Diga e parë mbi Drin u ndërtua mbi premtime dhe gënjeshtra

Banorët e fshatrave që u përmbytën nga ndërtimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës prej 45 vjetësh presin kompensimin e premtuar, ndërsa jetojnë në kapanone të mbuluara me eternit që shërbyen si fjetore për punëtorët e digës së parë mbi lumin Drin.

Çatitë prej eterniti të kapanoneve ku u strehuan banorër e fshatrave të përmbytur nga HEC-i i Vaut të Dejës. Foto nga : Anila Dushi

Arben Shkoza, nga Qyrsaqi në Shkodër ishte vetëm 3 vjeç kur diga e parë mbi Drin, ajo e Vaut të Dejës e ndërtuar më 1971 la pa shtëpi dhe tokë 350 familje nga tre fshatra të zonës, përfshi edhe familjen e tij. Të vendosur atëherë me urdhër të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës në kapanonet e përkohshme të punëtorëve që ndërtuan hidrocentralin, të mbuluara me eternit, banorët e Lisen, Mllojës e Qyrsaqit mbeten edhe sot 45 vjet pas fillimit të përmbytjes pa truall për shtëpi dhe tokë për të jetuar. Ata u zhvendosën më 1970 për t’i bërë vend veprës që do ndriçonte vendin, ndërsa jetojnë edhe sot në «shtëpi-burg» të cilave nuk u hapin dot dritare.

«Kur u shpërnda toka me ligjin 7501 në Laç të Vaut të Dejës, aty ku jetojmë, ne nuk përfituam pasi na thanë jeni klasë punëtore. Na gënjyen duke na thënë do ju kompensojmë me tokë në bregdet», thotë Shkoza për BIRN.

Ai është një prej banorëve të kampit të punëtorëve të HEC-it i cili vijon përpjekjet për të fituar kompensimin e tokës dhe shtëpive të humbura. Letrat dhe peticionet e tyre, e fundit në vitin 2015, nuk kanë marrë deri më sot përgjigje nga qeveritë, ndërsa një VKM të vitit 1994 e cila u jepte atyre 194,2 ha tokë në Ças të Velipojës nuk u zbatua asnjëherë.

Banorët e këtyre kapanoneve nuk janë të vetmit. Shteti shqiptar trashëgon një problem të madh, prej vitesh të pa zgjidhur me ish-pronarë që kërkojnë kompensimin e pronave të sekuestruara apo zënë gjatë diktaturës. Vetëm për vitet 2014-2015 Shqipëria u detyrua nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg të paguante rreth 13 milion euro dëmshpërblime, por fatura mund të bëhet edhe më e kripur.

Ndërkohë njësoj si në fillim të viteve ’70-të projektet publike dhe private të ndërtimit të rrugëve apo hidrocentraleve vijojnë të jenë problematike, duke i lënë banorët e zonave të prekura ose të pakënaqur ose me premtime për të cilat janë dyshues. Në fund të majit 2016 qeveria përdori sërish forcën për të shpërngulur 6 familje që nuk kishin pranuar kompensimin për shtëpitë dhe tokat që përmbyteshin nga HEC i Banjës në Drizë të Gramshit.

Banorët e kapanoneve e mbuluara me eternit dhe rrugëve të pashtruara në Laç të Vaut të Dejës nuk kanë pasur fat më të mirë. Shtjefën Gjoni tregon se më 1970 dhe deri sot ata janë lënë mënjanë. «Na  nxorën nga reshti», thotë ai, «Të gjithë morën tokë ose u kompensuan me ne nuk ndodhi». VKM-ja e qeverisë së ish kryeministrit Aleksandër Meksi u dha tyre tokë në letra, por ajo thotë Gjoni ishte e papërshtashme dhe kënetë dhe për më shumë ata pak që shkuan ta merrnin nuk mundën. «Disa prej nesh, jo të gjithë shkuan ta marrin,  por nuk u lejuan nga banorët e atjeshëm», thotë Zef Leka. Banorët thonë se ata që provuan të marrin tokën që ishte ndarë tashmë mes fshatarëve të Velipojës u pritën me armë.

Kështu familjet e shpërngulura u rikthyen në lagjen me rrugë të ngushta, pa ndriçim dhe  pa kanalizime. Zgjerimi i familjeve, thonë ata, ka rritur nevojën për më shumë ambjente,  por dhe sikur të kenë mundësi financiare nuk kanë se ku, pasi sipërfaqja që kanë në zotërim është e vogël, ndërsa për të hapur hyrje të reja duhen gjetur zgjidhje labirintesh.

