Dialogu Kosovë-Serbi: përse kur shihet nga Prishtina – nuk funksionon?

Ku ka mbërritur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë? A jemi në udhën e marrëveshjes së normalizimit mes dy shteteve? Sébastien Gricourt, drejtor i Observatoire des Balkans de la Fondation Jean-Jaurès i kthehet edhe një herë procesit të këtij dialogu që prej origjinës, me negociata që janë shumë të ndërlikuara për tërësinë e akterëve në lojë, veçanërisht për Bashkimin Europian.

Karikaturë e Corax, botuar në Danas, Beograd.



Përgjatë vitit të shkuar, dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, i arbitruar prej Bashkimit Europian, duket se hyri në një udhë nga e cila do të dilte një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh mes dy shteteve. Në këtë fillim viti 2019, rezultati i këtyre negociatave ngjan gjithnjë e më pak i mundshëm, dhe po aq të largëta mundësitë e marrëveshjes. Pra, objekti i këtyre shënimeve është t’i rikthehemi procesit të këtij dialogu që prej zanafillës duke e përqendruar vëmendjen në vështrimin e Kosovës. Kufizimet e këtij vendi për të ushtruar një sovranitet të plotë, varësitë e jashtme të përziera me rivalitetet e brendshme politike po e minojnë legjitimitetin e aktorëve në negociata dhe po e dëmtojnë besueshmërinë e Bashkimit Europian.

I – Dialogu: po flitet shumë për të, por kush po flet?
Ama ia vlente të fillonte…

Ky dialog në fillim u zhvillua nën patronazhin e Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm, në nivel teknik të përfaqësuesve seniorë, mes marsit 2011 dhe marsit 2012. Në një këndvështrim, ai ishte përzgjatje e veprimtarisë që kishte më parë në ngarkim Shtylla IV nën autoritetin europian (rindërtim dhe zhvillim) e misionit UNMIK. Dialogu po vinte në kohën kur një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (13 tetor 2010) mori parasysh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me çështjen e shtruar prej Serbisë, në vitin 2008, dhe që kishte nxjerrë përfundimin, më 22 korrik 2010, se deklarimi i njëanshëm i pavarësisë së institucioneve të përkohshme të Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Me këtë bazë ishte e pritshme që procesi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të mos e merrte më në trajtim çështjen e statusit të Kosovës, por t’i mundësonte më tej kësaj të fundit të forconte qeverisjen dhe sovranitetin e vet mbi tërë territorin. Siç do ta shohim, një udhë e kundërt u mor, dhe aktorët politikë kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë në këtë gjë.

Më së pari, marrëveshjet teknike – doganat, liria e qarkullimit, njohja reciproke e diplomave universitare, kadastrat, pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonalë – mbërritën shumë shpejt në kufijtë e tyre të zbatueshmërisë, çka kishte nevojë për implikim politik të nivelit më të lartë. Për më tepër, shtatori i vitit 2012 shënonte simbolikisht fundin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, gjë e marrë përsipër prej një përfaqësuesi civil ndërkombëtar që mbante mbi krye edhe një kapele tjetër, atë të përfaqësuesit special të Bashkimit Europian. Ndaj dhe muajin në vazhdim, e deri në tetor 2014, përfaqësuesja e Lartë dhe zëvendës-presidentja e Komisionit, Catherine Ashton, e ngriti dialogun në nivel të udhëheqësve politikë. Ajo vendosi kësisoj në të njëjtën tryezë kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës të asaj kohe, përkatësisht Ivica Dačić dhe Hashim Thaçi.

Ky i fundit ishte mandatuar prej Kuvendit të Kosovës për të drejtuar negociatat në krye të qeverisë së vet, i mbështetur prej Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në atë kohë parti që kishte shumicën pas zgjedhjesh me shkelje e që vlerësoheshin «se përbënin një regres» demokratik. Pushteti ekzekutiv e la pas dore me vetëdije sjelljen e ndonjë informacioni mbi diskutimet sipas rrethanave apo dhe rregullisht në Kuvend, duke e kthyer në të pavlefshëm rezolutën parlamentare që u detyronte udhëheqësve transparencën më të lartë të procesit. Një sjellje e tillë u bë vërtet burim i tensioneve politike pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit më 19 prill 2013, e paraqitur si «historike», pasi vendoste parimet e normalizimit. Debatet që vijuan në Kuvend e mundësuan në fakt mbështetjen me vota edhe përtej dy të tretave të nevojshme (89 nga 120), por me haraçin e përplasjeve qoftë edhe brenda vetë PDK-së, përfshirë këtu kryetarin e Kuvendit, dhe opozitën e ashpër që mishërohej nga Lëvizja Vetëvendosje! (LVV), pesha e së cilës që atëherë veçse po rritet.

… e më pas erdhi çështja: Asociacioni i Komunave për serbët e Kosovës?

Nga kjo marrëveshje e prillit 2013, janë gjashtë pikat e para, prej pesëmbëdhjetë pikave në tërësi, ato që kristalizojnë kritikat dhe bëjnë bashkë kundërshtitë, sidomos edhe brenda vetë mazhorancës. Konsensusi dominues dhe i mbështetur prej një pjese të gjerë të shoqërisë civile, i padëgjuar prej institucioneve dhe Brukselit, i kundërvihej perspektivës së krijimit të një entiteti që grumbullonte bashkitë serbe të Kosovës. E quajtur «asocacion» prej shumicës shqiptare ose «bashkësi» për minoritetin serb dhe Serbinë, gjuha e dyfishtë e imponuar prej Brukselit është besnike e artit të sprovuar të paqartësisë konstruktive dhe krijuese.

Në Kosovë, opozita nuk e pati aspak të vështirë të kujtonte se çka ishte bashkësia që bashkoi në vitin 1991 katërmbëdhjetë lokalitete serbe të Bosnjës para se të shpallej Republika Srpska e përjetësuar më 1995 përmes Marrëveshjes së Daytonit. Kryeministri Hashim Thaçi përsëriste sipas qejfit se tërësia territoriale e Kosovës dhe autoriteti i shtetit nuk do të tjetërsoheshin prej kësaj marrëveshjeje që përgatiste udhën e integrimit «euro-atlantik» të vendit. Megjithatë, kompetencat dhe e drejta për të formuar një asamble konsultative e kthejnë haptas këtë entitet në një shtresë institucionale shtesë mes qeverisë qendrore dhe komunave serbe, duke mos lejuar të jetë thjesht një organizatë joqeveritare.

Pikat e tjera të marrëveshjes, të cilat rishqyrtonin pjesërisht çka ishte përfshirë tashmë në kuadrin e dialogut politiko-teknik (polici dhe drejtësi e përbashkët, energji, telekomunikim), nuk kishin ndonjë peshë të madhe përballë kërcënimit të asociacionit/bashkësisë, që kristalizonte nga ana e vet incidentet e shpeshta apo situatën e ngrirë në urën e Mitrovicës. Pika 14 ishte ajo që propagandohej më shumë prej Bashkimit Europian, ngaqë vendoste se asnjëra prej dy palëve nuk mund të dëmtonte palën tjetër në çastin e integrimit. Por kjo gjë nuk mjaftonte për të qetësuar tensionet. Ky nen që kërkonte të ishte detyrues dhe garantues i një perspektive europiane të Kosovës së papenguar nga Serbia u interpretua më shumë si dorëheqje politike e Prishtinës. Dëmtonte gjithashtu besimin në Bashkimin Europian. Sepse falë marrëveshjes së Brukselit, Serbia përfitonte në qershor 2013 hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj (12 nga 35 kapituj komunitarë janë hapur që në atë kohë). Ndërkohë që Kosova përfitonte të drejtën për të negociuar këtë etapë fillestare të marrëveshjes së asociim-stabilizimit, në fuqi që prej 2016, sot ajo nuk gëzon as të drejtën e liberalizimit të vizave për dallim nga vendet e rajonit.

Pengesat ndaj Kosovës veçse u rritën me Listën Serbe (LS), një formacion politik i krijuar prej kryeministrit Aleksandar Vučić, dhe që gëlltiti nëntë prej dhjetë ulëseve, që u rezervohen serbëve, gjatë zgjedhjeve legjislative të parakohshme të qershorit 2014. Vučić e krijoi saktësisht LS-në në perspektivën e kontrollit të asociacionit/bashkësisë. Qëllimi, i cili nuk u fsheh, ishte pozicionimi i LS-së si formacion nën kontrollin e Beogradit në mënyrë të tillë që të bëhej i pashmangshëm për qeverinë e Kosovës, në emër të ulëseve të rezervuara për pakicën serbe, dhe si forcë bllokimi ndaj Kuvendit dhe çdo amandatimi kushtetues që kërkon votën e dyfishtë, gjë që përfshin atë të njëzet ulëseve të rezervuara për pakicat. Ky vullnet për të krijuar «Kalin e Trojës» rridhte prej konstatimit të Beogradit që, edhe pse me trysninë e pushtetit serb mbi serbët e Kosovës, krahasuar me zgjedhjet komunale të vitit 2009, këta të fundit kishin dalë më shumë në votime, kur pjesëmarrja mbetej gjithsesi e ulët.

Më 25 gusht 2015, duke përfituar prej pushimeve verore, kësaj here është kryeministri Isa Mustafa – ish-kryebashkiak i Prishtinës i mundur prej LVV-së dhe drejtues prej vitit 2010 i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – ai që thelloi marrëveshjen e Brukselit duke nënshkruar me homologun serb, me ndërmjetësimin europian, një marrëveshje që përcaktonte parimet e përgjithshme të asociacionit/bashkësisë (si dhe kapituj të tjerë të lidhur me energjinë, telekomunikimin dhe lirinë e qarkullimit mbi urën e Mitrovicës).

