Diskriminim i mirëseardhur?!

Për një muaj Evropa do të sillet rreth topit të futbollit. Ai do të jetë dielli që do ta ngrohë shpirtin e adhuruesve të sportit, do ta caktojë agjendën e tyre, do t’i arratisë ata nga rutina e përditshmërisë në një botë plot emocione. Një mejdan në të cilin kombe të mëdha dhe të vogla si rrallë ndonjëherë e shikojnë njëra-tjetrën nga e njëjta lartësi, pa kushte, pa kurthe, pa kërcënime, pa tankse, nëndetëse dhe avionë – pa shumica dhe pakica… Një shesh ku kundërshtarët e dikurshëm dhe aktualë ndeshen me të drejta të barabarta, 11 me 11 burra dhe porta njëlloj të gjëra dhe të larta. Ku ngadhënjyesit dhe humbësit si në asnjë log tjetër në fund i ndërrojnë fanellat në shenjë kujtimi; ku dhjeta këmbehet lirisht me dyshin… Kjo magji i ka rrëmbyer edhe shqiptarët, që janë ndër më të reprezentuarit në Kampionatin Evropian të Futbollit. Ata deri më tani e kanë dhënë lojën e parë në historinë e këtij turneu. Ndërkohë në kuadër të një skuadre tjetër e kanë shënuar edhe golin e parë.

Sikur çdo garë tjetër, edhe ky kampionat e ka tensionin e tij. Sidomos mediet zvicerane po merren me dilemat që ka emigracioni i shqiptarëve në Zvicër për faktin që thelbin e Kombëtares së Zvicrës e përbëjnë gjashtë lojtarë shqiptarë, kurse për Kombëtaren e Shqipërisë luajnë njëmbëdhjetë lojtarë nga Zvicra: me kë është ky emigracion, sa lojalë janë këta qytetarë, përkatësisht sa identifikohen me Zvicrën? Në këndvështrimin tim, dy janë konvencionet e tifozllëkut: Në njërën anë njerëzit për inercion e adhurojnë kombëtaren e tyre, kurse në anën tjetër për pasion rreken pas skuadrës, që për mendimin e tyre përfaqëson vlerat më të mira të sportit. Në rastin e një dileme si puna e shqiptarëve të Zvicrës, ata mund të rreshtohen me inercion, ashtu si ndihen më tepër. Apo nëse vërtet janë të pasionuar pas futbollit, dilemës mund t’i qasen me profesionalizëm, duke u solidarizuar me atë skuadër që ngërthen cilësi më të mira sportive. Fundja, dhe kjo është më e rëndësishme të shihet, e tëra është thjesht një lojë. Sido që të sillen ata nuk do ta rrezikojnë bashkëjetesën në Zvicër.

