Diplomati Yee: Presim që Ivanov të bëjë gjënë e duhur në Maqedoni

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Yee i cili aktualisht është në një tur në Ballkan, tha se presidenti maqedonas i kupton ato që priten prej tij në dhënien e mandatit te Zoran Zaevi për formimin e një qeverie të re.

Hoyt Brian Yee, Zv.ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Europën dhe Çështjet e Euroazisë. Foto: Shutterstock



Hoyt Brian Yee, Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Çështjet e Euroazisë, tha se beson se presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov «do të bëjë gjënë e duhur» dhe do t’i japë liderit të shumicës së re, Zoran Zaev, mandatin për të formuar një qeveri.

«Presidenti, me të cilin u takova dhe pata një diskutim shumë të mirë, i kupton pritshmëritë tona. Presim që qeveria, presidenti të bëjë atë që është e nevojshme sipas normave demokratike», tha Yee në një intervistë për Jeta në Kosovë, një program i BIRN në Kosovë.

I pyetur nëse mendon se Ivanovi do t’ia japë mandatin shumicës që u formua pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, Yee tha se ai beson se presidenti «do të bëjë gjënë e duhur në fund».

«Ne besojmë se do t’i japim mandatin koalicionit që ka shumicën në parlament, në mënyrë që të formohet dhe të fillojë zgjidhja dhe kalimi i reformave të nevojshme, në mënyrë që Maqedonia të mund të ecë përpara në rrugën e saj demokratike», tha ai.

Diplomati amerikan iu përgjigj çështjes së letrave të dërguara nga anëtarët e Kongresit në Departamentin e Shtetit, ku ngriheshin pyetje rreth politikave amerikane në Maqedoni, duke thënë se ky është një «proces shumë normal».

Disa senatorë të partisë republikane ngritën pyetje nëse paratë e taksapaguesve amerikanë po përdoren për të mbështetur aktivitetet e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të miliarderit Xhorxh Soros në Maqedoni.

«Disa nga letrat bazoheshin në disinformim dhe thashetheme, të cilat anëtarët e Kongresit kanë çdo të drejtë t’i përcjellin tek ne dhe të na pyesin nëse kjo është e vërtetë apo jo. Në shumicën e rasteve përgjigja është – kjo nuk është e vërtetë, ose [është] një keqkuptim», tha Yee.

«Emri i Xhorxh Sorosit shpesh përmendet si një lloj kodi [që nënkupton] se ka një komplot, ose plan më të gjerë të orkestruar nga zoti Soros, që thjesht nuk është e vërtetë», shtoi ai duke paralajmëruar se gënjeshtrat mund të «duken reale» përmes mediave sociale.

I pyetur rreth ndikimit të Rusisë në rajon, Yee tha se në disa raste ajo pengon paqen, duke dhënë shembullin e grushtit të supozuar në Malin e Zi gjatë zgjedhjeve në tetorit 2016.

«Me raste kemi parë ndërhyrjen… nga Rusia te këtë qenë shumë serioze dhe që mund të rrezikonte sigurinë dhe stabilitetin», tha ai, duke shtuar se shumica e qeverive në rajon janë të vetëdijshëm se Rusia po përpiqet të shtrijë këtë lloj ndikimi dhe po marrin masa për t’u pambrojtur.

Sipas tij, kur institucionet e vendit – gjyqësori, media, organet ligjore – janë të forta është më e vështirë për Rusinë apo forca të tjera në vend të kenë «ndikim keqdashës».

«Kemi pohuar që nga fillimi, shumë vitë më parë se mënyra më e mirë për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon është të ndihmohen vendet të integrohen në BE dhe NATO», tha Yee.

Ai i hodhi poshtë pretendimet se kryeministri serb i zgjedhur president së fundmi, Aleksandër Vuçiq po lejohet të sundojë si autokrat, për sa kohë përmbush disa detyrime ndërkombëtare.

«Nuk besoj se asnjë lider në Ballkan po merr një çek të bardhë, një kartë të bardhë nga asnjë diplomat amerikan apo europian», tha Yee.

I pyetur nëse e ka kritikuar Vuçiqin mbi kontrollin e tij ndaj medias gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit, Yee tha se në shumicën e rasteve mesazhet diplomatike janë private.

«Nëse konsultoheni me zotin Vuçiq dhe të tjerët, jam i sigurt se ata do të ishin të lumtur të citonin për ju rastet kur kemi bërë deklarata publike që qartësonin mosmarrëveshjet tona me qeveritë», tha Yee duke shtuar se e kundërta është gjithashtu e vërtetë.

«Liderët e këtij rajoni nuk druhen të na thonë kur nuk janë dakord me ne, publikisht apo privatisht. Kjo është një lloj dialogu që ne e mirëpresim. Ne presim komunikim të sinqertë, transparent dhe të ndershëm, qoftë në publik dhe privat», tha ai.

Yee gjithashtu tha se çdo qeveri në Ballkanin Perëndimor në një pikë ka treguar cilësi lidershipi, duke marrë masa që nuk ishin të thjeshta por kanë qenë të nevojshme.

(https://www.reporter.al/diplomati-yee-presim-qe-ivanov-te-beje-gjene-e-duhur-ne-maqedoni/)