Tradhtia e drejtuesit të LDK-së, i cili e kishte mbyllur në fund të vitit 2014 një gjashtëmujor kaosi politik post-zgjedhor duke thyer unitetin opozitar që kishte për qëllim dërgimin e PDK-së në opozitë, parashihte tashmë një mandat të vështirë për kryeministrin. Por mungesa e konsultimeve dhe e transparencës nga ana e ekipit të negociatave qeveritare u ndesh rëndë me opinionin publik dhe përshpejtoi bashkërendimin e opozitave për të penguar aplikimin e statuseve të këtij entiteti. Gjykata Kushtetuese dha madje të drejtë në dhjetor 2015 duke nxjerrë përfundimin se ky entitet i dëshiruar prej Bashkimit Europian (dhe prej Shteteve të Bashkuara) me kërkesën e Beogradit shkelte njëzet e tre nene të Kushtetutës së Kosovës, kur në fakt vetë kjo Kushtetutë ishte e hartuar dhe e legjitimuar prej «bashkësisë ndërkombëtare».

Dialogu turbullohet në Kosovë edhe prej shtrëngesash të tjera 

Por administrimi i Kosovës nuk është i prekur prej një paradoksi të vetëm, dhe koherenca e tij duhet kërkuar më shumë në objektivat e fiksuara prej Washingtonit dhe Brukselit sesa në tekstet që e rregullojnë. Imponohet fleksibiliteti, sidomos në lidhje me dokumentin themelor të Republikës së re. Në fund të fundit, si bashkë-redaktorë kryesorë, amerikanët dhe europianët ndjehen edhe si bashkë-pronarë të saj.

Kështu ndodhi edhe me ligjin e 3 gushtit 2015 që iu adresua prej qeverisë Kuvendit nën trysninë ndërkombëtare. Ky ligj propozonte amandatimin kushtetues (neni 162) që vendoste Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Hetuesit të Specializuar. Pas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY), Shtyllës për Drejtësi të UNMIK-ut, pas misionit europian të shtetit të së drejtës EULEX, ja që Kosovës i duhet të presë edhe një juridiksion të katërt ndërkombëtar të drejtësisë për gjykimin e krimeve të luftës. Kjo gjykatë e re financohet prej Bashkimit Europian, dhe ka për veçanti të integrojë tërë nivelet e sistemit gjyqësor në Kosovë, por me gjyqtarë europianë dhe një prokuror amerikan të vendosur jashtë vendit, në këtë rast në Hagë. Risi hibride origjinale që duke integruar të drejtën e Kosovës dhe të drejtën penale ndërkombëtare, ka aftësinë të riparojë mangësitë e TPIY-së, mbylljen e të cilës do të duhej edhe ta pararendte në dhjetor 2017.

Ekzistencën e vet ia ka për borxh pretendimeve të vitit 2008, të ish-prokurores së TPIY-së, Carla del Ponte, që nuk u argumentuan kurrë, por që u ndoqën nga një raport i vitit 2010, të ish-prokurorit dhe senatorit zviceran, Dick Marty, i mandatuar prej Këshillit të Europës. Akuzat flisnin për krime lufte të hamendësuara se ishin kryer prej ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe në veçanti trafikim organesh. Ky raport nxiti krijimin e një Task Force brenda EULEX-it, që nuk bëri më shumë se Shtylla e Drejtësisë e UNMIK-ut për t’i dhënë përgjigje pretendimeve. Në përfundim, Kosova po njeh një eksperimentim të ri, ndërkohë që tridhjetë e pesë shqiptarë dhe njëzet e shtatë serbë ishin ndëshkuar për një konflikt që shkaktoi vdekjen e më shumë se 13’000 njerëzve, prej të cilëve 81 për qind ishin shqiptarë. Ndërsa shpërpjesëtimi i shifrave ushqen një ndjenjë padrejtësie në Kosovë, këto shifra nxjerrin në pah më shumë se gjithçka dështimet e përsëritura të drejtësisë ndërkombëtare.

Por çështja e Gjykatës Speciale e godet dialogun në dy skajet e veta. Më së pari, sepse, nën trysninë e vijimeve të shprehura në raportin e Këshillit të Europës, kryeministri Hashim Thaçi, i shënjestruari i parë prej pretendimeve, pranon më në fund ta marrë përsipër dialogun. Ai vë bast se po të luajë rolin e aktorit konstruktiv dhe të pashmangshëm, do të jetë gjithnjë i mbrojtur dhe do t’u shpëtojë hetimeve të mundshme. Jo se u besohet me të vërtetë pretendimeve të trafikut të organeve. Por, krime që i vihen përsipër UÇK-së janë kryer në fakt kundër rreth pesëqind civilëve, përfshirë krimet politike ndërshqiptare gjatë dhe pas luftës. LDK-ja ishte kryesisht viktimë, gjë që shpjegon edhe arsyen e të qenit e vetmja parti që i jep mbështetje të hapur kësaj gjykate. Afati i kompetencave të gjykimeve të gjykatës – prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, prej dhe përtej konfliktit – ngjall në realitet në shoqëri shpresat se do të ndëshkohen krime të kryera prej një grupi individësh në emër të gllabërimit që kanë orkestruar në planin e levave politike dhe ekonomike. Nuk bëhet më fjalë për ta të gjykojnë specifikisht UÇK-në. Atëherë kur Kosova po hyn në një fazë që pretendohet të jetë fazë përfundimtare e dialogut dhe se gjykata ka thirrur seancat e para në janar 2019 (pas një vonese që u shkaktua fillimisht prej tërheqjes së prokurorit amerikan), të dy proceset gjatë këtij viti do të duhet të trondisnin dhe të shkaktonin një administrim të stërhollë të krizës me të cilën është mësuar tashmë Kosova.

Elementi i dytë që e turbulloi vijimin e dialogut dhe e dobësoi ekzekutivin qe nënshkrimi më 26 gusht 2015, gjithnjë në të njëjtin muaj të pushimeve verore, i një marrëveshjeje mbi skicimin e vijës kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës. Duke takuar zëvendëskryeministrat dhe ministrat e brendshëm të të dy vendeve, Prishtina përfaqësohej prej Hashim Thaçit (në atë kohë edhe ministër i punëve të Jashtme) dhe Skënder Hysenit (LDK). Ky nënshkrim erdhi habitshëm fill pas marrëveshjes për asociacionin/bashkësinë, por këto dy marrëveshje i përgjigjeshin edhe një sekuence diplomatike ku nuk kishte mbetur asgjë që mund t’i jepej vlerë: mbledhja vjetore mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit (procesi i Berlinit) që u zhvillua kësaj here në Vjenë më 27 gusht. Aty mund të ndeshim vullnetin e njëkohshëm për të përshpejtuar ngjarjet, për të mbjellë rrëmujën, për të vënë opozitën me shpatulla për muri dhe për ta kthyer në karikaturë kur detyrohet të përdorë dhunën për t’u bërë pengesë proceseve (me këtë dhunë kuptojmë përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend).

Muajt që rrodhën që atëherë qenë efektivisht një tollovi e vërtetë për Kuvendin e Kosovës. Përkrah LVV-së gjendeshin në atë periudhë ata që qeverisin sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK, Ramush Haradinaj) dhe disidentët e PDK-së që kishin themeluar në vitin 2014 Nismën për Kosovën (NISMA, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi). Ashpërsia e opozitës ushqehej prej imazhit që prodhonin diskutimet me dyer të mbyllura në Bruksel apo paqartësia e marrëveshjes mbi demarkacionin e kufirit dhe argumentet teknikë të kundërshtuara që motivuan dhe nënshkrimin e tij. Shtuar edhe fakti se opozita zotëronte shumë shpejt elementët që provonin humbje territori për Kosovën, humbje e vlerësuar në 82,29 kilometra katrorë. Në këto kushte, nuk është e çuditshme se përse Mali i Zi e ratifikoi pa asnjë mëdyshje këtë Marrëveshje të 2015-s.

Po të vlerësohet më përgjithësisht, është interesante të dallohet sesi Kosova, nën shtrëngesë dhe pa respektin e kritereve deri atëherë të zbatuara për kohën e Jugosllavisë si dhe gjatë copëtimit të kësaj federate, u detyrua të ratifikojë marrëveshjen në mars 2018. Prishtina gjendej nën trysninë e dyfishtë. Nga njëra anë është NATO dhe marrëdhënia e saj me Malin e Zi, i cili – shënjestër që prej fundit të 2016-s e një të ashtuquajturi grushti shteti të dështuar, të orkestruar prej Moskës – përgatitej të bëhej anëtari i 29 i Aleancës (qershor 2017). Edhe pse e pranishme dhe me detyrën e sigurisë së Kosovës, përmes KFOR-it, për Aleancën as që nuk bëhej fjalë të ekzistonte në kufirin e saj të jashtëm një hapësirë e papërcaktuar. Nga ana tjetër ishte Bashkimi Europian qëkurse në vitin 2012 ishte hapur një dialog për liberalizimin e vizave mes Kosovës dhe Komisionit Europian. Në listën e vet të përbërë prej 95 kriteresh, Komisioni kishte përfshirë çështjen e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi me qëllim që të vendoste sistemin e integruar të administrimit të kufirit (Immigration and Border Management). Por me këmbëngulje, kjo kërkesë u shfaq si parakusht i detyruar në dhjetor 2015.

Me këtë kërkesë specifike, Kosovarët kanë të drejtë legjitime të pyesin se përse ky kriter duhet të zbatohet për ta kur nuk qe rasti i liberalizimit të vizave që iu dha gruzianëve dhe moldavëve në vitin 2014, apo ukrainasve më 2017, tamam kur këto vende pësonin nga ana e Rusisë pushtime dhe aneksime të një pjese të territoreve të tyre përkatëse. Ky dallim trajtimi mbetet i pakuptueshëm për kosovarët shqiptarë, ndërkohë që kosovarët serbë kanë mundësinë të pajisen me pasaportën e Serbisë dhe të përfitojnë nga regjimi i heqjes së vizave. Bashkimi Europian as nuk e mori mundimin të shpjegonte këtë gjendje të faktit dhe u la peshën përgjegjësve politikë dhe premtimeve të tyre të përsëritura për liberalizimin e afërt të vizave, çka ndihmoi ftohjen që minon besimin për sa i takon Bashkimit Europian.

Çështja e vizave është sot i vetmi projekt konkret që lidh pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës me Bashkimin Europian. Hyrja në fuqi në prill 2016 e marrëveshjes së stabilizim-asociimit që nis dhe procesin e gjatë të anëtarësimit nuk i përgjigjet pritjeve të menjëhershme për lëvizje të lirë. Kjo çështje ushqen ndjenja padrejtësie në lidhje me vendet e tjera kandidata. Pastaj, po të merren parasysh kushtëzimet e tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin, dhe kjo u duket po aq të padrejtë sepse ata vlerësojnë se janë pikërisht më të korruptuarit që lëvizin të lirë sipas qejfit.

