Diskutohet draft-rregullorja për Fondin e Sigurimeve shëndetësore

Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, u mbajt sot në Ministrinë e Shëndetësisë takimi i dytë i Këshillit Përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.




Në këtë takim, anëtarët e Këshillit kanë diskutuar draft -Rregulloren për punën e këtij Këshilli, e cila pas finalizimit do të dërgohet në ndërkohë për miratim në Qeverinë e Kosovës si dhe janë diskutuar hapat e deritanishëm në themelimin e Fondit dhe procesit të implementimit të sigurimeve shëndetësore, njofton kumtesa ministrore.

Nga Rrahmani dhe përfaqësuesit e Agjencionit të Financimit të Shëndetësisë u kërkua mbështetja edhe e ministrive të tjera në zhvillimin e hapave të tjerë për implementimin e sigurimeve shëndetësore, u konfirmua hartimi i Udhëzimit Administrativ për mbledhjen e premiumeve shëndetësore, ngritja e komponentit të Sistemit të Informimit Shëndetësor për sigurimet shëndetësore dhe punë të tjera në proces, transmeton Koha.net.

Ministri i Shëndetësisë kërkoi angazhimin e të gjitha palëve në sigurimin e kushteve të nevojshme me qëllim që procesi përgatitor për fillimin e mbledhjes së premiumeve të zhvillohet normalisht, ndërsa baza e të dhënave të nevojshme të popullohet nga MSH, ministritë dhe agjencionet e tjera.