«U strehuam në vende të pabanueshme dhe aty na lanë dhe pse familjet u rritën ndër vite. Kur erdhi demokracia menduam se diçka do bëhej pasi kudo kur prona merret shpronësohet e kompensohet», thotë Shkoza për BIRN. Shkoza ka qenë i vogël për të njohur luginën e Drinit, por ai thotë se ajo kishte toka pjellore dhe se atyre u takonte të merrnin diçka të ngjashme në kompensim. Por me gjithë premtimet për shpërngulje në bregdet apo qytet ata janë harruar, ndërsa përballen edhe me presionin e ish-pronarëve të kapanoneve. «Nga ana tjetër dhe ndonjëri prej nesh që ka familjarë në emigracion dhe ka dashur të ndërhyjë për të restauruar apo ndërtuar tek pjesa e tij tek ish kapanoni, nuk lejohet nga ish pronarët e tokës së dikurshme ku shteti ndërtoi barakat – kapanone», thotë Shkoza.

Në fakt i vetmi vendim që u jep «pronësi» atyre mbi kapanonet është një Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës i shkruar në gegnisht para vendosjes së standardit zyrtar të 72’. Vendimi flet ndër të tjera për ndërtimin e 14 apartamenteve, ndërsa porosit që sistemimi i disa ekonomive bujqësore të bëhej «duke adoptue në rradhë të parë godinat e ndërtueme për fjetore punëtorësh në kantjerin e Laçit ‹Vaut Të Dejës›…».

«Jemi nën trysni, nën presion të gjithanshëm, (ish-pronarët) kërkojnë lekë për tokën ku janë barakat se ato nuk i duhen kujt, por ne na venosi shteti i atëhershëm atje. Edhe ndonjë që ka kërkuar me gjyq pronësinë e pjesës së tij tek ish kapanonet është sorollatur pa zgjidhur gjë, pasi problemi është i ndërlikuar. Kështu ne dhe pse e kemi një strehë eterniti mbi kokë, aktualisht jemi pa shtëpi, pa tokë,  pa asgjë», thotë Shkoza.

Në një letër që shoqata e të shpërngulurve e pagëzuar «Danja», emri i vjetër i principatës së këtyre anëve,  i dërgonte kryeministrit Edi Rama në shkurt të 2015 ata shkruajnë se në zonë jetonin «familje që nuk siguronin bukën e gojës».

Arif Geci një tjetër banor thotë se nuk është hera e parë që i shkruajnë qeverisë dhe nënshkruajnë peticione. «Të drejtë na japin, zgjidhje jo», thotë ai ndërsa beson se mungon dëshira për ta bërë këtë.

Kolë Shkoza thotë se kërkesat e tyre janë të verifikueshme. Në arkiva sipas tij ka dokumente të rregullta për hidrocentralin,  harta e të tjera  ku tregohen pronat e marra për tu ngritur vepra apo edhe vendimi i vitit 1994. «Ne nuk kërkojmë diçka që nuk na takon. Kërkojmë zbatimin e ligjit,  qoftë dhe vendimin e 1994 dhe pse ai nuk është i drejtë,  por së paku të zbatohet», thotë ai, ndërsa tregon se diga është ngritur mbi tokë truall të shtëpisë së tij dhe disa tjerëve. Banorët, edhe pse shumë prej tyre kanë humbur besimin e shpresën, vijojnë ende të shkruajnë kërkesa. Ata rendisin zgjidhje që i kanë menduar vetë që prej kreditimit me interesa të ulëta për të ndërtuar shtëpi, gjetja e truallit dhe deri te dëmshpërblimi. «Mjafton puna e një turbine të hidrocentralit për një muaj që ne të likujdoheshim», thonë banorët anëtarë të shoqatës «Danja».

Ata janë «ironikë» kur i kujtojnë kryeministrit në letrën e dërguar një vit më parë se OSHEE (në atë kohë në pronësi të CEZ) u kërkon muaj për muaj faturat dhe madje edhe kamatë vonesat dhe nëse nuk paguajnë i «lë në terr».

(«reaportre.al»: http://www.reporter.al/diga-e-pare-mbi-drin-u-ndertua-mbi-premtime-dhe-genjeshtra/)