Nga një aspekt teknokratik, përmbushja e kritereve të forcimit të shtetit të së drejtës justifikon vendosmërinë, pa vënë re ndonjë trajtim të pabarabartë prej Bashkimit Europian mes vendeve të ndryshme. Këto kritere u japin vendeve anëtarë mundësinë e ndërtimit të pozicioneve të tyre. Por, siç e pamë më lartë në rastin e vendeve jo-kandidatë por vetëm «të asociuar», të kërkosh liberalizimin e vizave mund të jetë akt politik në kahun e fuqisë kërcënuese fqinje. Në rastin e Kosovës, Bashkimi Europian duket se i shtyn gjërat për më vonë me qëllim. Le të vëmë bastin se kjo e drejtë e lirisë së lëvizjes në hapësirën Schengen do t’i jepet pak para ose pas përfundimit të dialogut me Serbinë… Ky do të jetë ventili i sigurisë për opinionin publik që do të ketë interes më shumë për të gjetur zgjidhje diku tjetër se sa të merret me kompromiset e një dialogu që presidenti Hashim Thaçi nuk resht së parashikuari se do të jetë «i dhimbshëm»… Nuk e ditëm për një kohë të gjatë se ç’donte të thoshte me këto fjalë, deri kur në verën e 2018-s u rishfaqën opsionet e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve me Serbinë, gjë që do ta shohim më poshtë.

II – Dialogu: për çka flitet pra sot?
Në këtë sfond krize politike, dialogu ngeci…

I aftë në artin e të shpëtuarit prej çdo përgjegjësie (para dhe) pas marrëveshjes së prillit 2013, siç bëri edhe kur ishte zëvendëskryeministër i kushtuar ndaj përmirësimit të imazhit të vet jashtë me kapelën e dyfishtë të ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, orkestroi një fazë të dytë, më 26 shkurt 2016, një parodi vote në Kuvend për t’u zgjedhur president përballë një kandidati kukull të partisë së vet. U harrua praktika e emërimit të presidentit konsensual dhe angazhimet e marra në vitin 2011 pas krizës së emërimit dhe rrëzimit të kandidatit të kundërshtuar deri atëherë. Reforma zgjedhore dhe kushtetuese e shtyrë prej ambasadorit amerikan për të zhbllokuar këtë krizë nuk zuri kurrë vend. Arsyeja është se vetë i interesuari nuk mund të kalonte as turnin e parë me votë të drejtpërdrejtë dhe të përgjithshme, siç e dëftojnë në secilin votim zgjedhjesh legjislative prurjet e votave për të.

Spektakli qesharak i votës presidenciale arriti të realizohej për shkak të rivënies në shqyrtim prej Gjykatës të një vlerësimi që ajo vetë e kishte nënvizuar për të zhvlerësuar zgjedhjen e pasanikut të ndërtimit dhe shefit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli. Në vitin 2011, zgjedhja e këtij të fundit u anulua sepse, për shkak të bojkotit të opozitës, ai nuk përftoi votat e dy të tretave të 120 deputetëve. Por në vitin 2016, në garën e rreme me kandidatin e partisë së vet, presidenti i ardhshëm Hashim Thaçi u mjaftua me praninë abstenuese të deputetëve serbë të LS-së për të mbërritur kuorumin e dy të tretave të numrit të plotë të deputetëve. Më pas, veç në fund të një suspansi të rremë me tre raunde ai përftoi progresivisht 50, 64 dhe në vijim 71 vota në favor të tij (duke përfshirë dhe votën e «kundërshtarit» të tij). Me thjeshtë praninë e tyre të rëndë në çmim, deputetët e LS-së përfituan nga rasti për të rideklaruar kushtet e tyre, veçanërisht atë të asociacion/bashkësisë.

Ky votim, që u bojkotua natyrshëm prej opozitës, duket se i shtrëngoi më shumë radhët e saj. LVV-ja, AAK-ja dhe NISMA kishin shpresën e zgjedhjeve të parakohshme, ngaqë zgjedhja e presidentit Hashim Thaçi u analizua si largim i këtij të fundit prej PDK-së, duke ia lënë drejtimin që këtej e tutje ish-shefit të shërbimit sekret të UÇK-së, tashmë kryetar i Kuvendit që prej vitit 2014, Kadri Veselit. Ndërsa ky po shihej si kryeministër i ardhshëm, hamendësohej se tashmë po e përgatiste rrëzimin e qeverisë. Dobësimi i LDK-së dhe i kryeministrit të saj të izoluar, po atij që braktisi bllokun e opozitës më 2014-n kundër mendimit të militantëve të vet, po luante në favor të skenarit të rrënimit të koalicionit PDK-LDK-LS.

Ky skenar dukej gjithnjë e më i mundshëm në fillim të vitit 2017, qëkurse ish-kryeministri dhe shefi i AAK-së, Ramush Haradinaj, u arrestua nga autoritetet franceze në aeroportin e Baselit në bazë të një fletarresti ndërkombëtar, të lëshuar për krime lufte prej Serbisë në vitin 2004, edhe pse drejtuesi kosovar u gjykua dy herë dhe u lirua nga TPIY-ja. Po ta shohësh më nga afër, çështja është shumë e veçantë kur dihet se Ramush Haradinaj udhëtonte rregullisht dhe pa pengesa, përfshirë edhe në Francë. Veç kësaj, kjo sekuencë meriton edhe komente të tjera.

Nga njëra anë, mosbesimi i vjetër dhe reciprok mes këtij të fundit dhe Hashim Thaçit mund të ngjallte shqetësime te presidenti i Kosovës, tamam kur i pari përgatitej të nisej për në Shtetet e Bashkuara për t’u pritur nga nivelet më të lartë të shtetit. Përballë mobilizimit popullor të organizuar, veçanërisht prej veteranëve të UÇK-së, kundër Francës për të liruar ish-komandantin, presidenti instrumentalizoi të vetmin subjekt që bashkonte klasën politike, popullsinë, përfshirë edhe veteranët: shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK). Manovra përmblidhej në sugjerimin e këtij transformimi me rrugën e ndryshimeve legjislative duke shmangur rrugën kushtetuese që do të mund të pengohej prej votës së LS-së. Më 14 shkurt, një rezolutë e Kuvendit ftoi qeverinë të paraqiste një strategji, pastaj presidenti ia kaloi këtë projekt-ligj, më 7 mars, duke kërcënuar madje edhe me dorëheqjen e tij nëse Kuvendi nuk e miratonte. Përpjekja e tij kishte për synim kryesor të shpërndajë tensionet dhe të përqendrojë vëmendjen drejt vetes e jo drejt rivalit që ishte në pritje të vendimit të drejtësisë franceze. Dhe duke i dhënë një lustër të re imazhit të vet pranë veteranëve, ai i instrumentalizoi për të krijuar rreth vetes një përqendrim të ri. Dhe kësisoj erdhi momenti i paqësimit përmes fjalës presidenciale të ndarë në dy faza nën trysninë ndërkombëtare, kryesisht asaj amerikane dhe asaj të NATO-s. Më së pari, pasi në 9 mars Kuvendi miratoi një rezolutë që e pezullonte dialogun me Serbinë për sa kohë që Ramush Haradinaj nuk lihej i lirë, presidenti garantoi më 14 mars se asnjë akt i njëanshëm nuk do të ndërmerrej për të krijuar FAK-un – kjo fazë e zbutjes së tensioneve u shoqërua në fund të marsit me kthimin e LS-së në institucione pas pesë muajsh bojkoti që i bashkohej edhe një projekt-ligji tjetër. Më pas, ai njoftoi më 7 prill se e tërhiqte tekstin e tij derisa institucionet e Kosovës të ishin në gjendje të përftonin ndryshimet kushtetuese të nevojshme për formimin e FAK-ut. Ai po rimerrte përsëri formën e udhëheqësit «të përgjegjshëm», aq më tepër që po atë ditë ekstremizmi dhe nacionalizmi po shprehej prej zërit të deputetit dhe ish-luftëtarit Daut Haradinaj, i cili kërcënonte me luftë për «Kosovën etnikisht të pastër» nëse i vëllai nuk do të lirohej. Ky lirim mbërriti më në fund më 27 prill, duke përgatitur episodin në vazhdim që kishte qëllimin të rifuste në lojë dialogun me Serbinë, gjë që kishte ngjallur mes dy partive, prej janarit, më se dy herë vetëm deklarata që thërrisnin qetësinë dhe shmangnin ligjërimet provokuese.

Dialogu mbetej përherë vetëm një zhurmë e mbytur në sfond…

Sepse para rifillimit të dialogut, kushte të reja duhej të krijoheshin në Kosovë, ndërsa në Serbi, pushteti i SNS-së ishte rehatuar edhe më shumë me një shumicë të gjerë që prej një viti, dhe kryeministri Aleksandar Vučić ishte zgjedhur president i Serbisë që në raundin e parë, më 2 prill 2017.

Koha për të ndryshuar shumicën po i imponohej tashmë Prishtinës, dhe prapa perdeve PDK-ja po lehtësonte manovrat që rrëzonin qeverinë e vet. Koalicioni ishte i dobët dhe kryeministri Isa Mustafa (LDK) kishte pësuar gjatë tetëmbëdhjetë muajve të mandatit të tij sulme të ashpra prej aleatëve të tij të vjetër të opozitës. Kjo e fundit i kishte ndarë rolet: LVV-ja drejtonte luftën kundër asociacionit/bashkësisë, AAK-ja atë kundër marrëveshjes kufitare më Malin e Zi (gjë që prekte pikërisht Dukagjinin, bastionin e Ramush Haradinajt). Në fund vinte NISMA që ndërmori mocionin e censurës kur Isa Mustafa njoftonte se nëse qeveria e tij e merrte aprovimin me votë, ai do të procedonte pa vonesë ratifikimin e projekt-ligjit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ndërkaq udhëheqja e PDK-së bëri kujdes të mos jepte asnjë porosi, dhe falë votës së pothuaj tërë deputetëve të saj, më 10 maj, votimi i dha shtysën rënies së qeverisë dhe çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme.

