Diktatori nga Bosfori

Me arrestimin e politikanëve kurdë, me shtypjen e lirisë së fjalës dhe me përbuzjen e çdo vlere universale presidenti turk Rexhep Taip Erdoan po e largon Turqinë nga civilizimi. Në viset shqiptarë duhet të bien kambanat e alarmit dhe të fillojë distancimi i qartë nga diktatura turke.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që në këtë moment të çarjeve të mëdha gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit të joshen nga ofertat e helmuara të Erdoanit, i cili duket se e ka zgjedhur modelin shtetëror, të cilin synon ta ndërtojë: është modeli rus dhe kinez i diktaturës së kapitalizmit të egër dhe i shtypjes së lirive qytetare. Foto: Shutterstock

Këtë javë ishte për vizitë në Bernë ministri i Jashtëm turk. U takua me homologun e tij zviceran, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale. Së paku kështu u tha zyrtarisht. Në të vërtetë mes dy ministrave mbretëroi kryesisht heshtja. Zvicerani ishte i tronditur me sjelljet gjithnjë e më autoritare të qeverisë turke, ndërsa kryediplomati turk u tregua pafund kryeneç, duke mos pranuar asnjë kritikë. «Turqia është vendi ynë, me të bëjmë çfarë të duam» – ky është mesazhi aktual nga Ankaraja.

Rrjedhimisht, këto ditë kryetari i Turqisë ka intensifikuar përpjekjet për ta shndërruar vendin e tij në autokraci ose thënë më saktë në diktaturë. Përpjekja për grusht shteti në korrik, e cila u dënua njëzëri nga qeveritë perëndimore, po i shërben Rexhep Taip Erdoanit si rast, si «dhuratë e Allahut», për të larë hesapet me të gjithë kritikët e tij. Rexhep Diktatori ka rrokur shpatën dhe po pret e vret e arreston e syrgjynos çdo kritik. Në qelitë e tij po përfundojnë gazetarë të pavarur, proevropianë, po arrestohen politikanë kurdë, të cilët janë besnikë ndaj Republikës turke, por kritikë ndaj metodave gjithnjë e më arrogante, të dhunshme të Erdoanit.

Përpjekjen për grusht shteti Erdoani dhe klani i tij po e shfrytëzojnë për të demontuar shtetin ligjor, për të suspenduar të drejtat civile, për të ngufatur lirinë e fjalës, për të shkelur mbi vlerat universale siç janë të drejtat e njeriut, për të pështyrë mbi vlerat e civilizimit europian, të cilat dikur, në fillim të viteve ’20, ishin bazë për ndërtimin e republikës moderne turke të personifikuar nga Mustafa Kemal Ataturku.

Rexhep Taip Erdoani po hyn në histori si Anti-Ataturk. Duke suspenduar ndarjen e pushteteve, duke zhvilluar një luftë të tmerrshme kundër çdokujt që nuk mendon si militantët e partisë së tij AKP, duke e dobësuar aleancën historike të Turqisë me Amerikën dhe shtetet e mëdha të Europës perëndimore dhe duke iu ulur në prehër Vladimir Putinit – Erdoani po ndjek një kurs tepër të rrezikshëm, një kurs me të cilin nuk pajtohen miliona turq me orientim perëndimor.

Një Turqi e sunduar nga despoti Erdoan nuk duhet të ketë vend në Bashkimin Europian. Rrjedhimisht, Brukseli do të duhej të ndërpriste menjëherë negociatat me Ankaranë. BE ka treguar mjaft mirëkuptim ndaj Erdoanit, ka dënuar grushtin e shtetit, i ka ofruar Turqisë heqjen e vizave për zonën Schengen, por me kusht që presidenti turk të respektojë disa vlera themelore mbi të cilët është krijuar kjo Europë siç e njohim sot. Përgjigjja e Erdoanit ndaj të gjitha ofertave perëndimore është arroganca e pashoq.

Pas zhvillimeve të fundit dramatike në Turqi, në viset shqiptare duhet të bien kambanat e alarmit. Erdoani nuk mund dhe nuk duhet të jetë idhull politik i disa segmenteve të shoqërisë shqiptare në Ballkan. Parulla e tij «Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë» duhet të hidhet poshtë nga të gjithë politikanët shqiptarë. Prej vitesh Turqia nuk synon zhvillim të marrëdhënieve në dobi të dyanshme me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë shqiptare, por përpiqet që me diktate të imponojë rregullat allaturka të jetës publike e politike. Për këtë qëllim qarqe të afërta me Erdoanin po financojnë në Maqedoni «partinë politike» Besa, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni në dhjetor. Në të njëjtën kohë po bie autoriteti i Prishtinës dhe Tiranës në viset shqiptare në Maqedoni.

Turqia e ndien veten aq të pushtetshme në Tiranë, saqë e detyron qeverinë shqiptare të anulojë tenderë, të cilët i fitojnë firmat e afërta me ish-mikun dhe tani armikun kryesor të Erdoanit, imamin Fetullah Gylen. Ka dyshime të mëdha se disa matrapazë shqiptarë që shpallën së fundi «pavarësinë e Çamërisë» punojnë për interesa të Erdoanit, mbase edhe mund të jenë të financuar nga qarqet turke. Erdoan së fundi ka vënë në dyshim kufijtë me Greqinë dhe vetëm atij i konvenon një acarim i raporteve shqiptaro-greke, në mënyrë që të arsyetohet se Athina nuk ka probleme vetëm me Turqinë, por edhe me Shqipërinë.

Greqia shpesh nuk ka qenë shtet miqësor ndaj shqiptarëve, mes Athinës dhe Tiranës ende ka hendeqe të mëdha, por momenti i ashpërsimit të raporteve është indikativ dhe aspak në favor të Shqipërisë, e cila pret hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Në këtë rrugë Shqipërinë mund ta bllokojë Greqia. Të ashpërsohen raportet me Athinën për nja 18 a 20 shtëpi që duhet të rrënohen në Himarë është mendjelehtësi të cilën e personifikon vetëm Edi Rama, i cili duket se së tepërmi është entuziazmuar që gjatë vizitës në Beograd miku i tij Aleksandër Vuçiq i tha se serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të rëndësishëm të Ballkanit. Politikanët shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës që marrin krahë pas lavdërimeve nga Beogradi, zakonisht përfundojnë në gërmadhat e historisë. Ekziston një racizëm i shfrenuar grek ndaj shqiptarëve, këtë assesi nuk duhet harruar dhe duhet luftuar, por në 25 vitet e fundit qindra-mijëra shqiptarë kanë arritur që përmes Greqisë të bëhen qytetarë të BE-së dhe të krijojnë një mirëqenie që në vitet ’90 as që mund ta ëndërronin në Shqipërinë që vuante për bukë.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që në këtë moment të çarjeve të mëdha gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit të joshen nga ofertat e helmuara të Erdoanit, i cili duket se e ka zgjedhur modelin shtetëror, të cilin synon ta ndërtojë: është modeli rus dhe kinez i diktaturës së kapitalizmit të egër dhe i shtypjes së lirive qytetare.