuptohet si shërbim dhe jo si ambicie e ulët për të gjetur strehë diku në politikë sa për të marrë një rrogë? Në fillim të qershorit të vitit të largët 1878 krerë të të gjitha krahinave shqiptare u tubuan në Prizren për të krijuar një Shqipëri autonome. Ata njerëz u udhëhoqën nga motivet e lirisë, mëvetësisë dhe dëshirës për paqe e mirëqenie. Rrethanat historike qenë aq të pafavorshme dhe rezultatet e Lidhjes së Prizrenit dolën gjysmake. Atëherë demokracia ishte larg viseve shqiptare dhe mbi kokat e shqiptarëve vringëllinte kamxhiku osman. Më 11 qershor 2017 rrethanat janë më ndryshe, më të favorshme. Ekziston shansi që me fuqinë e votës Kosova të tregojë shpirtin e saj kryengritës.