Saktësisht një javë më vonë, njoftimi i një marrëveshjeje koalicioni mes PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s (koalicioni PAN) habiti jo pak prej vëzhguesve të procesit, përveç atyre që kishin në mendje parametrat që vijojnë: PDK-ja nuk e lëshon pushtetin dhe dëshironte të hiqte qafe LDK-në; me një imazh të lartësuar prej mbajtjes së tij në Francë, Ramush Haradinaj nuk frymonte gjë tjetër që prej mandatit të tij të shkurtër e të ndërprerë në mars 2005, për shkak të fajësimit prej TPIY-së, veçse të ribëhej kryeministër; NISMA nuk është tjetër veçse parti oportuniste; këta tre formacione përfaqësojnë UÇK-në, nuk kanë besim te njëri-tjetri dhe duan të mbrohen prej Gjykatës Speciale; vetëm Ramush Haradinaj e kishte mundësinë të kalonte marrëveshjen e demarkimit të kufirit; Amerikanët dhe europianët nuk mund të ishin për një qeveri të drejtuar nga LVV-ja që dominonte dhe që mund ta përmbyste mbarëvajtjen e dialogut.

Votimi i 11 qershorit 2017 nuk e tejkaloi pjesëmarrjen 42 për qind. Por konfirmoi në fakt dominimin e LVV-së dhe rënien e partive të tjera kryesore. Vetëm falë aleancës, PAN-i (ose koalicioni i quajtur «i luftës») fitoi ndërkohë që LDK-ja po paguante haraçin e gabimeve të saj. Sa për LS-në, ngritja e votës së serbëve të Kosovës nuk ndryshonte asgjë në ekuacionin e partisë së teledirigjuar prej Beogradit, e cila mbante tashmë 10 ulëset që i rezervoheshin komunitetit serb, gjithnjë duke vazhduar t’i mohonte institucionet e Kosovës. Nga 100 deputetët shqiptarë të ndarë në listat e Kosovës, që e ka tërë territorin në të njëjtin dhe të vetmin qark ku zgjedhësit mund të zgjedhin deputetin e pëlqyer të tyre, LVV-ja përmbante 5 më të votuarit, LAA-ja (LDK dhe aleatët) kishte 3 dhe PAN vetëm 2: udhëheqësi i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe drejtuesi i AAK-së, Ramush Haradinaj, përkatësisht në pozicion të dytë e të katërt, shumë larg prej më të votuarit dhe udhëheqësit të LVV-së, Albin Kurtit. Ky i fundit dhe partia e tij që po jetonte tensione të brendshme – për të cilat do të flasim më tej – këtej e tutje do të bëheshin intensivisht shënjestra kryesore e shumë aktorëve ndërkombëtarë dhe e forcave në pushtet, përfshirë edhe ata që kishin qenë aleatë të tyre.

I shpalosur më 26 qershor, plani me nëntë pika i Albin Kurtit, që kishte për synim të propozonte një platformë dhe një alternativë në kuadrin e dialogut me Serbinë, ngulmonte në nevojën pararendëse të dialogut me serbët e Kosovës dhe me pakicat e tjera, si dhe nevojat e përbashkëta në planin e zhvillimit socio-ekonomik. Ai i kundërvinte dialogut «të mbyllur dhe diplomatik» me dialogun gjithëpërfshirës dhe transparent. I caktuar prej partisë së vet si kandidati për kryeministër, pa e pasur mundësinë të bëhej i tillë pas shkarjes së aleatëve të tij dhe pa mbështetjen e ambasadave, plani i tij alternativ nuk mund të kishte aleanca përtej partisë së vet. Por, taktikisht, ai po bënte një hap përpara me projekt-programin e përbashkët që mblidhte rreth vetes shumicën e 61 votave po të merrte mbështetjen e koalicionit të drejtuar nga LDK-ja (LAA), dhe në veçanti të elementëve reformatorë të kësaj partie, pra, duke përjashtuar kthimin e drejtuesit dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa. Strategjikisht, LVV-ja ruante përparësinë e saj në prurjen e ideve, ndërkohë që analizat e saj mbi procesin e dialogut dhe mbi temat e mëdha të kësaj dekade përkraheshin tashmë prej një pjese të gjerë të shoqërisë civile dhe kanë fituar terren në të gjithë formacionet politikë shqiptaro-kosovarë.

Ky plan u harrua shpejt ndërsa aktualiteti veror iu përkushtua veprimeve për formimin e qeverisë së Ramush Haradinajt, gjë që dukej e brishtë po të shiheshin votat e koalicionit PAN: me 39 ulëset dhe me gjithë prurjen e atyre të LS-së dhe pakicave të tjera, mungonin gjithnjë dy vota për të kapur shumicën e 61 vendeve. Manovrat përqendroheshin tashmë te kujdesi që të mos lejohej mundësia e ndonjë koalicioni LVV-LAA (LDK), që do ta bënte të mundshëm pasja e 61 votave të nevojshme në parlament, dhe te moslejimi i krijimit të qeverisë së pavarur prej partisë së teledirigjuar prej Beogradit. Frika e akterëve ndërkombëtarë ishte e arsyetuar prej dëshirës së tyre për të shmangur administrimin e përsëritjes së gjashtë muajve bllokim të vitit 2014. Por shqetësimi i tyre strategjik ishte që të mos i lejonin Kosovës mundësinë me përmbysë parametrat e dialogut me Serbinë. 

Më pas dialogu erdhi me mjegullnajën për aureolë…

Sekuenca nisi që prej 28 qershorit, dita kombëtare dhe fetare e serbëve që shënon veçanërisht Betejën e Kosovës së vitit 1389. Presidenti Hashim Thaçi përgëzoi homologun e vet serb për fitoren e këtij të fundit dhe që të dy shprehën vullnetin e përbashkët për të rinisur dhe përvijuar dialogun. Le të vëmë në dukje se paralelisht me gjeste të një vullneti të tillë, presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, zgjodhi po atë ditë për të njoftuar se adoptimi i rregullores së Gjykatës i hapte udhë që javën e ardhshme pritjes së dosjeve të akuzës kundër anëtarëve të UÇK-së.

Paralelisht me spekulimet se mbi kë bien këto akuza dhe kur, turbullimi nisi të pushtonte mendjet me njoftimin e përsëritur formalisht për një «fazë të re të dialogut» gjatë një takimi të dy presidentëve me Federica Mogherinin në Bruksel më 3 korrik 2017. Disa ditë më vonë, presidenti i Kosovës do të konfirmonte se kjo fazë e re «do t’i hapte Kosovës perspektivën e sigurt euro-atlantike… por do të përshpejtojë gjithashtu procesin e integrimit të Serbisë». Kështu i përmblidhte objektivat strategjikë të dy vendeve për të arsyetuar dialogun përpara opinioneve publikë respektivë.

Ndërsa për të afirmuar karakterin «final» të kësaj faze të re të normalizimit dhe pajtimit, u përdor një hile që vijon sot e kësaj dite të mbjellë rrëmujën (përfshirë këtu edhe shqetësimin te serbët e Kosovës). Ajo çka deshi të rindizte takimi i Brukselit pas pesë muajve pa asnjë takim të nivelit të lartë dhe pas daljes prej periudhave zgjedhore, janë përgatitja e kësaj faze të dialogut dhe vënia në zbatim e marrëveshjeve pararendëse, në veçanti e asociacionit/bashkësisë. Sa për karakterin final të kësaj faze, ai nuk mund me qenë tjetër veçse mundësia e një marrëveshjeje (të re) të detajuar mes këtyre dy palëve. Do të jetë pra marrëveshja e fundit e mundshme për ekipin aktual të Brukselit para zgjedhjeve europiane.

Sa për të tjerat, premtimet e presidentit serb për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Europian, dhe ato të presidentit kosovar për anëtarësim të sigurt në Bashkimin Europian, NATO dhe OKB, të gjitha premtimet mbeten të varura prej nevojave dhe kontingjencave për tejkalimin e të cilave ripajtimi formal mes dy udhëheqësve nuk do të ishte i mjaftueshëm. Dhe në radhë të parë në Kosovë ku vënia në zbatim e angazhimeve të ndërmarrë nga presidenti, krejt i vetëm, bie mbi një ekzekutiv të dobët dhe të përbërë nga kundërshtarë të këtyre angazhimeve. Por në Bruksel dhe në Washington pa dyshim që imagjinohet ende se akterët e «koalicionit të luftës» do të ishin më të besueshëm falë autoritetit të tyre, dhe më të butë falë dosjeve që zotërojnë kanceleritë dhe shërbimet e inteligjencave. 

Por dialogu shpie në rikompozim politik…

Kësisoj, historia nuk na thotë sot nëse aktorët ndërkombëtarë besuan vërtet se mund të bazoheshin mbi respektin e fjalës së dhënë dhe autoritetin që karakterizonte drejtimin e shkurtër të ekzekutivit prej Ramush Haradinajt, në periudhën 2004-2005. Të paktën ky është imazhi që u ushqye në lidhje me të për të ndëshkuar «padrejtësinë» për vendin që iu vodh dhe për të arsyetuar se i takonte të kthehej në postin e kryeministrit.

Vëzhguesve të kujdesshëm nuk u shpëtoi pa vënë re përgjatë verës së vitit 2017 se «magjia» Haradinaj nuk po funksiononte më. Ajo nuk i mblidhte më njerëzit dhe as e paqësonte klimën politike. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se nëntë vite pas përfundimit të përvojës së parë qeveritare të AAK-së (nga dhjetori 2004 deri në janar 2008), kujtimi për devijimet e qeverisjes së tij të keqe nuk ishte fshirë ende – edhe pse nuk kishte të krahasuar me ç’qe bërë prej qeverisjes së PDK-së me themelimin prej saj të sistemit së «kapjes së shtetit» –, shtuar edhe fakti se kalimet oportuniste të AAK-së kah PDK-ja e kishin zbehur besimin popullor ndaj drejtuesve. Duke u shkëputur prej opozitës për t’u bashkaur me kundërshtarin e vet të zgjedhjeve të 2017-së, duke pasur për çështje të mandatit zbatimin e asaj që ai vetë e kishte kritikuar ashpërsisht vitet e fundit, Ramush Haradinaj e zverdhi atë besim që përbënte forcën e vet.

