Diplomaci për debilla

Skandali me shoferin e Konsullatës së Kosovës në New York është vetëm kulmi i shumë aferave në Ministrinë e Jashtme. Qeveria e re duhet të pastrojë pamëshirshëm ahurin diplomatik të Kosovës.

Ilustrimi: Shutterstock



Si asnjë shtet në Europë Kosova ka nevojë për imazh të mirë në botë. Si asnjë shtet në Europë Kosova duhet të ketë imazh të mirë në botë. Si asnjë shtet në Europë Kosovës i duhet imazhi i mirë për të konsoliduar shtetësinë e saj ende të parrumbullakuar. Si asnjë shteti në Europë Kosovës i duhen zyrtarë të ndershëm – nga ofiqari deri te diplomati, sepse çështja e Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht, pavarësia e Kosovës ende nuk e ka marrë kuptimin e plotë. Këtë kuptim ajo e merr kur Kosova të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kur flamuri i saj (edhe i tillë siç është) do të valojë para selisë së OKB-së, në mesin e vendeve anëtare.

Gjasat që kjo të bëhet realitet së shpejti duken të zbehta, duke pasur parasysh mënyrën si dhe nga kush përfaqësohet Kosova në botë. Në New York Kosova prej vitesh është përfaqësuar edhe nga një shofer delikuent me simpati për aktorët e filmave mafiozë. Pothuaj të gjithë e kanë ditur këtë, sidomos diplomatët. Ndonjëri prej tyre është përpjekur ta largojë nga puna këtë zyrtar dhe ka dështuar, sepse shoferi kishte më shumë fuqi se, ta zëmë, shefi i konsullatës. Fuqia e tij ishte në Prishtinë, ajo buronte nga krerët e pushtetshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, në jetëshkrimet e të cilëve shquhen sidomos dy profesione: udhëheqës të grupeve kriminale apo shërbëtorë të grupeve kriminale.

«Insajderi» njofton se zyrtari i konsullatës kosovare u arrestua bashkë me vëllain e tij dhe disa shokë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar të trafikut të drogës e armëve. Ai u paraburgos nën akuzën se ka bërë pastrim parash përmes trafikimit të narkotikëve dhe shitje të armëve. Dyshohet se shoferi, së bashku me një tjetër shtetas amerikan i akuzuar për veprën e njëjtë, kanë krijuar një skemë të paligjshme të pastrimit të parave, përmes shitjes së drogës. Shoferi kishte ndihmës edhe katër kosovarë të tjerë. Ata kishin bërë pastrim parash në vlerë prej 800 mijë dollarë. Shoferi është akuzuar edhe për shitjen e një arme AK-47, një rakete antitank M80 dhe një zolle të pajisur me një raketë 64 milimetër.

Ky është mbase skandali më i madh në diplomacinë e Kosovës që nga themelimi i MPJ-së në vitin 2008. Skandali është një dhuratë e helmuar në prag të 10-vjetorit të punës së MPJ-së – një dhjetëvjetor i shoqëruar me dhjetëra skandale. Shoferi i arrestuar ka kontratë pune në konsullatë nga viti 2012. Dhe për opinionin kosovar është me rëndësi të dihet se kush ia ka nënshkruar kontratën. Ajo që ka hedhur firmën për ta marrë në punë si shofer një të dyshuar për aktivitete mafioze quhet Arta Rama, atëbotë konsulle e Kosovës në New York dhe – falë lidhjeve me PDK-në – prej vitesh kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Pas këtij skandali të madh e udhës do të ishte të japin dorëheqje menjëherë Arta Rama, por edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Gjasat për një akt të tillë janë të vogla, sepse si të gjithë militantët partiakë edhe këta të dy do të përpiqen ta heshtin këtë aferë, duke shpresuar se opinioni i Kosovës, i bombarduar për çdo ditë me skandale, do të harrojë. Është shumë e qartë se nuk mjafton që shoferit tashmë të arrestuar t’i ndërpritet marrëdhënia e punës. Tash është momenti i fundit që eprorët e tij të tanishëm dhe të dikurshëm të japin përgjegjësi.

Ministria e Jashtme është shndërruar në një fole banditësh partiakë, të cilët ua bëjnë jetën ferr edhe atyre pak diplomatëve të mirë që ka Kosova. Në këtë fole krimi më i vogël janë zënkat fizike mes diplomatëve, keqpërdorimi i makinave zyrtare, intrigat, mospagesa me kohë e qirave nga MPJ, masakrimi i buxhetit, nepotizmi dhe emërimi në poste diplomatike i pronarëve të restoranteve si shpërblim për drekat dhe darkat që kanë shtruar për politikanët e uritur të Kosovës.

Qeveria e re duhet t’i japë fund kësaj praktike dhe të pastrojë pamëshirshëm ahurin diplomatik të Kosovës para se ky dikaster të shndërrohet në sektor të grupeve mafioze që me puro dhe me pasaporta diplomatike turpërojnë një shtet të tërë.