Mediet zvicerane merren sidomos me konfliktin e brendshëm identitar të vetë lojtarëve shqiptarë në Kombëtaren e Zvicrës, ata druajnë se ky fakt mund të reflektojë në performansën e tyre. Rasti i Granit Xhakës në një ndeshje me Shqipërinë para pak vitesh gati degjeneroi në një aferë, kur komentatori e vuri në dyshim sinqeritetin e lojës së tij. Pavarësisht nga kjo, konflikti është evident – e pranojnë edhe vetë lojtarët. Rasti i Xhakëve është shembulli më paradigmatik i këtij ndërlikimi, kur njëri vëlla angazhohet për Zvicrën, ndërsa tjetri për Shqipërinë. Gjysma e dhjetëra artikujve të këtyre ditëve në mediet gjermanofolëse u referohen Xhakëve. Futbollistët shqiptarë të Kombëtares zvicerane e kanë tërë simpatinë e komunitetit të emigrantëve shqiptarë për përcaktimin e tyre. Do të ishte joshqiptare që ata ta braktisnin Zvicrën, e cila është më e merituar për statusin e tyre në futboll. Konfliktin e brendshëm të këtyre lojtarëve, në fakt e acaron presioni i tifozerisë shqiptare në përgjithësi, e cila me inercionin e saj pret që ata në këto momente të promovimit të Kombëtares shqiptare të bëhen «kalë troje» i saj. Dhe, djemtë e devotshëm shqiptarë të Kombëtares zvicerane e ndiejnë të nevojshme të rrëfejnë për përvojat e hidhura me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Në këtë kontekst, këta futbollistë, por edhe emigracionin shqiptar dhe tifozerinë shqiptare e presin momente të trazuara. Lajmet e mira nuk vijnë vetëm. Ndoshta jo shumë larg në arenën e sportit ndërkombëtar do të katapultohet edhe Kosova, kjo do t’i thellojë për një kohë këto dilema identitare. Me sa është raportuar, futbollistët shqiptarë të Kombëtares zvicerane nuk do ta braktisin Zvicrën. Për këtë ata e kanë mirëkuptimin e plotë të komunitetit shqiptar këtu. Këto konflikte do të amortizohen me relativimin e identitetetve – ndryshimin e gjeneratave, me forcimin e futbolli shqiptar…, por situatat e ballafaqimeve brendakombëtare do ta përbëjnë një kafshatë që shqiptarët do të duhet ta kapërdijnë nganjëherë, sado me vështirësi.

E dëgjuam edhe një herë pas lojës së para dy-tri ditëve ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës: Xherdan Shaqiri me shokë kishin aplikuar në Kombëtaren e Shqipërisë. Përse? Një gjë më mungon në raportimin kaq të gjerë të medieve zvicerane për hisen shqiptare në futbollin zviceran. Nuk ka një interesim lidhur me përhapjen kaq të madhe të futbollit te shqiptarët në Zvicër. Janë pesë-gjashtë yje që e përbëjnë thelbin e Kombëtares zvicerane, dyfishi i këtyre është eksportuar në Kombëtaren shqiptare, dhjetëra të tjerë spikatin nëpër skuadrat e ndryshme të Zvicrës, qindra – ndoshta mijëra – stërvitin nëpër klubet lokale të futbollit në Zvicër. Talente shqiptare të futbollit po shfaqen aty-këtu edhe në vende të tjera të Perëndimit, si Gjermania e Belgjika, megjithatë entuziazmi i shqiptarëve për futbollin nuk krahasohet me atë të Zvicrës. Ndërkohë që as Zvicra dhe as shqiptarët nuk kanë ndonjë inventar të madh të traditës së futbollit!

Dhe, mendja më shkon pak për mbrapsht: Them se mos ky dedikim lidhet ndopak me përvojat diskriminuese dhe refuzuese të shqiptarëve në tregun e punës në Zvicër. Një fakt i hidhur që është mbështetur pothuajse vazhdimisht me studime empirike. Ndoshta aplikimi në Kombëtaren shqiptare mund të shihet edhe nga ky prizëm. Tani është gati e pamundur t’i ndjekësh gjurmët e këtij fenomeni, por me pak imagjinatë mund ta rekonstruojmë rrjedhën e ngjarjeve. Një gjeneratë e të rinjve të mbarë shqiptarë e zbuloi te futbolli një sferë të hapur të shoqërisë ku mund t’i shfaqte aftësitë dhe vitalitetin e saj. Sukseset e para në këtë fushë impresionuan komunitetin e administratorëve të sportit dhe i frymëzuan edhe të rinjtë e tjerë për të kërkuar te futbolli profesionin me të cilin do ta fitonin bukën, por edhe platformën për prestigj shoqëror. Ndërkohë kjo ka kaluar disi në kulturë dhe tani shqiptarët pothuajse e kanë në dorë futbollin në Zvicër. Evidentimi i këtij fenomeni nga mediet, për aq sa ai është i vërtetë, më intereson për mesazhin që ngërthen për opinionin: Duhet shembur paragjykimet ndaj shqiptarëve, sepse ata janë të aftë dhe të vyer.