«Diaspora shqiptare është pjesë e qenies sonë kombëtare»

INTERVISTË ME MINISTRIN E DIASPORËS SË KOSOVËS, IBRAHIM MAKOLLI

Rinia shqiptare në Diasporë është kategoria më e rrezikuar nga asimilimi pasiv, andaj konsideroj se këtë shtresë të Diasporës sonë duhet ta mbajmë sa më të angazhuar, thotë ministri Makolli. 

Intervistoi Dashnim HEBIBI

Angazhimi i Ministrisë së Diasporës është më i madh në tremujorin e verës…

Është e vërtetë se angazhimi i Ministrisë së Diasporës është shumë më i madh në tremujorin e verës për shkak të aktiviteteve të shumta që organizohen për nder të Diasporës, pjesa dërrmuese e së cilës në këtë periudhë vjen për pushime në vendlindje. Puna dhe kontakti i drejtpërdrejtë me Mërgatën, ndjesinë e lodhjes e kthen në kënaqësi shpirtërore. Të punoj dhe të jem në shërbim të Diasporës dhe Mërgatës është nder dhe privilegj.

Cila është kërkesa më e shpeshtë e mërgimtarëve në adresën tuaj?

Që nga themelimi i Ministrisë së Diasporës e deri tani çdo kërkesë që e kemi pranuar ka qenë e rëndësishme për fuqizimin e kësaj pjese të shoqërisë sonë në raport me institucionet e vendit. Ndër më të shpeshtat janë kërkesat që kanë të bëjnë me lehtësimin e procedurave të votimit, si dhe ato për përfaqësim politik të Diasporës në Kuvend dhe Qeveri, të cilat i kemi proceduar në fillim të themelimit të Ministrisë së Diasporës. Përfaqësimi i Diasporës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në jetën politike të saj është interes shtetëror e kombëtar dhe do të ndikonte në lidhjen e drejtpërdrejtë të Diasporës me Kosovën. Shpresoj se shumë shpejt do të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat do ta mundësonin përfaqësimin e Diasporës në Kuvendin e Kosovës, gjithnjë me idenë që kjo të bëhet në kuadër të vullnetit të Diasporës shqiptare për të qenë pjesë e këtij kuvendi.

Cili është suksesi juaj më i madh gjatë mandatit suaj?

Ministria e Diasporës e ka në fokus ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, arsimor e kulturor të pjesëtarëve të Diasporës dhe Mërgatës, si dhe lidhjen e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, prioritet yni është mbështetja në organizimin e mërgimtarëve në vendet ku jetojnë dhe veprojnë, si dhe nxitja e zhvillimi i marrëdhënieve ndërkulturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve ku ata jetojnë. Në këtë kuadër, kemi arritur t’i hapim katër qendra kulturore në Diasporë: në Turqi, Zvicër, SHBA dhe në Suedi. Në të ardhmen, qendra të tilla do të hapen edhe në Gjermani, Itali, Austri dhe në shtete të tjera. Përpos lidhjes së drejtpërdrejtë institucionale që tanimë Diaspora jonë ka me Qeverinë e Republikës së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Diasporës, kemi arritur të krijojmë dhe të institucionalizojmë rrjete të fushave të ndryshme në diasporë, si: Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Diasporë, Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Rrjetin e Shkencëtarëve, të Avokatëve, Mjekëve, si dhe jemi në procedurë të krijimit edhe të rrjeteve të tjera, si ai i Studentëve dhe i të Rinjve Shqiptarë në Diasporë dhe të Rrjetit të Grave në Diasporë. Këto rrjete kanë synim bashkëpunimin dhe fuqizimin e lidhjes së Diasporës ndërmjet vete, por edhe lidhjen e saj me institucionet relevante në Kosovë. Një punë e mirë është bërë sa i takon organizimit të mësimit plotësues në Diasporë.

