Dimitrov: Maqedonia dhe Greqia «duhet të kapin mundësinë historike»

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov, në një intervistë për BIRN, tha se dy vendet kanë detyrimin ta përdorin shansin aktual për të finalizuar mosmarrëveshjet e së shkuarës.

Nikolla Dimitrov.



Si kurrë më parë, Greqia dhe Maqedonia duket se janë në një mendje lidhur me dëshirën e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjen që e ka mbajtur Maqedoninë të ngecur në dhomat e pritjes së NATO-s dhe BE-së për një dekadë. Maqedonia është tani në një afat të ngutshëm, me shpresën se do të marrë një dritë jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE dhe një ftesë për t’u anëtarësuar në NATO këtë verë. Por përpara se këto të ndodhin, duhet që Greqia të bie dakord. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov shpesh e përshkruan veten si «optimist të kujdesshëm». Ndryshe nga disa kolegë të tjerë në qeveri, të cilët kanë krijuar përshtypjen se pritet një zgjidhje e shpejtë për «mosmarrëveshjen e emrit» me Greqinë, Dimitrov pranon rrezikun e kësaj çështjeje e cila do të mund të duhet të presë për një kohë më të përshtatshme.

Por ai gjithashtu thotë se Shkupi dhe Athina kanë për detyrë të japin më të mirën për të përdorur çastin. Në një intervistë për BIRN, Dimitrovi flet për mundësinë historike për të mbyllur mosmarrëveshjen me Greqinë dhe për shanset e Maqedonisë për të hyrë në trenin europian. Ai preferon të flasë për dritat e gjelbra dhe jo për linjat e kuqe, për aleatët dhe jo për armiqtë, për të tashmen dhe të ardhmen dhe jo për të shkuarën.

Javën e kaluar, ai u takua me homologun e tij grek në Selanik, ku ranë dakord të përfshiheshin drejtpërdrejt në bisedimet e OKB-së të ndërmjetësuar nga Matthew Nimitz. Bisedimet rifilluan në fund të vitit të kaluar, pasi për tre vjet patën një ngrirje. Dimitrov thotë se ai doli nga takimi me një ndjesi se ka vullnet politik nga të dyja palët për të ecur përpara, duke marrë parasysh sfidat dhe shqetësimet e palës tjetër.

«Është e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, si në Shkup dhe Athinë, për të kapur momentin», tha Dimitrov për BIRN. «E kemi inkurajuar Nimitz dhe pres që të mërkurën të sjellë idetë dhe propozimet e tij – një kornizë fillestare për të mundësuar përparim substancial dhe negociatat. Pas kësaj, do të përfshihemi më drejtpërdrejt dhe ne [të dy ministrat e jashtëm] do të udhëheqim ekipet negociatore nga të dy vendet».

«Në këtë drejtim ekziston një lloj rreziku, sepse zakonisht ministrat dhe kryeministrat përfshihen kur rezultati duket i sigurt. Në këtë rast nuk është kështu, por besoj se ia vlen të rrezikojmë», tha ai. «Pavarësisht nga optimizmi, duhet të pranojmë mundësinë që mund të mos mposhtim dallimet këtë herë, por megjithatë ne jemi të vendosur të vazhdojmë derisa të arrihet.»

Mediat greke kanë raportuar se dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, gjithashtu do të takohen në Davos më 24 janar. Greqia ka kundërshtuar prej kohësh emrin e fqinjit të saj, duke këmbëngulur se përdorimi i fjalës «Maqedoni» nënkupton një pretendim territorial për provincën veriore greke me të njëjtin emër. Si rezultat, në vitin 2008, Greqia bllokoi hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe gjithashtu ka vazhduar bllokimin e fillimit të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në BE, pavarësisht disa raporteve pozitive vjetore nga Komisioni Europian mbi progresin e vendit.

Që kur ka ardhur në pushtet shtatë muaj më parë, qeveria e re e qendrës së majtë të Maqedonisë, ka përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë, duke braktisur gjuhën më armiqësore dhe sjelljet e qeverisë së mëparshme. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski luajti vështirë me Greqinë dhe mbështeti procesin kontravers të njohur si «izolimi antik» – që përfshiu dhënien e një pamje antikiteti klasik të Shkupit. Kjo e bëri Greqinë të dukej si pala më konstruktive e mosmarrëveshjes absurde.