Duke i parë vështirësitë për të grumbulluar 61 votat që e konfirmonin si kryeministër, nuk është e habitshme që të kërkohej një muaj për çertifikimin e rezultateve (vetëm rreth 780’000 vota, me pjesëmarrje 41,3 për qind). Kjo i linte kohën e nevojshme presidentit Hashim Thaçi për të thirrë seancën konstitutive të Kuvendit (tridhjetë ditë maksimumi për të caktuar kryetarin e tij dhe pesëmbëdhjetë ditë për të votuar kryeministrin). Ky fitim kohe kishte tri përparësi taktike: për qeverinë në ikje linte mundësinë të vijonte të merrte vendime dhe të shmangte rishikimin delikat të buxhetit; për presidentin mundësinë për të dalë prej rolit të tij të kufizuar te dialogu dhe për t’iu kthyer lojës politike, pra për t’u siguruar veçanërisht se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, do të qëndronte në krye të Kuvendit; dhe për vetë kryetarin e PDK-së, Veseli, të jetë i sigurt tërthorë se deputetët do të ishin vendosur në përkrahje të koalicionit të partive për të garantuar shumicën e votave.

E inauguruar më 3 gusht, pasi u trondit disi prej konsultimeve parapërgatitore të bojkotuara si nga koalicioni PAN edhe nga opozita (LVV, LDK), por edhe prej seancave që dështonin në mbledhjen e numrit të mjaftueshëm të votave, seanca konstituive e Kuvendit ia mbërriti më në fund më 7 shtator të rizgjedhë Kadri Veselin, dhe më pas më 9 shtator në konfirmimin e Ramush Haradinajt në krye të qeverisë (me 61 vota dhe një abstenim) ku partia e vet është pakicë. Ky zhbllokim u bë i mundur kur më 4 shtator udhëheqësi i AKR-së, Behgjet Pacolli, këpuste marrëdhëniet me koalicionin e dominuar prej LDK-së, duke i ofruar kështu tri ulëset e veta koalicionit PAN. Me këtë qeverisje të stërngarkuar, të përbërë nga 5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra dhe nja pesëdhjetë zëvendës-ministra, numri i të cilëve tejkaloi tetëdhjetëshen në vitin 2018, kandidati fatkeq i presidencës, në vitin 2011, Behgjet Pacolli, përfitonte në këtë shans të dytë duke zënë funksionin e dyfishtë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme. Kuptohet, kjo votë nuk u bë e mundur veçse nga AKR, por edhe nga partia serbe LS, e cila mori pjesë në votim, pas konsultimeve në Beograd.

Vonesa për të mbledhur Kuvendin dhe për emëruar qeverinë vjen për shkak të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të përdorur në vitin 2014 pas bllokimit institucional të asaj kohe. Vendimi formulonte se propozimi i presidentit për caktimin e kryetarit të Kuvendit duhet të dilte prej partisë ose koalicionit që kishte fituar në zgjedhjet legjislative. Mirëpo, në vitin 2017, dinamika e votës mazhoritare gjendej nga ana e opozitës me LVV-në si parti e parë në zgjedhje. Kështu që, pa bashkimin e AKR-së, opozita kishte mjetet për me e shpënë në dështim votën e besimit për qeverinë. Kushtetuta (neni 95) parasheh në fakt se pas dy dështimeve, presidenti duhet të thërrasë zgjedhje të reja legjislative. Disa besuan deri edhe mundësinë e këtij skenari, gjë që do të kishte bashkuar votimin legjislativ me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Krejt si formimi i koalicionit PAN, zgjedhjet lokale do të sjellin ndihmën e tyre në konfigurimin e peizazhit politik të Kosovës. Nga 38 komuna të Kosovës, raundi i dytë ishte i nevojshëm në gjysmën e tyre. Përveç dobësimit të partive të vjetra në bastionet e tyre tradicionalë, duhet të kujtohen dy prirje të rëndësishme: konfirmimi i vendit të LVV (3 komuna të fituara mes të cilave përsëritja e fitores në kryeqytetin Prishtinë; balotazh në tri të tjera); rritja e pjesëmarrjes së serbëve por me dominimin e LS-së duke u përdorur gjerësisht aktet e frikësimit kundër çdo formacioni tjetër serb që do të kishte prirje bashkëpunimi me autoritetet e Prishtinës.

Por fenomeni kryesor i ripërbërjes, i panjohur deri tani, ishte ndarja e partisë kryesore që gëzonte premtimin të drejtonte qeverinë në rast zgjedhjesh të parakohshme. Zgjedhjet komunale sapo ishin kryer kur tensionet ekzistuese në gjirin e LVV-së dolën në pah. E ushqyer nga ambicie të kundërta, prej larmisë që mbarte kjo parti e re e themeluar në vitin 2004 mbi bazën e një lëvizjeje të shoqërisë civile dhe prej pakënaqësisë së një pjese kuadrosh dhe militantësh në administrimin e brendshëm të jetës së partisë, këto tensione u dhanë mjaftueshëm ura kundërshtarëve politikë dhe shërbimeve të informimit (në veçanti atyre që janë afër me PDK-në dhe ambasadat perëndimore) për të goditur rivalin kryesor. Ndërkohë që deputeti dhe themeluesi i LVV-së, Albin Kurti, kalonte një muaj në paraburgim (aty ku ai kujtohej për lirimin e vet të gjashtëmbëdhjetë viteve më parë prej burgjeve serbë), për shkak të gjykimit të tij për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2015, militantët dhe kuadrot shpërthyen në rrjetet shoqërore. Kjo ishte një sprovë e rëndë për kryetarin e asaj kohe, Visar Ymeri, që u përpoq më kot me asnjanësi pa mundur kurrë të imponojë disiplinën. Ai dha dorëheqjen në fillim të janarit, disa javë para mbarimit të mandatit të tij, mandat që e kishte nisur në mars 2015, ndërkohë që Albin Kurti, i cili e kishte njoftuar kandidaturën e tij që prej daljes nga paraburgimi, gjendej i vetmi kandidat për të (ri)udhëhequr LVV-në pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme të 22 janarit 2018. Që në atë moment, partia nisi ristruktrimin gjithnjë e më shumë rreth vlerave social-demokrate.

Përballë formacioneve që po afirmoheshin përgjithësisht dhe dobët rreth qendrës së djathtë (vetëm LDK-ja ka një marrëdhënie të vjetër me PPE-në), Albin Kurti ka pasur përherë vullnetin për një parti të aftë për të zënë vendin e një të majte moderne. Edhe Visar Ymeri kishte ndihmuar në këtë zhvillim, dhe, në një farë mënyre, edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mund ta mishëronte po ashtu këtë angazhim. Ky i fundit, i afërt që prej fëminisë me Visar Ymerin, hamendësohet të ketë ambicie më të mëdha se të qenit thjesht kryetar bashkie, e zyrtarizoi largimin e tij më 7 mars – koalicioni i tij lokal me AKR-në shpjegon pjesërisht përshpejtimin e largimit. Më 14 mars, në Kuvend, u krye ndarja me LVV-në që humbi 13 prej 32 deputetëve të saj; ndërkohë që një prej të zgjedhurve u ribashkua me radhët e AAK-së të cilën e kishte lënë më parë, 12 të tjerët krijuan një grup deputetësh të pavarur. Në marrëveshje tashmë të provuar edhe në të shkuarën me kryetaren e partisë së vjetër social-demokrate (PSD), kjo e fundit e lëshoi postin e saj për një operacion pozitiv që nga parti pa asnjë deputet e kthen në parti me 12 të tillë njëherësh. Në maj të 2018-s, Shpend Ahmeti merr kreun dhe Visar Ymeri bëhet nën-kryetar. Që në atë moment, kjo PSD që nuk po i kapërcen prirjet e votës përtej 2,5 për qind kërkon të dallohet prej LVV-së, por dhe prej NISMËS që u shndërrua në janar të 2018-s në Nisma Socialdemokrate. Në përfundim përdori masën e garancisë të të qenit opozitë për t’iu bashkuar në mbyllje të vitit 2018 ekipit qeveritar të negocimit për dialogun me Serbinë.

Para se dialogu të kthehet në një përsëritje mërmëritëse… 

Në hapësirën e ngushtë mes një qeverie të stërfryrë e me votat në minimum dhe të varur prej LS-së, premtimet për rezultate të menjëhershme dhe për pritje ndërkombëtare të ngutshme, kryeministri Ramush Haradinaj u përpoq të impononte përparësitë e tij duke rezistuar sa mundte në pozicionet që mbante pak vite më parë. Për pasojë të kaosit institucional u ngjall edhe rivaliteti i lashtë, që prej kohës së UÇK-së, me presidentin Hashim Thaçi, ndërsa gjobën e një konflikti të tillë e paguan tashmë Bashkimi Europian.

Sa për rinisjen e dialogut, ai përpiqet të vonojë, sepse çdo angazhim serioz në kushtet ekzistuese do ta shpinte në humbje. Në tetor 2017, duke bërë tamam sikur po rreshtohej në pozicionin e presidentit, i shtyrë siç duket prej Shteteve të Bashkuara që dhe këta të përfshiheshin në dialog, shefi i qeverisë e merr fjalë për fjalë porosinë për fillimin e një faze të re. Në këto rrethana, ky i fundit dëshiron që, kësaj here, Kuvendi të mandatojë personin, presidentin apo një personalitet tjetër, për ta përfaqësuar Kosovën në dialog. Prej këtej ai nuk është më pjesë e dialogut me qëllim që t’i kushtohet detyrave ekzekutive.

Dhe nga ky pozcion i largët, ai vonon njëherësh afatet e asociacionit/bashkësisë, por edhe rishtron çështjen e legjitimitetit të presidentit për të përfaqësuar që prej fillimit Kosovën në një dialog të mjegullt për të cilin ky nuk ka marrë asnjë mandat në pozicionin aktual. Duke u mbështetur në kërkesën për implikim amerikan në atë që mbetet dialog i arbitruar prej Bashkimit Europian, ai po vepron në mënyrë të tillë më shumë për t’i bërë presion Bashkimit Evropian, sesa për prej ndonjë meraku pragmatik «mbrojtjeje», siç është përfitimi që kërkon presidenti. Ndaj në nëntor 2017, takimi i Brukselit me praninë e kryeministrit dhe Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian për punët e jashtme dhe zëvendës-kryetare e Komisionit Europian, u tensionua kur kësaj të fundit iu desh të dëgjonte këmbënguljen për t’u implikuar Shtetet e Bashkuara në dialog.