Deri tani, në shkollat shqipe, bibliotekat dhe në shoqatat e ndryshme shqiptare janë dërguar më shumë se 200’000 libra shqip, kryesisht libra shkollorë, por edhe revista të ndryshme për fëmijë dhe të rritur… 

Janë organizuar konferenca të ndryshme, seminare dhe takime të shumta me mësuesit e gjuhës shqipe në Diasporë, me qëllim të përpilimit të një strategjie të përbashkët për zhvillimin e procesit edukativ-arsimor për fëmijët në Diasporë. Këto vite kemi arritur që vlerat kulturore dhe artistike të pjesëtarëve të Diasporës t’i paraqesim në mënyrë institucionale para publikut dhe opinionit kosovar. Kemi arritur ta krijojmë një strategji të mirëfilltë të punës për vitet në vazhdim, strategji kjo që do ta forcojë edhe më shumë lidhjen institucionale të Diasporës me vendin e origjinës. Së fundi, e kemi filluar procesin e regjistrit të Mërgatës dhe Diasporës, proces tejet i rëndësishëm dhe i kërkuar nga vetë Diaspora tash e një kohë të gjatë. Ky proces i atribuohet edhe vetë Diasporës dhe shoqatave që i kanë krijuar; pa përkrahjen dhe ndihmën e tyre puna jonë do të kishte qenë e pavlefshme.

Jeni i kënaqur me funksionimin e qendrave kulturore në Diasporë, konkretisht me atë të Zvicrës?

Themelimi i qendrave kulturore të Republikës së Kosovës në Diasporë është një nga arritjet më të mëdha të Ministrisë së Diasporës, duke u bazuar në rolin që luajnë për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të mërgimtarëve dhe forcimin e lidhjes me institucionet e Republikës së Kosovës. E vlerësoj punën e zyrtarëve të angazhuar nëpër qendra, njëkohësisht i falënderoj pjesëtarët e Diasporës që kanë bashkëpunim të ngushtë me ta. Jam tejet i kënaqur me punën që po bëhet në Qendrën Kulturore në Zvicër. Nuk ka shumë kohë që është hapur dhe tanimë ajo është bërë një vendtakim dhe vendorganizim i shumë aktiviteteve kulturore në atë pjesë. I ftoj bashkatdhetarët që t’i shfrytëzojnë këto qendra sa më shumë, sepse janë krijuar enkas për ta dhe do të vazhdojnë të funksionojnë vetëm për interesat e tyre.

Kanë mbetur edhe shumë punë që i keni nisur dhe keni menduar t’i kryeni?

Disa prej tyre janë procese të vazhdueshme, të cilat nuk do të përfundojnë përderisa të ekzistojë Mërgata dhe Diaspora shqiptare, si: fuqizimi dhe ndihma si ministri që gjithmonë duhet t’u ofrohet qendrave kulturore, rrjeteve dhe asociacioneve të ndryshme, përkrahja dhe organizimi i aktiviteteve që kanë për qëllim avancimin e Diasporës dhe paraqitjen e vlerave të saj para opinionit vendës dhe më gjerë, pastaj ndihma që duhet t’i ofrohet Diasporës në integrimin në shoqëritë e vendeve ku jeton. Jemi me fat që këto dhe shumë procese të tjera kanë filluar, tashmë nevojitet vetëm të shtohen dhe të fuqizohen, pa pasur rëndësi të madhe kush do të jetë bartës i tyre në të ardhmen.

Ndiheni paksa i pafat që nuk arritëm ta organizojmë Kongresin e Parë të Diasporës, i cili ishte planifikuar dhe përgatitur që të mbahej në qershor?

Situata politike dhe zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës, të mbajtura në atë periudhë të vitit, si dhe situata politike, në të cilën gjendemi aktualisht nuk më ka dhënë komoditet që ta vazhdoj atë projekt, sepse jam deklaruar edhe më herët, por e them edhe tani se Diaspora jonë asnjëherë nuk duhet të vishet me petkun politik, si dhe nuk duhet të etiketohet dhe të shfrytëzohet nga askush për poenë politikë. Pas daljes nga kjo situatë e ngërçit politik dhe pas konsolidimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, projekti i organizimit të Kongresit të Diasporës do të fillojë të implementohet. Pavarësisht nëse do të jem unë personalisht i përfshirë në të apo jo, ajo do të jetë një ditë e madhe për Republikën e Kosovës dhe për vetë Diasporën.

Çka nëse Qeveria e ardhshme nuk do të ketë Ministri të Diasporës?

Lidhjet institucionale, të cilat janë krijuar me Mërgatën tonë, nuk duhen ndërprerë. Do të ishte humbje e madhe për vetë shtetin e Kosovës po qe se do të ndodhte kjo. Besoj shumë se kushdo që do t’i udhëheqë institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Diasporës do të vazhdojë të funksionojë dhe ta luajë një rol të rëndësishëm në fuqizimin e rolit të Diasporës në raport me vendin e origjinës.

