Dinjiteti stoik i shqiptarëve të moshuar në Zvicër

Një takim kreativ në ambientet e Institutit Zviceran për Studime Shqiptare. U prezantua dhe u diskutua studimi mbi moshën e tretë te shqiptarët në Zvicër.

Fotot: Arsim FERIZI & Migjen KAJTAZI



Mbrëmja e 13 nëntorit 2014 në lokalet e Institutiti Zvicran të Studimeve Shqiptare në qytetin e Lozanës, mblodhi një numër të konsiderushëm të profesionistëve në një temë që nuk është trajtuar aq sa duhet në shtypin dhe studimet e ndryshme. Qoftë nga shqiptarët, apo nga zyrat dhe institutet e ndryshme zvicrane. Gjersa lidhur me moshën e tretë, persona mbi 65 vjeç, që prek komunitetet e huaja të pranishme në Zvicër me numër të madh si spanjollët, italianët apo portugjezët ka studime dhe hulumtime shkencore, kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar edhe pse ka vite i pranishëm në Zvicër, dhe atë me numër të madh, nuk kemi pasur punime shkencore apo hulumtime të mirëfillta dhe komplete.

Punimi shkencor i Kujtim Shabanit lidhur me të moshuarit shqiptarë është fillimi i qartë i marrjës me ketë çështje që prek çdo familje shqiptare, jo vetëm në Zvicër. Konferenca filloi me përshendetjen e Driton Kajtazit, Drejtor i Instituti Zvicran të studimeve shqiptare – ISEAL, porositësit të punimit në gjuhën gjermane. Kajtazi u ndal në rëndesinë e punimit dhe dëshiren e ISEAL-it për të filluar punën në zyrat dhe lokalet e reja me temën e të moshuarëve dhe elanin e integrimit të të moshuarëve që rrjedh nga dëshira për të respektuar gjeneratën e parë të shqiptarëvë të ardhur në Zvicër në vitet ’60-ta dhe vënien në pah të sakrificës së tyre.

Fjala e mentorit

Të ftuarit i përshendeti gjithashtu doktor i psikiatrisë, Regis Marion – Veyron, anëtar i komitetit i ISEAL-it dhe njëherit pjesëmarrës në punimin shkencor. Konferenca vazhdoi me marrjen e fjalës nga protagonistët kryesorë të punimit, prof. Claudio Bolzman, drejtues i studimit. Ai u ndal në faktet krahasuese në mes të moshuarëve shqiptarë dhe atyre të komuniteteve të tjera siç janë: italianë, spanjollë etj. Gjërsa te këto komunitete kemi interesin dhe përkrahjen e shteteve të origjinës, kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar, atëherë shohim që ky komunitet nuk ka pasur aspak përkrahjen e Jugoslavisë dhe tani kemi pothuaj të njëtën situatë për sa u përket mbulesave sociale nga ana e shtetit të Kosovës. Ndarja me familjen e punëtorëve shqiptar për një kohë më të gjatë se komunitetet tjera, punët e rënda, mos njohja e funksionimit të sistemit zvicran në fushat sociale e shëndetësore bën që pensionisti shqiptar të ballafaqohet me shëndet më të rënduar dhe me probleme më të mëdha – qoftë të natyres ekonomike, apo sociale. Profesor Bolzman u ndal gjithashtu në solidarizimin dhe përkrahjen e fuqishme të familjes shqiptare dhe stoizmin e dinjitetin e të moshuarëve shqiptarë në Zvicër. Ai e përshendeti punimin shkencor dhe punën shumë cilësore të autorit të punimit, Kujtim Shabani, i cili sapo e morri fjalën filloi me të dhënat e shumta cilësore që kanë shërbyer për t’i dhënë një pasqyrë më shkencore dhe më domëthense opinionit. Punim përshkrues me parametra dhe tregues që prekin jetën e të moshuarit e të pensionisit shqiptar në Zvicër.

