Dialogu Kosovë-Serbi të huton

BE-së i mungojnë mjetet e duhura për t’i shtyrë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë drejt një niveli tjetër dhe kjo i përshtatet më së miri Vuçiqit, për ta zvarritur ujdinë.

Foto: Shutterstock



Samiti i Sofjes javën e kaluar na dha fjalë të mëdha, por hapa të vegjël, duke sjellë zhgënjim dhe cinizëm mes shumë vëzhguesish. Në rastin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, samiti dhe deklarata përfundimtare ish edhe më e kthjellët. Deklarata përfundimtare as që e përmend dialogun apo normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Sjellja e kryeministrit spanjoll Rahoi, qe një nga dobësitë e samitit. Jo vetëm që e bojkotoi samitin, por iu bashkëngjit darkës jozyrtare me anëtarët e tjerë të BE-së dhe vuri veton për të mos e quajtur Kosovën shtet, duke refuzuar kështu të ulej në të njëjtën tavolinë me zyrtarët e Kosovës, sjellje që përveçse politike, është mendjengushtë.

Asnjë nga katër shtetet anëtare të BE-së, mos-njohëse, nuk ka qenë kaq negativ, madje dhe Serbia, e cila asokohe pas zgjidhjes «asterisk» e kish pak të vështirë, vazhdon të jetë partnere e vullnetshme në takimet rajonale.

Shenjat që dha Spanja e kanë minuar besueshmërinë dhe peshën e deklaratës përfundimtare, duke vazhduar me modelin e sjelljes së shteteve që mbajnë peng BE-në ngaqë nëpër ‘shtëpitë e tyre’ nuk iu shkojnë punët mirë: Spanja luajti një rol grek në Sofje.

Nëse Serbia e kremton këtë si fitore për pozicionin e saj, gabohet. Dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është rruga e vetme prej të cilës Serbia mund t’i bashkohet BE-së. Kësisoj, inkurajimi nga sjellja snobiste e Spanjës ndaj Kosovës do sillte keqkuptime edhe për vetë pozicionin e Spanjës. Kur një diplomat i nivelit të lartë na tha para disa vitesh mua dhe një grupi diplomatësh nga mbarë Evropa se Spanja nuk e njeh Kosovën ngase respekton kushtetutën serbe, nuk mund ta mbanim të qeshurën.

Në fund, kryeneçësia e Spanjës kundrejt Kosovës mund t’ia bëjë gropën qëllimeve të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mbi normalizimin nevojitet për të hapur një perspektivë realiste të Kosovës për BE-në. Përndryshe pse Kosova do binte dakord për çdofarë ujdie me Serbinë? Nëse Spanja do të bëhet edhe më katolike se papa (për të cilën ka disa shembuj historikë), atëherë, një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nuk do ishte e mjaftueshme për Spanjën dhe si rrjedhim të stimulojë më pak Kosovën për t’ia qëlluar një marrëveshjeje. Mundet të përballemi me ndonjë situatë ironike ku Serbisë do t’i duhet ta bindë Spanjën për ta njohur Kosovën.

Ndërkohë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës po devijon. Nuk ka pasur progres prej muajsh dhe atmosfera ngelet e nderë. Më problematike është se BE-së i mungojnë metodat për t’i zhvendosur bisedimet në një nivel tjetër. Është e qartë që formati i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë Federika Mogerini është konsumuar. Nevojitet një dinamikë e re dhe ndërmjetësim më energjik për ta shndërruar dialogun e tanishëm në një strukturë që drejtohet në një marrëveshje detyruese, duke përcaktuar çështjet e hapura dhe duke krijuar mundësi të vërteta për normalizim, përfshirë anëtarësinë e Kosovës në OKB dhe hapjen e udhës për BE, gjithashtu të gjendet një mënyrë që Serbia jo vetëm të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën që pastaj t’ia bllokojë në të ardhmen anëtarësimin në BE.

Me zgjedhjet e reja në Parlamentin Evropian të 2019-ës dhe me Komisionin e ri, Mogerini është një «rosë e çalë» në detyrë edhe për një vit dhe vështirë se do qëndrojë, duke pasur parasysh «plejadën» e re të fuqishme në Itali. Pozicioni i saj, asnjëherë i fortë, është dobësuar, andaj nuk ka më gjasa që ajo t’i japë fund marrëveshjes. Veç kësaj, qeveria e Kosovës është shumë e dobët, ndërsa e Serbisë shumë e fortë për një marrëveshje.