«Na duhet një zgjidhje, që të mund të braktisim hendeqet e historisë dhe të përqendrohemi më shumë në të tashmen dhe të ardhmen», tha Dimitrov. Kjo nuk është punë e lehtë. Emrat e kompromisit që kanë dalë në të shkuarën kanë përfshirë Maqedonia «E re» ose «e Sipërme» ose «Republika e Maqedoni-Shkupit» – për t’iu përgjigjur kërkesës së Greqisë për një dallim midis vendit dhe rajonit grek Maqedonisë. Përveç përdorimit të një mbiemri, zgjidhja duhet të përkufizojë gjithashtu spektrin e përdorimit të emrit të ri (bilateral ose ndërkombëtar) dhe çështja më e ndjeshme është ajo lidhur me identitetin, emrin e gjuhës dhe kombësinë.

«Një zgjidhje është e mundur vetëm nëse identiteti nuk dëmtohet», tha Dimitrov. «Natyra e mosmarrëveshjes është e tillë që krijon frikë… prandaj është shumë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë që të jetë e qartë se zgjidhja nuk do të dëmtojë identitetin [kombëtar]. «Në thelb, zgjidhja duhet të mbulojë disa elemente, që të jetë e pranueshme për të dyja vendet: të mos dëmtojë identitetin tonë; dhe t’i përgjigjet kërkesës së Greqisë për të pasur një dallim më të qartë mes të Maqedonisë dhe rajonit të Maqedonisë. Gjithashtu, do të ishte shumë europiane nëse nuk do të kishte monopol në termin «Maqedoni» – nëse nuk kishte të drejtë ekskluzive për përdorimin e termit, nga të dyja anët», tha Dimitrov.

Nëse arrihet një kompromis, duhet gjithashtu të konfirmohet prej një referendumi në Maqedoni. I pyetur nëse referendumi i frikëson, ai bën një pushim të shkurtër. Pastaj citon një titull të gazetën greke Kathimerini: «Çfarë do të bëjmë pa Gruevskin?» «Është e çuditshme të mendosh se mbrojtësit më të mëdhenj të emrit në vendin tonë, i krijojnë ndjesi rehati fanatikëve më të fortë në në Greqi, thuajse sikur të punojnë së bashku», tha ai duke iu referuar ish-kryeministrit. «Shumëçka do të varet nga zgjidhja; sigurisht që nuk do t’i ofrojmë popullit një zgjidhje që nuk e mbështesim. Referendumi do të jetë shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e zgjidhjes. Natyrisht, njerëzit kanë fjalën përfundimtare – dhe na takon neve ta shpjegojmë atë mirë», tha ai.

Në varësi të ritmit të procesit, nëse ka progres të mjaftueshëm, Maqedonia shpreson që Greqia të pajtohet me Shkupin duke hapur bisedimet e anëtarësimit në BE dhe duke marrë një ftesë për t’u bashkuar me NATO-n. Disa zyrtarë të BE-së dhe analistë të huaj kanë lënë të kuptohet në të shkuarën se vendi të mund të marrë «ok» për hapjen e negociatave me BE-në duke zgjidhur çështjen e emrit.

Dimitrov tha se të gjitha opsionet janë të mundshme në kontekstin në ndryshim në Maqedoni dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të kuptojë se vendi ka nevojë për mjetet e procesit të pranimit për të kryer reforma të vërteta, të cilat nuk mund të ndodhin kur Maqedonia është ende në pritje. «Ekziston një përgjegjësi e përbashkët e jona dhe e Greqisë, por edhe te bashkësia ndërkombëtare për të përdorur sa më mirë zgjimin tonë demokratik në këto vitet e fundit», tha ai, duke iu referuar krizës së gjatë politike në Maqedoni.

Ministri këmbëngul se është kyçe që besimi të ekzistojë midis dy palëve dhe përpjekjet për të kapërcyer këtë mosmarrëveshje të jenë të vërteta. Për ta arritur këtë, palët po diskutojnë gjithashtu masa të ndryshme të ndërtimit të besimit që do të përfshijnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të ndryshme, universiteteve nga të dy vendet, si dhe gjeste të vullnetit të mirë si riemërtimi i aeroportit të Shkupit dhe autostradës – të cilat kanë emrin Aleksandri i Madh, gjë që Athina nuk e pëlqen.

Optimizmi është fjala kryesore në përpjekjet e rindezura për të zgjidhur mosmarrëveshjen e dekadave të fundit për emrin, por shpesh në të kaluarën zgjidhja e mundshme ka rënë pre e nacionalizmit dhe e paaftësive për diskutime të drejtpërdrejta. Nëse kjo mundësi humbet, duke llogaritur se dy vendet mund të mbajnë zgjedhje vitin e ardhshëm, mund të duhet një kohë e gjatë derisa të ofrohet një mundësi e ngjashme në të ardhmen.