Referim i autorit

Nga tregues të shumtë që përmban studimi do ndalemi në disa fakte që Kujtim Shabani nxori gjatë prezentimit në Konferencë.

Studimi është një raport i rrëfimit të 12 personave në moshë pensioni, mbi 60 vjeç, të cilët në total përbëjnë një përvojë emigracioni prej mbi 400 vitesh. Ndërkaq studimi është interesuar kryesisht për gjithsej 70 vitet si pensionistë në Zvicër. Shtatë nga të intervistuarit janë nga Kosova, katër nga Maqedonia, një nga Lugina e Preshevës.

Ata kanë ardhur në Zvicër ndërmjet viteve 1967 dhe 1995. Përmes entit për punësim, apo përkrahjes së ndonjë të njohuri të tyre. Rrjedhin kryesisht nga shtresa jotëprivilegjuara shoqërore dhe, përveç njërit, kanë shkollim modest. Kanë punuar gjithë kohës. Kryesisht në ndërtimtari. Mesatarisht jetojnë prej 33 vitesh në Zvicër. Ndonjëherë, kur ngelën të papunë, kanë ndjekur ndonjë kurs gjuhe apo ndonjë të ashtuquajtur ‹Staplerkurs›. Njohuritë e tyre të gjuhës së vendit nikoqir ngelin gjithashtu modeste.

Si pensionistë fitojnë deri 50 për qind më pakë se më parë: diçka mbi 3’000 franga, duke përfshirë pjesërisht edhe ndimën suplementare. Të dhënat – raportojnë ata – kanë ngelur njëlloj. Ndonjëri ka hequr dorë nga vetura. Asnjëri nuk del të hajë një darkë jashtë. Të intervistuarit kanë kontakte të rregullta – ditore dhe javore – me të afërmit e tyre në Zvicër.

Të gjithë panelistët ruajnë kontakte me vendlindjen. Mesatarisht ata udhëtojnë dy-tre herë në vit në vendlindje. Ata kalojnë nga rreth tre muaj atje. Atje kanë prona. Të gjithë kanë mundur ta arrijnë qëllimin, për të cilin kanë mërguar në Zvicër. Këtu më shpesh përmendet ndërtimi i një shtëpie, blerja e tokës bujqësore, shpëtimi nga represioni i sistemit. Mesatarja e planifikuar e qëndrimit në Zvicër është më pak se katër vite. Lëshimi i Zvicrës nuk është në rend të ditës. Arsyeja për këtë janë fëmijët – mbesat dhe nipat, të cilët në ndërkohë kanë fituar shtetësinë e Zvicrës. Dy do ta kishin lëshuar Zvicrën menjëherë, por për këtë duhet të heqin dorë nga pensioni i tyre, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për sigurimet shëndetësore midis Kosovës dhe Zvicrës. Problemet administrative – formularë, tatime… i zgjidhin gjithmonë përmes të afërmve të tyre. Kjo për ta është zhvillimi më normal i ngjarjeve.

Konferenca vazhdoi deri në orët e vona, duke trajtuar temen në fjalë dhe duke pasur një shkëmbim të frytëshem në mes pjesëmarrësve dhe organizatorëve.

Respekti ndaj gjeneratës së sakrificës, marrja me punime shkencore për të treguar kontributin e gjeneratës së parë shqiptare për zhvillimin ekonomik të Zvicrës është si thirrje për projekte që kanë të bëjnë dretëpërsedrejti me të ardhmën e të moshuarëve dhe pensionistëve shqiptarë – qoftë në Zvicër, në Kosovë apo trojet shqiptare që do kontribonte në cilësinë e mirë të jetesës të tyre.

Referentët në mes
Referentët – Kujtim Shabani dhe Claudio Bolzman – në mes. Përkthyesi, Arsim Ferizi dhe drejtori, Driton Kajtazi – në skaje
Perspektivë
Perspektivë
Gazetarë në takim
Gazetarë në takim
Ballina e studimit
Ballina e studimit