Dilemat e Zvicrës me mbulesat e grave myslimane

Së shpejti zviceranët do të votojnë mbi ndalimin e burkës dhe nikabit. Këto janë shami me të cilat gratë myslimane mbulojnë krejt fytyrën. Por, hotelierët e vendit janë të shqetësuar, sepse në rast ndalimi gratë e pasura myslimane mund të mos vijnë në Zvicër.

Pamje nga Interlaken. Foto: Shutterstock



Kush viziton qytetin Interlaken të Zvicrës, shpejt mund të mendojë se gjendet diku në Arabinë Saudite. Gra të mbuluara me burka dhe me nikab bien në sy duke shëtitur rrugëve të qytetit. Disa mbajnë në dorë telefonat e tyre të mençur për të fotografuar kodrat përreth, të tjerat shijojnë një akullore. Turistët dhe turistet nga vendet arabe janë klientelë e rëndësishme për Zvicrën. Shoqatat e turizmit në Zvicër organizojnë rregullisht takime me hotelierë për t’u shpjeguar se si të sillen me turistët arabë, si t’i përshëndesin («salam alejkum», «alejkum selam») dhe çfarë duhet t’u lënë gati në dhoma (një Kuran dhe një qilim për t’u falur).

Para disa vitesh Zvicra ka ndaluar ndërtimin e minareve dhe që atëherë pronarët e hoteleve u frikësuan se tani nuk do të vijnë më turistët arabë. Frika ishte e paarsyeshme: arabët vazhdojnë të vijnë – me gra e me fëmijë. Ata e duan luksin zviceran dhe harxhojnë mjaft para – mesatarisht 450 franga në ditë.

Së shpejti zviceranët do të votojnë mbi ndalimin e burkës dhe nikabit. Është e mundshme që shumica e votuesve zviceranë të votojnë për ndalimin e këtyre mbulesave myslimane. A do t’ia kthejnë shpinën Zvicrës gratë e mbuluara nga Bahrejni, Arabia Saudite, emiratat e Gjirit persik, Omani?

Në lidhje me këtë temë delikate televizioni i Zvicrës ka xhiruar një film dokumentar. Ndërsa një pjesë e madhe e anëtarëve të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), një grup politik popullist, kërkojnë me ngulm që burka dhe nikabi të ndalohen dhe për këtë qëllim kanë mbledhur 100 mijë nënshkrimet e nevojshme për ta bërë të mundshëm një referendum, në Interlaken ka anëtarë të kësaj partie që mendojnë të kundërtën: ata janë kundër ndalimit, sepse frikësohen se turistet arabe nuk do të vijnë më.

Në bisedë me turistët arabë autorja e filmit dokumentar dëgjon mendime të ndryshme. Disa turistë thotë se nuk do të vijnë më nëse ndalohen burka dhe nikabi, të tjerët thonë se ndoshta do të vijnë, sepse mjafton që gruaja të bart shami.

Një grua e mbuluar me nikab thotë: «Jam rritur në një familje konservatore dhe nuk mund ta kundërshtojë. E di që mbulimi i fytyrës është temë e diskutueshme. Ka njerëz që e mbulojnë dhe ka që nuk e mbulojnë». Kjo turiste nuk do të vinte më në Zvicër nëse ndalohen nikabi dhe burka.

Shefi i turizimit në Interlaken thotë se nuk i takon Zvicrës të përzihet se si vishen njerëzit. Këtë ai e thotë edhe për arsye komerciale, natyrisht. Por, ai nënvizon se Zvicra është vend neutral dhe nuk duhet të ndërhyjë në liritë fetare.

Njëkohësisht Shoqata e Turizmit e Zvicrës u ofron fluturime falas aktorëve dhe regjisorëve arabë, të cilët vijnë në Interlaken për të xhiruar seri. Synimi i zviceranëve është që kësisoj t’i bëhet reklamë qytetit Interlaken si qendër e preferuar nga turistët arabë. Një punëtor i fushës së turizmit tregon: «Para dy vitesh është xhiruar një seri në Luzern. Kjo seri është shfaqur gjatë ramazanit, çdo mbrëmje. Në muajin e parë pas ramazanit rajoni i Luzernit shënoi rritje të turistëve nga vendet arabe për më shumë se 100 për qind.» Vetëm në vitin 2016 janë regjistruar një milion bujtje të turistëve arabë në Zvicër. (-lli)