Dialog me kriminelin

Qeveria e Serbisë ka nisur një «dialog të brendshëm» për Kosovën. Në këtë muhabet po marrin pjesë edhe kriminelë të luftës. Njëri ndër ta, Vinko Pandurević, duket se qenë në gjumë viteve të fundit, andaj propozon «autonomi substanciale» për Kosovën.

Vinko Pandurević.



Dialogu i brendshëm për Kosovën po vazhdon në Serbi, tema e tavolinës së fundit të rrumbullakët ishte siguria, dhe mes folësve u gjend edhe komandanti i luftës i Brigadës së Zvornikut të armatës së serbëve të Bosnjës, Vinko Pandurević. Kur tashmë Kosovën e kanë pranuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Europian dhe kur edhe për autoritetet serbe është e qartë se nuk mund të bëhet më fjalë për kthimin e ish-krahinës nën pullazin serb, Pandurević propozon «autonomi substanciale si shprehje të lidhjeve federale mes Serbisë dhe Kosovës e Metohisë». Thua se shumë vite i ka kaluar në gjumë, thua se nuk ka qenë këndej për të parë se në rrugën nga «autonomia substanciale» deri te «pavarësia substanciale» gjërat kanë ecur shumë. Por as nuk ka qenë.

Plot 10 vite Vinko Pandurević ka munguar me të drejtë. Kohën mes viteve 2005 dhe 2015 e ka kaluar në burgun e Tribunalit të Hagës, gjë që iu ka llogaritur si dënim 13-vjeçar me burg, kështu që, në pajtim me praktikën e atjeshme, është lënë i lirë para kohe. Kur shkoi në Hagë, Kosova vërtet ishte më larg pavarësisë se sot, andaj qasja anakronike e Pandurević-it deri diku është e kuptueshme. Megjithatë, pyetja e vërtetë është se çka kërkon krimineli i luftës në tavolinën e rrumbullakët të organizuar nga qeveria e Serbisë.

Si komandant i Brigadës së Zvornikut në kuadër të Korpusit të Drinës të Armatës së Republika Srpskas (VRS), Vinko Pandurević, bashkë me ushtarët e tij, ka marrë pjesë në sulmin ndaj Srebrenicës, pas të cilit është kryer krimi më i madh në truallin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore – gjenocidi mbi popullsinë boshnjake të asaj enklave të luftës.

Ai gjithsesi nuk është figura më mizore e gjenocidit në Srebrenicë, nuk ka qenë pjesë e grupit të ngushtë bashkë me Ratko Mladić-in, Radovan Karadžić-in, Ljubiša Beara-n, Zdravko Tolimir-in dhe Vujadin Popović-in, i cili planifikoi, organizoi dhe realizoi operativisht fabrikën disaditore të vrasjes së rreth 8000 burrave dhe djemve të Srebrenicës dhe dëbimin e pjesës së mbetur të popullsisë. Megjithatë, aty ishte që t’u shërbejë.

Pandurević kishte për detyrë të ndalonte civilët dhe ushtarët e ikur boshnjakë, por ai më 16 korrik 1995 hapi korridorin dhe lejoi kolonën «armiqësore» të kalojë në drejtim të Tuzlës. Ndonëse është evidente se këtë nuk e bëri për arsye huanitare, por për shkak të nevojës ushtarake, duke pasur parasysh se dyshonte në fuqinë e ushtarëve të tij që t’i kundërvihen kolonës, në të cilën kishte edhe boshnjakë të armatosur, kjo iu llogarit si rrethanë lehtësuese me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Dëshmitë tregojnë se Pandurević më së voni më 15 korrik 1996 kishte kuptuar nga kryeshefi i shtabit të Brigadës së Zvornikut Dragan Obrenović se në rajonin e Zvornikut punëtorët e sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të Drinës – Beara dhe Popović – me urdhër të Mladić-it sollën një numër të madh pengjesh, ndërsa në ditët në vijim mësoi për vrasjet masive në praktikisht të gjitha vendet për ekzekutim nga Pilica deri te Branjevo, ku u vranë mijëra njerëz. Ka dëshmi se ka qenë i njoftuar me problemet se një numër kaq i madh i pengjeve po transportohet, burgoset, ekskuzohet dhe groposet. Vetëm se nuk ka dëshmi se ka ndërmarrë diçka për të penguar ato vrasje masive, ndonëse në tërë këtë proces kanë marrë pjesë edhe ushtarët e brigadës së tij.

Mungesa e vullnetit e Vinko Pandurević-it që t’i kundërvihet zhbërjes së popullsisë së Srebrenicës nga ajo pjesë e Bosnjës lindore shihet edhe në faktin se 10 të plagosur që i kishte në duart e tij ia dorëzoi më 20 korrik Vujadin Popović-it, ndonëse shumë mirë e dinte se nuk do të mbijetonin. Natyrisht të plagosurit, si mijëra boshnjakë të tjerë para tyre, u vranë me gjakftohësi.

Për këtë arsye Pandurević u dënua sepse kishte ndihmuar dhe përkrahur vrasjet masive të burrave dhe djemve të Srebrenicës, dhe si pjesëmarrës i sulmit ndaj Srebrenicës edhe për përndjekjen dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve.

Kur dihet e gjithë kjo, tingëllon grotesk shpjegimi i shefit të kancelarisë qeveritare për Kosovë e Metohi Marko Đurić se është shumë me rëndësi që në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën të dëgjohen «përvojat më të ndryshme jetësore dhe profesionale» të pjesëmarrësve. Përvoja jetësore dhe profesionale e Vinko Pandurević-it është e nevojshme vetëm nëse çështjen e Kosovës duam ta zgjidhim me luftë dhe me kriminelë, por një përpjekje të tillë tashmë e kemi bërë në Kosovë.

Por nëse kriminelët e dënuar të luftës i kemi në këshilla drejtuese dhe në tribuna të partive qeveritare, si mysafirë të dashur në presidencën e Serbisë apo si ligjërues në Akademinë Ushtarake, atëherë s’është çudi që ata janë edhe pjesë e dialogut për Kosovën. Pastaj do të pyesim se përse nuk jemi në BE në vitin 2025, kur këtë fort mirë na e kanë premuar.

Autori është hulumtues i Fondit për të Drejtën Humanitare. Botuar në Peščanik.net, 08.02.2018.