Si është puna e regjistrimit të Diasporës?

Procesi i regjistrimit të Mërgatës dhe Diasporës ka filluar në fund të vitit të kaluar. Ky proces do të mundësojë që institucionet e Kosovës të hartojnë politika efikase për Mërgatën, të cilat do të kenë për qëllim avancimin dhe përfshirjen e Mërgatës dhe Diasporës shqiptare në shtetndërtim. Qëllimi i tij është evidencimi i numrit të saktë të Diasporës dhe Mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike, koha e migrimit, arsyeja e migrimit, shtetet ku jeton dhe vepron ajo, si dhe regjistrimi i shoqatave dhe i formave të tjera të organizimit të tyre. Duke u u mbështetur në këtë regjistër, institucionet e Republikës së Kosovës, do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë kapacitetet e Diasporës shqiptare, me qëllim të përfitimit të dyanshëm. Ajo nuk njihet vetëm si fuqi punëtore, por edhe si potencial i madh i zhvillimit të shtetit në secilin aspekt. Duke iu përgjigjur këtij regjistri, Diaspora shqiptare na mundëson që të krijojmë databaza, të cilat do të ndihmonin për realizimin e projekteve të ndryshme institucionale si ato për zhvillimin ekonomik, shkencor, politik etj.

Po LAPSH-i, a do të ndahet, në atë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, apo të Luginës së Preshevës e Malit të Zi?

LAPSH-i është bartës i shkollës shqipe në Diasporë. Roli i tij në mësimin plotësues të gjuhës shqipe përgjatë historisë është i pazëvendësueshëm, prandaj një ndarje e tillë është e pajustifikueshme dhe e pamundur. Ministria e Diasporës e ka shtruar nevojën e institucionalizimit të mirëfilltë të mësimit plotësues jashtë vendit, si njëri ndër objektivat kryesorë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për realizimin e këtij objektivi, LAPSH-i ka ofruar gjithë përvojën dhe konceptin e vet për zgjidhjen e mundshme, të arsyeshme dhe efektive për procesin mësimor, me kompetenca të plota institucionale, që do të realizohen dhe do të udhëhiqen nga MASHT-i dhe nga MPJ-ja, sipas Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës së Kosovës, si dhe ligjeve të tjera në fuqi, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë.

Diasporën shqiptare nuk e keni ndarë asnjëherë – pavarësisht nëse dikush ka qenë mërgimtar i Shqipërisë, apo i Kosovës, i Maqedonisë apo i Luginës së Preshevës?

Diaspora shqiptare është pjesë e pandarë e qenies sonë kombëtare. Ajo e luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ngjarjeve në trojet shqiptare, duke u përpjekur që tërë potencialin e saj mendor, material dhe ekonomik ta vërë në interes të çështjes sonë kombëtare. Për këtë arsye është e palogjikshme që të bëhet ndarja. Ne jemi një si komb, andaj si të tillë e kemi edhe Diasporën tonë.

Keni organizuar edhe disa konferenca shkencore për Mërgatën tonë…

Ministria e Diasporës deri tani ka organizuar disa konferenca për Mërgatën, jo vetëm shkencore, si: ajo me bizneset e Diasporës, e mësimit plotësues… Ajo që vlen të theksohet është se rinia jonë në Diasporë, veçanërisht të rinjtë që kanë lindur dhe janë rritur në vendet perëndimore, është kategoria më e rrezikuar nga asimilimi pasiv, si pasojë e jetës dinamike dhe trendëve të vazhdueshëm botërore që lëvizin shpejt, andaj konsideroj se këtë shtresë të Diasporës sonë duhet ta mbajmë sa më të angazhuar nëpërmjet kongreseve, konferencave, vizitave të ndryshme, në mënyrë që të mos e harrojë prejardhjen, historinë, kulturën, traditën dhe gjuhën e vet.

Jeni në përfundim e sipër të detyrës suaj. Do të jeni edhe në të ardhmen në skenën politike?

Pas përfundimit të mandatit tim si ministër, mendoj të marr pak pushim, të kaloj pak kohë me familjen time. Por, aktiviteti im politik nuk përfundon me kaq. Ndiej se kam për të dhënë edhe shumë për shtetin e Kosovës. Në një të ardhme të afërt, do të vendos ku do ta kanalizoj energjinë time.