Por ky tension me Brukselin dhe kjo rendje ngulmuese pranë Washingtonit reflektojnë në palën kosovare dëshpërimin në rritje për sa i takon Bashkimit Europian. Bashkimi Europian perceptohet si shumë kërkues, kur në fakt imazhi i tij është ai i dobësisë. Kjo gjë reflektohet jo vetëm në votën (e aleatit) britanik në dalje prej Bashkimit Europian, sa dhe në paaftësinë e Brukselit për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës prej pesë shteteve anëtare që i kundërvihen ngaherë. Kjo ndjenjë do të thellohet progresivisht deri në ashpërsimin që njohin sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Më së pari, në dhjetor të vitit 2017, nën trysninë e një peticioni të veteranëve të luftës, 43 deputetë dorëzuan një mocion për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme me qëllim që ta hidhnin poshtë ligjin për Gjykatën Speciale. Ndërkohë që ky votim nuk do të ndodhë kurrë, duke u parë tollovia ndërkombëtare që u shkaktua, nisma u instrumentalizua prej Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ata ditën të tregoheshin edhe solidarë në emër të «padrejtësisë historike» të Gjykatës Speciale, por edhe të ridëftonin aftësitë e tyre për me mbetur «partnerë të mirë» duke i dhënë fund kërkesës për seancë në fillim të shkurtit, periudhë që ndoshta u mjaftoi për t’u siguruar se ishin të mbrojtur nga hetimet e mundshme prej kësaj gjykate, gjë që e kanë frikë.

Kjo krizë, ku opozita më e ashpër vinte prej LDK-së, nuk ndihmoi në vendosjen e ndonjë bashkimi politik, gjë që presidenti vijonte ta quante me dëshirën e vet «fazë përfundimtare» e dialogut. Ai përmendte një «ekip unitar» të ngjashëm me atë që kishte negociuar statusin e Kosovës dhjetë vite më parë, por shefi i qeverisë nuk qe as i ngutur dhe as i përgatitur për t’iu futur kësaj pune. Kështu që vetëm në nivel këshilltarësh politikë Kosova llogariste të përfaqësohej në Bruksel për seancën teknike të rinisjes së dialogut, më 16 janar 2018, kur u vra në Mitrovicën e Veriut Oliver Ivanovići, opozitari serb, anëtar i një partie të moderuar me prirje social-demokrate. Ai ishte për një kohë të gjatë bashkëbisedues i privilegjuar i bashkësisë ndërkombëtare, ish-deputet i pas-luftës së Kosovës, i kritikuar dhe në pritje të gjykimit për krime lufte të kryer kundër shqiptarëve. Ai i ishte kundërvënë haptas frikës që shpërndante gjithandej partia LS brenda bashkësisë serbe.

Pas kësaj vrasjeje, ende sot e pasqaruar, çdo përpjekje për rinisje serioze të negociatave qe e kotë. Megjithatë, trysnia europiane ishte po kaq e shprehur në një komunikim të Komisionit prej të cilit ne do të nxjerrim formulat që përmbajnë qartësinë mbi situatën e vajtueshme të shtetit të së drejtës në rajon. Komunikimi afishonte vendosmërinë se nuk mund të kishte zgjerim të mundshëm veç me kushtin «e zgjidhjeve përfundimtare dhe shtrënguese» për çdo grindje dypalëshe.

Pastaj u shfaq rezoluta e quajtur finale mes kundërshtive dhe gjoja-kundërshtive…

Kjo «gjuhë e së vërtetës» europiane që përshkruan shmangiet e transicioneve ballkanike ka pasur vonesën për objektiv, në Bruksel sigurisht. Gjendja e Bashkimit Europian dhe opinionet europianë nuk lejojnë t’i qasesh qetësisht perspektivës së zgjerimeve të reja, përfshirë këtu horizontin 2025 siç u fol për Serbinë dhe Malin e Zi. Raportet e Komisionit që u publikuan për çdo vend më 17 prill linin pak shpresa mbi vendimmarrjet e Këshillit Europian në qershor. Po atë ditë, para Parlamentit Europian, presidenti Emmanuel Macron kushtëzonte zgjerimin me reformat në funksionimin e Bashkimit Europian, ndërsa më pas, samiti i Sofjes, i organizuar saktësisht një muaj më vonë nga presidenca bullgare e Bashkimit Europian, pati shijen e një dushi të ftohtë.

Presidenti francez përsëriti edhe një herë tjetër kundërshtinë e tij për hapjen e çdo procesi zgjerimi «pa asnjë kusht». Fjala e vërtetë do të kishte mundur të riafirmonte se proceset e stabilizim-asociimit që zbatohen në bazë të përpjekjeve të secilit prej shteteve ballkanike janë saktësisht tunelet e kushteve ku popujt e tyre nuk shohin asnjë dritë. Qenë pra sidomos Shqipëria dhe Maqedonia ato që vuajtën kundërshtimin francez dhe holandez në Këshillin Europian mes 28 dhe 29 qershorit 2018, aty ku u shty dhe vendimmarrja për to për qershorin e 2019-s. Por është e mundur që vendimet kryesorë të shtyhen për qershorin e 2020-s, kur Kroacia që do të sigurojë presidencën europiane do të dëshirojë të ringjallë premtimet që u janë bërë vendeve ballkanike në Selanik, në qershor të 2003-shit.

Në kontekstin e ndrydhjes në rritje për sa i takon një Bashkimi Europian të ngecur në vështirësitë e veta, nuk është e çuditshme që ndikimet e Rusisë, Kinës, ose Turqisë të rriten në Ballkan. Për më tepër, kjo situatë është e favorshme për presidentët e Serbisë dhe të Kosovës që gjejnë rastin të tundin me forcë dialogun duke tërhequr një president amerikan të bindur se mund të imponojë paqen aty ku të tjerët kanë dështuar para tij. Kjo lojë shejtan-budallenjsh ka për qëllim të vetëm t’u shërbejë interesave të tyre për të zgjatur mbajtjen e pushtetit.

Në Kosovë, edhe pse në rrëmujë veçanërisht prej bojkotit të ri të LS-së dhe nga presioni europian dhe serb në rritje për formimin e asociacionit/bashkësisë, procesi u bë që prej pranverës aq i paqartë sa ç’ishte dhe i mjegullt. Megjithatë, provokimet nga të dyja palët, muajt shkurt dhe mars iu përkushtuan shkëmbimeve që përfshinin në Bruksel ekipet teknikë, të cilët përqendroheshin mbi masën e zbatimit të marrëveshjeve teknike. Çka solli në Prishtinë rritjen e përpjekjeve për të hartuar statutin e asociacionit/bashkësisë, si dhe në një raport dhe një platformë që iu kaluan Kuvendit. Presidenca e Kuvendit nuk e procedoi kurrë këtë dokument në debat dhe qeveria e tërhoqi projektin e vet të platformës në fillim të qershorit. Për pasojë, nëse masa e lavdërueshme dëftonte atë transparencë që kërkohej prej shumë kohësh, ajo ndeshej me vullnetin e PDK-së për t’i dhënë mandatin kyç të negocimit presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit dhe homologu i tij serb ishin përpjekur me këmbëngulje të përsërisnin në Bruksel angazhimin e tyre për kuadrin e fazës së re të dialogut, por legjitimiteti i brishtë i presidentit të Kosovës i bënte megjithatë të dyshonin europianët mbi aftësinë e tij për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë.

Iu përkushtuan përpjekje të mëdha sidomos afrimit të pozicioneve të partive, veçanërisht tërheqjes së PSD-së jashtë radhëve të opozitës. Por përballë peshës së brengave, ishte e kotë të bindte opozitën e vendosur për t’i dhënë Kuvendit rolin kryesor në fazën e ashtuquajtur finale të dialogut, të paktën edhe për të caktuar vijat e kuqe për mandatin e negociatave me Serbinë. Brenda ekzekutivit po ashtu, natyrisht me përjashtim të PDK-së, ka pasur unanimitet për të marrë frenat e dialogut me një mandat të kufizuar prej Kuvendit, dhe për t’i refuzuar presidentit të vijojë si ndërmjetës i vetëm i dialogut, pasojat e dorëlëshimeve të të cilit kanë rënë deri tani mbi supet e të tjerëve pa marrë ai vetë përsipër as përgjegjësinë më të vogël. Në muajin mars ai e vërtetoi një gjë të tillë edhe dy herë të tjera.

Në fillim ishte ratifikimi më 21 mars i marrëveshjes së demarkimit të kufijve me Malin e Zi, gjë që u përpoq më kot qeveria ta korrigjonte për të shtyrë afatet. Ky ratifikim (dhe as përpjekjet e dukshme por të gjykuara si të pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit) nuk u shpërblye nga ana e Bashkimit Europian me liberalizimin e vizave që u premtua aq shumë herë prej vetë presidentit. Por ndërsa ky i fundit luan qetësimin me marrëdhënien miqësore me homologun e vet të gjithfuqishëm të Malit të Zi, kryeministri pa se si ra imazhi i tij prej ratifikimit që shkaktoi humbjen e territoreve ku bën pjesë edhe krahina e tij e origjinës. Ndërsa liberalizimi i vizave ishte pashmangëshmërisht i komprometuar prej veprimit të shërbimit sekret turq që në pandëshkueshmëri të plotë brenda Kosovës, më 29 mars, kapi dhe riatdhesoi pesë mësues dhe një mjek të dyshuar si simpatizantë të lëvizjes gyleniste. Degdisje të këtij soji nxitën një krizë të rëndësishme politike që e dobësoi besueshmërinë e ekzekutivit, serioziteti i të cilit vijoi të vihej në dyshim nga Brukseli edhe më 26 mars, pas arrestimit spektakular në Mitrovicën e Veriut e më pas të dërgimit jashtë për në Serbi të përfaqësuesit të Serbisë, Marko Đurić, i ardhur aty pa lejen e institucioneve kosovare. Në këtë rast, këto institucione u gjendën bashkë për respektimin e sovranitetit, ndërsa për rastin e turqve të rrëmbyer, dyshimet ranë mbi presidentin që mban për vete një autoritet të nëndheshëm mbi policinë, drejtësinë dhe shërbimet kosovare të inteligjencës, ndërkohë që afërsia e tij (përfshirë këtu edhe interesat ekonomike) me pushtetin turk është e njohur haptas. Kjo afërsi është shprehur tashmë me fjalët e tij të shqiptuara në Ankara më 29 dhjetor 2016, pothuaj gjashtë muaj pas grushtit të dështuar të shtetit: «Ai që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë».

