Dita e parë e punës e zëvendësministrit

Një protestë me shkas. Ose ndoshta më mirë: një skeç mbi atmosferën në kthinat e pushtetit.




«Ku e kam kravatën?», pyeti zëvendësministri.
«Cilën kravatë?», pyeti bashkëshortja e tij.
«Atë kravatën që e kam bartur rreth qafës. Atë kravatën liberale», tha zëvendësministri.
«Ku i kam çorapët?», u ngërmua zëvendësministri.
I hutuar nga gëzimi pas emërimit, zëvendësministri nuk bëri asnjë sy gjumë, u rrotullua në shtrat disa herë, njëherë në krahun e majtë, pastaj në të djathtë, ia futi një pordhë dhe brofi nga shtrati.

***

Duke u ngutur për të shkuar në punë, zëvendësministrit i rrëshqiti brisku i rrojës dhe befas pa se nën hundë po i rridhte pak gjak. Ndërmori masat, ndërpreu disi gjakun, mallkoi gruan që e kishte shpërqendruar me pyetjen: «A e merr sot telefonin e ri?», piu një gotë raki, mbathi këpucët dhe mori rrugën. «E harrove kuletën», dëgjoi një zë të thekshëm. Ishte zëri i gruas së tij. «Hajt, këput qafën! S’më duhet kuleta më».

***

Eci nja 10 minuta drejt zyrës zëvendësministri. Herë shikonte anash, në mos, helbete, po e shihte dikush për t’ia uruar postin, herë shtrëngonte nyjën e kravatës. Kur s’pa njeri në qytet që do t’ia bënte për hair funksionin e ri, ngriti dorën për të parë sa është ora. U zemërua: orën e kishte harruar në shtëpi. U kthye. «O shkretan, a nuk e vërejte se dole nga shtëpia në orën 4 të mëngjesit. Po në këtë vakt as hoxha nuk çohet nga gjumi».

***

Fiks në orën 08:00 zëvendësministri u shfaq para selisë së Ministrisë. Nuk e dinte ku e ka zyrën, nuk e dinte nëse ka fare zyrë, nuk e dinte nëse ka asistent apo asistente, nuk e dinte ku gjendet ashensori, nuk dinte asgjë zëvendësministri. Ai vetëm e dinte se është zëvendësministri i pesëdhjetë apo i gjashtëdhjetë i qeverisë. E dinte se nuk ka asnjë punë për të bërë, por – hajt, hajt! – meqë qeveria po punëson zëvendësministra, përse të mos shprehte interes edhe ky.

***

Cubat morën vendim që edhe një cub ta bëjnë zëvendësministër. Populli i urtë po vëzhgon. Milet i matur. I qetë. Popull që bën gjumin rehat. Pi kafe. Ha qofte. Mos u bë merak për asgjë, i dashur milet. Të gjithëve – nga Ura e Mitrovicës deri te Kulla e Zhlepit – do t’ju bëjnë zëvendësministra. Në vendet e tjera të rajonit fundërrinat shtyhen me bërryla për t’u bërë pjesë e elitës, në vendin tonë as kjo s’është e nevojshme. Sepse populli duron. Duron kafkat katërkëndëshe.

***

Në ditën e parë të punës zëvendësministri dorëzoi këto kërkesa në administratë: Samsung (700 euro), «lloptop» (999 euro), kolltuk (599 euro), një laps dhe një gomë, një hartë dhe një glob. Kërkoi 10 asistente, tre shoferë dhe tre zëvendësshoferë. Nga këshilltarja e tij e parë dhe e sapo emëruar kërkoi një analizë mbi gjendjen e përgjithshme politike në Surinam dhe organizimin e një udhëtimi në Paramaribo, fluturimi Prishtinë-Frankfurt-Amsterdam-Paramaribo. Çmimi: 4200 euro. Por, zëvendësministri e ka një shprehi të keqe: nuk udhëton vetëm. Së paku dy këshilltarë duhet ta shoqërojnë (bileta: 8400 euro), plus shoferi. Jo që ka ndonjë punë, sepse avionët do t’i drejtojnë pilotët gjermanë dhe holandezë, por zëvendësministrit i duhet shoferi me vete për t’ia lidhur nyjën e kravatës.

***

Kështu disi nisi e përfundoi dita e parë e punës e zëvendësministrit. Në Surinam zëvendësministri do të shkojë tek pas 50 ditësh. Sepse në 50 ditët e ardhshme çdo ditë të lume ai do të takojë të gjithë zëvendësministrat e qeverisë. Ditën kur do të niset nga Aeroporti i Sllatinës për në Surinam zëvendësministri do t’ia fusë edhe një pordhë të madhe mbi këtë vend. Është mënyra më e preferuar e tij për t’iu falënderuar këtij populli shumë të durueshëm.