Çdolloj marrëveshjeje kërkon konsensus mbarëshoqëror. Qeveria e Kosovës është e dobët dhe e përçarë dhe iu deshën sa e sa vite që t’ia dilnin me ujdinë për kufijtë me Malin e Zi, gjë që është «fushë me lule» në krahasim me marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Edhe pse vetë Vetëvendosja është e përçarë, kundërshtia e çdofarë marrëveshjeje do të ishte e frikshme.

Nga ana serbe, sundimi autokratik në rritje i Vuçiq-it është tepër i fortë dhe dominues. Për të gjitha fjalët mbi «dialogun e brendshëm», mbizotërimi i Partisë Progresiste SNS dhe Aleksandar Vuçiq «bllokon» çdo mundësi për diskutim të hapur që mund të shpjerë në një konsensus. Në fakt, opozita priret të refuzojë çdo marrëveshje si opozitë edhe e qeverisë në pushtet (kësisoj do e portretizojë veten si kundër-Perëndimit, në njëfarë forme si Mali i Zi) dhe Vuçiq me dominimin e tij do i shpërfillë zërat disidentë. Duke e ndier fuqinë e tij jo vetëm ndaj opozitës, por edhe një BE-je e qeverie kosovare të dobët, ai do të tundohet që të mos ia qëllojë marrëveshjes. Fundja, i ka të gjitha premisat për ta premtuar një ujdi dhe për të mos e kryer: ofrimi i tij për të qenë pragmatik dhe i hapur për dialogun me Kosovën i ka dhënë minimumin e kritikave mbi lirinë e medias, duke mbajtur shtrënguar institucionet e pavarura dhe opozitën serbe. Nëse ai do ta vinte në vijë çështjen me Kosovën, vëzhgimi i BE-së do të zhvendosej nga Kosova në punët e brendshme të Serbisë. Prandaj Vuçiq i ka të gjitha premisat për të folur për kompromisin dhe për të mos e arritur, sidomos meqë ndërmjetësit e BE-së dhe Kosova janë kundërshtarë të dobët dhe nuk maten me të.

Vuçiq është i prirë për të vazhduar ta përdorë dialogun për të maksimizuar leverdinë e tij nga ujdia, duke shpresuar të përftojë shumë shpërblime nga BE ose ndonjë shkëmbim territoresh. Sigurisht, asnjëra nuk është e mundur, por mund të ndihmojë në zgjerimin e marrëveshjes, duke i dhënë kohë dhe shërbyer interesit të Vuçiqit, që të mund të thotë «në shtëpi» se u përpoq të bënte marrëveshjen më të mirë, ndërsa procesi në përgjithësi mbetet pas.

Mbështetja për BE-në në Serbi ka pësuar rënie që nga dekada e kaluar: ndërsa në 2009-ën 60-70% ishin pro anëtarësimit në BE, shifrat kanë rënë që atëherë deri në 50% në këta 6 vitet e fundit. Kjo rënie në përqindje (ndonëse ata kundër BE-së janë vetëm gjysma e tyre që e mbështesin dhe pjesa tjetër e pavendosur) është pasojë e gjëmimit të përhershëm të propagandës kundra-Perëndimore në shtypin serb, ndjekës të linjës SNS. Kjo rënie e mbështetjes për anëtarësim në BE i jep Vuçiqit dorë të lirë për t’iu larguar premtimit për të kërkuar anëtarësimin e Serbisë në BE dhe të përftojë lëshime më të mëdha nga BE. Ndërkaq Komisioni Evropian, siç u pasqyrua në strategjinë e tij nga shkurti, është në dijeni që për momentin rruga po çon në një tjetër kah, drejt një sundimi autokratik dhe dore të hekurt mbi shtetin, anëtarët kryesorë të BE-së po e bëjnë një sy qorr. Si pasojë, dialogu Serbi-Kosovë do të vazhdojë të jetë një hutim i përsosur.

Florian Bieber është profesor për historinë dhe politikën e Europës Juglindore në Universitetin e Grazit dhe drejtor i Qendrës për Studime të Europës Juglindore.