Në këtë kontekst qorrsokakësh politikë dhe institucionalë ku gjendeshin pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, dhe prej ku përfitonte presidenti kosovar, me një dialog të bllokuar dhe me një Bashkim Europian të vendosur fort në parime por i pafuqishëm në veprim, nisën e u rikthyen si zgjidhje e një marrëveshjeje finale mes dy vendeve idetë e vjetra të ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve – opsion që nuk duhet harruar se ishte përtej vijave të kuqe gjatë negociatave mbi statusin e Kosovës para pavarësisë së vet.

Gjë që doli të ishte një zgjidhje jo aq finale…

Këta debate, që kanë të bëjnë thelbësisht me territoret në veri të Kosovës, të populluar me shumicë serbe, dhe të jugut të Serbisë (Lugina e Preshevës), i populluar në shumicë prej shqiptarëve, u shfaqën më së pari prej spekulimeve mbi takime të fshehta të fillimi të vitit 2018 mes dy presidentëve dhe emisarëve të tyre. Këto projekte të dyshuara u përgënjeshtruan kategorikisht në shkurt prej ambasadës amerikane në Prishtinë, por edhe prej zërave europianë që e kishin përsëritur unanimisht kundërshtimin e tyre për ndryshim kufijsh në Ballkan prej frikës së efektit domino dhe kthimit të konflikteve të armatosur.

Por këto opsione u ndezën fuqishëm pas diskutimeve të nivelit të lartë që vunë bashkë në bisedë sërish dy presidentët rreth Federica Mogherinit në Bruksel në datat 24 qershor dhe 18 korrik 2018. Takimi i parë ndodhi pas raportit të një think tanku të ashtuquajtur euro-atlantik të bazuar në Beograd dhe që mbronte bashkangjitjen me Serbinë të komunave të veriut të Kosovës. Për sa i takon takimit të dytë, presidenti Hashim Thaçi pranoi se nuk qe aspak i lehtë dhe se qe madje «më intensivi i gjashtë viteve të fundit». Spekulimet mbi përmbajtjen e diskutimeve u shtuan shpejt dhe më tej u ndërtuan të tjerë që hamendësonin se marrëveshja Serbi-Kosovë do të jepte dhe amnisti për krimet e luftës të kryera në vitet 1998 dhe 1999, pra se do të anulohej dhe vetë Gjykata Speciale. Presidenti kosovar i ushqente paqartësitë duke mos mohuar se edhe shkëmbimi i territoreve bënte pjesë në tryezën e diskutimeve. Nga ana e vet, zëdhënësja e Federica Mogherinit mbillte gjithashtu dyshimin kur kujtonte se ishte në interesin e saj që të dy palët të gjenin «terrenin e përbashkët për pajtim të dyanshme». I shtohej këtyre edhe deklarata pluskonjëse e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, që ai më vonë e gjykoi si keqinterpretim, por që linte të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund të ishin favorizues të ndonjë ndarjeje apo shkëmbimi territoresh.

Ambasadori u gjend edhe më në hall ngaqë prej takimit mes presidentëve rus dhe amerikan në Helsinki, më 16 korrik 2018 rrodhi informacioni – i vërtetë apo i gënjeshtërt, pak rëndësi ka – se kishin përmendur edhe zgjidhje të tilla. Çka është e sigurt, është se Serbia e nxit një zgjidhje të tillë që prej vitesh dhe se presidenti serb flet në mbrojtje të kësaj teze tërthorazi në Serbi duke e përmendur rregullisht mbajtjen e një referendumi të afërm për «një zgjidhje racionale dhe kompromisi». Askush nuk njeh edhe sot e kësaj dite termat, nëse jo objektivin, e rishikimit të Kushtetutës së 2006-s, në të cilën shprehet që në preambulë se «provinca e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë».

Në këtë atmosferë rrëmuje mbi përmbajtjen e dialogut, presidenti kosovar priti ankesat e të zgjedhurve shqiptarë të jugut të Serbisë (pasi i kishte harruar përgjatë shumë viteve të kohës kur ishte kryeministër); më pas ishte radha e dhjetë kryetarëve të komunave serbishtfolëse të Kosovës t’i shtronin kërkesën e tyre presidentit të Serbisë për të dalë në mbështetje të tyre. Nga ana e vet, presidenti Hashim Thaçi ishte i bindur se zgjidhja që prekte territoret ishte e vetmja alternativë për njohjen e shtetit të Kosovës prej Serbisë. Ai di se është i mbështetur prej Shtëpisë së Bardhë që do të dëftojë shenja gjithnjë e më të dukshme në ndihmë të një plani që ngjan pragmatik në letër. Në fillim të gushtit, ai e saktësoi mendimin e tij, pra e zbuti etimologjikisht, duke u shprehur kundër ndarjes etnike por në favor të «korrigjimit të kufijve», aq më shumë që ndarja do të shtonte problemin e pakicave serbe që jetonin në qendër dhe jug të Kosovës. Më 9 gusht, homologu i tij serb fliste edhe për dëshirën e tij për «delimitimin kufitar me shqiptarët».

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte e para që brenda Bashkimit Europian kundërshtoi haptas çdo ndryshim kufijsh. Pastaj, si përgjigje për Berlinin, në një klimë transatlantike të turbullt, është interesante të vësh re se, duke parë kontekstin ukrainas, këshilltari amerikan i sigurisë, John Bolton, foli nga Kievi për të konfirmuar disponimin e Shteteve të Bashkuara për pranimin e zgjidhjes së shkëmbimit të territoreve. Dhe atëherë kur, në gjysmën e dytë të gushtit, të ftuar prej presidencës europiane në forumin e përvitshëm europian të Alpbachut, të dy presidentët ballkanikë rikonfirmonin pozicionet e tyre pa nxjerrë në pah detaje, zërat europianë armiqësorë ndaj hapjes së Kutisë së Pandorës u shumëfishuan. Ata kishin frikë me të drejtë se mos imponohej ndonjë marrëveshje mes Washingtonit dhe Moskës në dëm të Bashkimit Europian, gjë që do t’ia humbte besueshmërinë vetë procesit të dialogut. Sjellja europiane bëhej edhe më e palexueshme kur Federica Mogherini nuk e fshihte para shteteve anëtarë se çështja territoriale ishte prekur në diskutime dhe nuk ishte e pandashme prej synimit të marrëveshjes juridikisht detyruese dhe e kushtëzuar nga Komisioni për sa që nuk e tejkalonte të drejtën ndërkombëtare dhe acquis communautaires.

Në Francë, as selia e presidentit në Élysée dhe as ministira e Jashtme (Quai d’Orsay) nuk u vendosën shprehimisht mbi çështjen, çka linte të mendohej se po ndiqej me vëmendje rrjedha e diskutimeve. Ndoshta do të kishim besuar se politika e tyre do të ishte aktive në lidhje me zbatimin e zgjidhjes territoriale nëse, gjatë ceremonive përkujtimore të 11 nëntorit, vendosja në tribunën dytësore e presidentit serb nuk do të paraqitej si një gafë diplomatike e zhveshur prej çdo mesazhi politik. Apo, ndoshta Parisi kishte kuptuar se objekti i diskutimeve nuk kishte të bënte me shkëmbim, por me lëshim territori të (veriut të) Kosovës Serbisë, në shkëmbim të njohjes së Kosovës prej Beogradit. Sepse, sido që të jetë, këtë e zbuloi një shënim konfidencial i hartuar në fund të vizitës studimore të një diplomati britanik për llogari të think tankut ECFR, Robert Cooper, ish-këshilltar pranë ish-përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Ashton. Me gjithë çështjet e Brexitit, Mbretëria e Bashkuar e vlerëson strategjikisht rajonin dhe kërkon të ketë gjithnjë fjalën e vet për të ardhmen europiane të Ballkanit.

Përfundimisht, që prej 7 shtatorit, tensionet e ngjallura mes presidentëve Aleksandar Vučić dhe Hashim Thaçi ishin sinjalet e para të një skenari që po merrte tatëpjetën. I pari refuzoi të takonte të dytin në Bruksel, çka shënoi edhe fillimin e një tërheqjeje graduale të Federica Mogherinit në lidhje me çështjen kaq të kundërshtuar të territoreve. Të nesërmen, tamam kur në Maqedoni kancelarja gjermane rikonfirmonte mesazhin e saj kundër skenarit të promovuar gjatë verës, presidenti serb shkoi në Kosovë për të ligjëruar në veri të Mitrovicës elozhe për Slobodan Miloševićin, e më pas u rrek të shkonte në një fshat të Drenicës, vatra kyçe e UÇK-së, para se të mbante një ligjëratë tjetër në breg të liqenit artificial të Ujmanit, ndarja e ujërave të të cilit është burim shumë i mundshëm konfliktesh mes dy vendeve dhe pa dyshim një pikë e ngecjes së dialogut.

… Pra që po largohet

Ky moment i tensioneve të reja u shfrytëzua prej kryeministrit Ramush Haradinaj për të rimarrë fuqi në dëm të një presidenti që shfaqej tashmë shumë i dobësuar. Veprimi i shefit të ekzekutivit u shpalos, nga njëra anë, me një varg masash që ngjallën miratimin popullor dhe, nga ana tjetër, me ripërshtatjen graduale të procesit të dialogut prej ekzekutivit dhe pjesërisht prej Kuvendit.

