Diaspora dykrahëshe e Maqedonisë

Çfarë duhet të bëjë ministria e diasporës e Maqedonisë për shqiptarët në mërgim?

Protesters waving Macedonian and Albanian flags raise their hands during an anti-government demonstration in Skopje, Macedonia, May 17, 2015. Tens of thousands of protesters took to the streets of Macedonia's capital on Sunday, waving Macedonian and Albanian flags in a dramatic display of ethnic unity against a government on the ropes after months of damaging wire-tap revelations. REUTERS/Ognen Teofilovski



Emigrimi kryesisht për çështje ekonomike ka qenë dhe, fatkeqësisht, vazhdon të jetë një realitet i përditshëm në rajonin e Ballkanit, i cili në relacion me kombin shqiptar ka krijuar një komb në komb, duke pasur parasysh se mërgata nga Europa e deri në Amerike për vite të tëra ka krijuar një kulturë të dytë. Kjo është një kulturë sa e thjeshtë po aq edhe e çiltër e identifikimit me vendin e lindjes së tyre, vendin e lindjes se prindërve apo gjyshërve të tyre. Duke pasur parasysh këtë mendoj se është me rëndësi të mbahet mend se ruajtja e vetëdijes së prejardhjes nuk ka qenë dhe nuk është diçka e vetëkuptueshme.

Për më tepër, sfida për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe vlerave shqiptare është ndarja e komunitetit shqiptar nën kupolën institucionale të shumë shteteve ballkanike dhe harmonizimi i sfondit të politikave të këtyre shteteve ndaj diasporës shqiptare. Nga kjo sfidë duhet të përpiqemi që në të ardhmen të nxjerrim dobi.

Parimisht mund të thuhet se themelimi i Ministrisë së Diasporës në qeverinë maqedonase është një hap pozitiv, sepse po krijohet një institucion, i cili merr përsipër mbrojtjen e interesave të diasporës në tërësi. Diaspora e Maqedonisë në këtë raste përbëhet nga diaspora maqedonase (sllave) dhe diaspora shqiptare, dhe kjo e bën çështjen paksa të ndërlikuar, por aspak të pazgjidhshme.

Numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë jashtë Maqedonisë dallueshëm e përbëjnë shqiptaret dhe janë burimi kryesor i remitencave dhe investimeve individuale në këtë shtet. Ky fakt duhet të ketë vëmendjen e qeverisë maqedonase dhe ministrisë së saj për diasporën.

Në diskutime me pjesëtarë të ndryshëm të diasporës, një gjë më duket e qartë: në jetën e përditshme të diasporës në shtetet pritëse qytetarët si të etnisë shqiptare, ashtu edhe maqedonas përballen me vështirësi të njëjta si ne fushën e arsimit, punësimit, socializimit apo integrimit në tërësi. Me ndryshimet në politiken e brendshme të Maqedonisë, ekziston mundësia që këto fusha që i prekin të gjithë qytetarët pa marrë parasysh etninë e tyre të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse me një politike dhe plan integrativ dhe jo veç e veç, gjë që do të promovojë bashkëpunimin e ngadalshëm midis dy komuniteteve të diasporës dhe do të krijoje një vlerë shtesë, asaj të mirëkuptimit midis këtyre dy diasporave.

Por, një dallim i pashmangshëm mbetet: ai i gjuhës dhe kulturës, dhe këtu nevojitet një qasje tjetër. Shteti maqedonas historikisht nuk ka treguar interes për kultivimin e gjuhës shqipe, kulturës, historisë apo edhe vetë lidhjes së këtij komuniteti me shtetin e tij, dhe për nga rëndësia që ka kjo diasporë dhe rrugën që synon të ndjekë Maqedonia, kjo qasje e derisotshme është e gabuar. Vlerësuar krejtësisht nga ana ekonomike, pa hyre këtu në diskutime për obligimet ligjore të shtetit ndaj qytetarëve dhe të drejtave të tyre kushtetuese dhe faktit se ministria e arsimit në Shkup ka të angazhuar pesë herë më shumë mësues për gjuhën maqedonase sesa për gjuhën shqipe në diasporë, përkundër faktit se diaspora shqiptare është shumë më e madhe se ajo maqedonase, shteti maqedonas ka çdo interes të mbajë lidhje me diasporën shqiptare dhe t’i ofrojë asaj përkrahjen institucionale, qoftë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, aktiviteteve kulturore, përkrahjen e shoqatave shqiptare në diasporë, sportit etj.

Kosova dhe Shqipëria me institucionet e tyre nuk kanë bërë dallim të përkatësisë shtetërore të një nxënësi të gjuhës shqipe në diasporë apo gjatë aktiviteteve të tyre kulturore dhe shoqërore. Shtetasit e Maqedonisë kanë përfituar, por qytetarët shqiptarë me shtetësi maqedonase nuk mund të jenë barrë e buxheteve të këtyre dy shteteve, ndërkohe që ata obligimet financiare dhe investimet e tyre i kryejnë në shtetin e tyre, në Maqedoni.

Detyrë e Ministrisë së Diasporës në Shkup duhet të jetë të krijojë një strategji dhe një plan gjithëpërfshirës për qytetarët e saj në çështjet e integrimit dhe socializimit në shtetet pritëse, dhe për komunitetin shqiptar trajtim të barabartë për gjuhën, kulturën, sportin, aktivitetet shoqërore dhe projektet konkrete të shoqatave shqiptare.

(Autori është politikan i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës nga kantonit Aargau)