Dita 97 e Ramush Haradinajt

Haradinaj ende nuk ka prezantuar një program qeverisës. Por, me pak ndryshime sipërfaqësore, ai mund ta përdorë po atë program qeverisës të viteve 2004-2007.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeveritar. Foto: Atdhe Mulla



Dy ditë para se të votohej në Kuvend, profili i Ramush Haradinajt në Wikipedia në gjuhën angleze ishte ndryshuar, duke paralajmëruar se ai do ta fillojë punën si Kryeministër më 9 shtator. Kjo ‘profeci’ e Wikipedia-s doli e vërtetë: të shtunën Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryeministrin e ri. Për Ramush Haradinajn sot është dita e parë në postin e Kryeministrit, në mandatin e tij të dytë. Ose dita e 97 si kryeministër, duke llogaritur 96 ditët e qeverisjes së tij para 13 vitesh. Për herë të parë, Haradinaj u zgjodh Kryeministër më 3 dhjetor 2004, për ta mbyllur mandatin më 8 mars 2005, pas akuzave të Gjykatës së Hagës.

Kur u zgjodh kryeministër në moshën 36 vjeçare, Haradinaj ishte një ndër kryeministrat më të ri në Europë; kurse sot, mosha e tij 49 vjeçare është e pakta që mund të bëjë lajm rreth tij. Kur u zgjodh kryeministër për herë të parë, Haradinaj mori 72 vota. Kur u zgjodh kryeministër për herë të dytë, ai mori 61 vota, numri më i vogël i votave që një kryeministër ka marrë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës, përkundër asaj se koalicioni qeverisës përbëhet prej numrit më të madh të partive që kanë formuar qeverinë ndonjëherë, plot 22 sosh.

Me 11 deputetë sa kishte AAK-ja më 2004, përveç postit të Kryeministrit, ajo udhëhoqi edhe me 30% të ministrive, apo 4 nga 14 ministri sa kishte qeveria e atëhershme. Sot, partisë së Haradinajt i takojnë 9% e ministrive, apo dy nga 21 ministri, po aq sa i takojnë edhe një individi i cili nuk ka marrë fare pjesë në zgjedhje, Dardan Gashi, i cili do ta mbajë postin e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Përveç kësaj, tre nga ministrat në Qeverinë Haradinaj, ata që përfaqësojnë Listën Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet, dhe rrjedhimisht nuk mund ta njohin as z. Haradinaj si kryeministër të një vendi sovran. Kurse katër ministra të tjerë, sipas marrëveshjes në mes të koalicionit PAN me AKR-në, nuk mund të shkarkohen në pa pëlqimin e kryetarit të AKR-së.

Tani e 13 vite, Ramush Haradinaj dhe AAK presin rikthimin ne krye të qeverisë. «Me Ramushin Kryeministër» AAK ka garuar në zgjedhje edhe kur ai ndodhej në burgun e Hagës. Në vazhdimësi AAK ka përsëritur se «100 ditshi» i qeverisjes Haradinaj ka qenë më i suksesshmi në historinë e ekzekutivit kosovar. Por, a ishte Haradinaj një kryeministër i suksesshëm? Nëse vlerësojmë qeverisjen e tij, a duhet t’i vlerësojmë vetëm ato 96 ditët sa ishte në krye të qeverisë, apo edhe 984 ditët tjera pas dorëheqjes së tij, kur qeverisjen e vazhduan bashkë-partiakët?

Programi qeverisës 2004-2007 i Qeverisë Haradinaj kishte marrë aprovimin e Kuvendit të Kosovës më 21 dhjetor 2004. Programi përmbante ato pika të cilat i përmban çdo program qeverisës tani e 16 vite, se rritja ekonomike do të rritet në 7% në vit, do të ndërtohet termocentrali i ri me kapacitet prej 1000 MW, do të gjenerohen vende të reja të punës, vendi do ta zgjidhë statusin final dhe do të anëtarësohet në strukturat euroatlantike.

Që në muajin e parë të qeverisjes Haradinaj ishin shfaqur dyshime dhe akuza për keqpërdorim të fondeve publike. Në dhjetor 2004 u shpenzuan 160 milionë euro, çfarë e shtyu Fondin Monetar Ndërkombëtar që ta kritikojë qeverinë për shpenzime pa kriter. Qeveria Haradinaj kishte vënë synim që t’i aprovojë rreth 102 ligje që në vitin e parë, por në tërë mandatin tre vjeçar ishin aprovuar vetëm 79 ligje, numri më i vogël i ligjeve të aprovuara gjatë një mandati qeverisës.

Përveç dështimeve të shumta në realizmin e programit qeverisës dhe atij legjislativ, Qeveria Haradinaj përbëhej nga njerëz jo kompetentë në qeverisje. Që në ditët e para, Bujar Bukoshi kishte hedhur akuza se zëvendëskryeministri Adem Salihaj kishte paguar 180 mijë euro për postin e tij dhe këtë pagesë ua kishte bërë grupeve mafioze të cilat kontrollojnë LDK-në, po të njëjtat grupe të cilat u angazhuan edhe më 2017 që të siguronin votat e deputetëve për Haradinajn. Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishte zgjedhur Astrit Haraçia, i cili që në ditët e para kishte filluar shpenzimin e buxhetit pa asnjë kriter, apo siç ishte shprehur ai vetë se “i ka shpenzuar paret e babës, e s’po i shpenzon të qeverisë”. Për keqpërdorimet e tij sa ishte ministër i MKRS, Haraçija kishte shpëtuar pa u dënuar vetëm falë neglizhencës së gjykatave pasi lënda e tij u parashkrua. Pas dorëzimit të Haradinajt në Hagë në mars të 2005, qeveria e drejtuar nga bashkëpartiakët e tij ishte një ndër qeveritë me numrin më të madh të skandaleve, keqpërdorimeve e krimeve. Prej asaj periudhe qeverisëse, AAK nuk arriti që ta pastrojë imazhin e saj për këto 13 vite.

Haradinaj ende nuk ka prezantuar një program qeverisës. Por, me pak ndryshime sipërfaqësore, ai  mund ta përdor po atë program qeverisës të viteve 2004-2007. Edhe ashtu, Kosova asnjëherë nuk pa pasur rritje ekonomike vjetore 7% në vit, ashtu siç premtonte Haradinaj më 2004. Edhe ashtu, në fushën e energjisë nuk ka pasur asnjë zhvillim që nga paslufta, përveç asaj se dy termocentralet janë për 17 vite më të vjetra. Edhe ashtu, numri i të papunëve është në shkallë të njëjtë më atë të vitit 2004, ashtu siç nuk ka ndryshuar asgjë as në shëndetësi, arsim e shumë fusha tjera.

Por, Haradinaj i vitit 2017 do të ketë punë shumë më të vështirë se sa Haradinaj i 2004. Qeveria që do ta udhëheqë ai është një qeveri e cila nuk i jep askujt llogari, as atij si Kryeministër. Në qeverinë e Haradinajt të vitit 2017 fusha e zhvillimit ekonomik është shkapërderdhë në tetë ministri të ndryshme të cilat do të udhëhiqen nga ministrat e shtatë partive të ndryshme. Mbetet të shihet nëse mandati i dytë i Haradinajt do të jetë më jetëgjatë se sa mandati i tij i parë.