Fillimisht ishte kthimi i çështjes së krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Tek njoftonte dorëzimin e projekt-ligjeve të nevojshme për të anashkaluar ndryshimet kushtetuese që do të kërkonin votën e pakicës serbe, kryeministri rindizte nismën që ishte lënë në mes tashmë disa herë prej pararendësve të vet. Por le të vëmë re se nisma ishte gjithashtu e prirë të zbuste goditjen e dëmshme mbi imazhin e UÇK-së, e provokuar prej skandalit të veteranëve të rremë të luftës që kishin marrë pensione përgjatë vitesh. Çështje e hapur aty nga mesi i gushtit prej një hetuesi special të Kosovës që dha dhe dorëheqjen para se të arratisej në Shtetet e Bashkuara dhe që kryeministri e cilësoi si «hajn», ky skandal çoi një muaj më vonë akt-akuzat kundër anëtarëve të komisionit që u kishte dhënë 19’000 njerëzve statusin e rremë të veteranit të luftës.

Siç e kemi parë më sipër, shndërrimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) del shpesh në momentet kur rivendosja e bashkërendimit bëhet e domosdoshme. Nëse adoptimi i ligjeve që i hapin udhë procesit të shtatë apo dhjetë viteve për shndërrimin e kësaj trupe të mbrojtjes civile në ushtri u bë e mundur më 14 dhjetor 2018 në Kuvend, kjo ndodhi ngaqë as NATO, as Shtetet e Bashkuara dhe as shtetet kryesorë europiane, përfshirë Franca, nuk e kundërshtuan. Pranimi i tyre i heshtur ishte shenjë po ashtu e dëshpërimit prej presioneve të kota që Beogradi kishte ushtruar gjatë tërë vitit me qëllim që serbët të largoheshin prej efektivëve të FSK-së. Qartazi, pas dështimeve të pararendësve të tij, Ramush Haradinaj mund të dukej si përfituesi kryesor i këtij suksesi. Por është po aq e qartë se në mbyllje të vitit 2018 luante rol edhe interesi i përbashkët për të administruar kohën e pakët të mbetur. Po flitet për seancat e para dëgjimore të Gjykatës Speciale që janë thirrur në mes të janarit për shumë komandantë të UÇK-së, ndërkohë që tre përgjegjësit më kyçë të shtetit mund të ftoheshin po ashtu në cilësinë e dëshmitarit.

Por atmosfera e bashkërendimit rreth shndërrimit të FSK-së është po ashtu përgjigje e autoriteteve për dëshpërimin në rritje tek këta të fundit si dhe te vetë popullsia. Më 20 nëntor 2018, gjatë Asamblesë së Përgjithshme që u mbajt në Dubai, shumica e shteteve anëtarë të Interpolit e hodhi poshtë sërish anëtarësimin e Kosovës në këtë agjenci ndërkombëtare. Është akoma më e rëndë për besueshmërinë e institucioneve kosovarë fakti që mes atyre që refuzuan apo abstenuan gjenden shtete që e kanë njohur pavarësinë e saj. Serbia tek feston një rast, harron pothuaj fare incidentin diplomatik të 11 nëntorit. Që të nesërmen, qeveria e Kosovës vendosi të taksojë në masën 100 për qind prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, këtë të dytën ngaqë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në fillim të nëntorit, Prishtina e kishte vendosur tashmë një taksë prej 10 për qind ndaj prodhimeve boshnjake si masë kundër pengesave doganore të imponuara nga Sarajeva.

Që në atë moment, Prishtina mori një qëndrim sfidues me Bashkimin Europian, ku Komisioni nuk e çmoi dhunimin e frymës së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe rregullave të marrëveshjes së shkëmbimit të lirë për Europën Qendrore, CEFTA, që drejtohej pikërisht prej Kosovës në vitin 2018. Kulmi arriti kur vendi kampion i proteksionizmit, Shtetet e Bashkuara, u ndjenë të tradhtuara pasi nuk u pyetën më parë, madje bënë dhe presion për heqjen e tarifës. Por kjo masë, në zanafillë kërkesë e LVV-së, është shumë popullore brenda shumicës shqiptare, madje shpie në fitim prodhimet e importuara prej Maqedonisë dhe Shqipërisë, fqinji me të cilin do të hyjë këtë vit në fuqi edhe bashkimi doganor.

Inati i Beogradit dhe i LS-së, me kryetarët e komunave veriore që, si pjesëtarë të saj, dhanë dorëheqje në formë proteste, largon çdo perspektivë të afërme për marrëveshje mbi dialogun. Në Kosovë, ky tension thekson rivalitetin mes kryeministrit dhe presidentit, kur ky i fundit, së bashku me zëvendës-kryeministrin Behgjet Pacolli, ftojnë të ndiqen këshillat amerikane për heqjen e tarifave. Por kryeministri nuk e ha këtë rreng, dhe do të përdorë këtë masë shtrënguese për të detyruar Beogradin dhe Sarajevën ta njohin shtetin e Kosovës si dhe të ndërpresin pengesat e tyre diplomatike në instancat rajonale dhe ndërkombëtare. Nuk ka dyshim se kjo sjellje frontale e rrit popullaritetin e tij, sepse kjo masë simbolizon gjithashtu atë liri qarkullimi të mallrave nga e cila nuk kanë përfituar qytetarët e Kosovës. Nga ana tjetër, nuk duhet përjashtuar se po e zbuti presionin, ka mundësi të përfitojë atë reciprocitet që nuk është zbatuar kurrë për produktet kosovare në Serbi dhe Bosnjë.

Ndërkohë, ndërsa legjitimiteti i presidentit për të përfaqësuar, orientuar dhe vendosur mbi përmbajtjen e dialogut do të vihet pa reshtur në dyshim, edhe më tepër që prej 2017-s, qeveria lë përshtypjen e zotërimit në këtë fillim viti. Më 15 dhjetor, të nesërmen e votës për shndërrimin e FSK-së, çka e entuziazmonte popullsinë shqiptare, Kuvendi adoptoi përbërjen e ekipit negociator për dialogun me mbështetjen e rezolutës së PSD-së. Nëse kjo parti sjell peshë opozite, legjitimiteti i dymbëdhjetë deputetëve të saj të zgjedhur në emër të LVV-së mbetet për t’u vërtetuar. Kryetari i PSD-së dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë-kryeson grupin bashkë me zëvendës-kryeministrin, Fatmir Limaj, i Nismës Social-demokrate. Për sa i takon galaktikës së partive në qeveri, ato mbeten pakicë pa mbështetjen e deputetëve serbë. Për sa i takon mungesës së dy partive kryesore të opozitës, LDK-së dhe LVV-së, ajo reflekton megjithatë një shpërbërje të thellë që nuk mund të mbushet prej PSD-së. Kjo e fundit mezi mund ta shpëtojë qeverinë nëse ndonjë mocion mosbesimi shpallet gjatë vitit.

Sepse kjo parti e re mbetet përherë në kërkim të ndonjë udhe mes shumicës dhe opozitës, ndërsa baza e saj është e brishtë. Pozicioni i saj është të pozicionohet si garantuese e transparencës së diskutimeve në Bruksel. Ajo siguron se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është e mundur vetëm nëse bashkohet tërë opozita dhe se qëllimi i saj i vetëm është që procesi i dialogut të rikthehet në Kuvend. Por mund të ndodhë se qëndron një iluzion te një ndryshim drejtimi. Në fakt, qeveria po e bllokon gjithnjë që prej korrikut diskutimin në seancë plenare të raportit të saj mbi arritjet dhe dështimet e dialogut, ndërsa rezoluta që kërkon që partitë të pozicionohen në lidhje me projektet e zgjidhjeve territoriale të presidentit nuk mundi kurrë të hyjë në debat. Delegacioni i ri që shkoi për herë të parë në Bruksel, më 8 janar, për të përcaktuar etapat në vijim për arritjen e marrëveshjes përfundimtare duket se qëndron në vazhdimësinë e planeve të mëparshme. Çka do të thotë se pas etheve territoriale, do të duhet të rikthehemi tek ajo që sot shfaqet të jetë një kompromis minimal – jo i domosdoshëm dhe i rëndë në pasoja – i cili do të detyrojë ekzekutivin të vërë në zbatim asociacion/bashkësinë e komunave serbe të Kosovës.

III – Përfundimi: është e kotë me u ngutë

Në këtë kontekst të tendosur, është e vështirë të imagjinohet ndonjë rrugëdalje e shpejtë për «marrëveshjen juridikisht detyruese» që dëshiron me tërë zellin e vet Bashkimi Europian, kur vetë Bashkimi po i afrohet shumë shpejt mbërritjes së afateve zgjedhore. Historia mund të nxjerrë përfundimin se Federica Mogherini, ndoshta prej ngutit në fund të mandatit të saj, ka humbur kohë duke e vënë besimin në zgjidhjen territoriale të sjellë nga Washingtoni (dhe nëndheshëm prej Moskës), një zgjidhje që rihapte çështjen e statusit të Kosovës, gjithsesi e mbyllur prej vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010.

Në një përpjekje të fundit, dhe ndoshta me shpresën se mund të mbështetet në momentumin e së quajturës «ushtri e Kosovës», presidenti Donald Trump, i cili e mban veten fabrikues të paqes aty ku të tjerët kanë dështuar, u pati adresuar një letër të dy presidentëve duke u kërkuar me këmbëngulje të mbërrijnë në një marrëveshje që mund të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë. Por Washingtoni përgatit gjithashtu perspektivën e një dështimi duke e hedhur përgjegjësinë mbi vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me taksat doganore. Por gabimi i Bashkimit Europian qëndron në pranimin se dialogu që do të duhej të arbitrohej dhe garantohej prej Bashkimit Europian, të gjendet, për shkak të dobësisë së Brukselit, i ndarë me Washingtonin. Sepse, nëse Shtetet e Bashkuara veprojnë për të kufizuar ndikimin e Rusisë në Ballkan, një marrëveshje e tillë që do të dilte prej fushës europiane do të duhet të ndahej edhe me Moskën. Domethënia në këtë rast është dështimi përfundimtar i Bashkimit Europian për të gjetur një zgjidhje asaj fqinjësie të drejtpërdrejtë që ai vetë është i destinuar ta integrojë.

Ky tekst u botua më 14 shkurt nga Fondation JeanJaurès.