Dhuratat e Mlladiqit për fëmijët: Çokollata dhe gënjeshtra

Izudin Aliq ishte 8 vjeç kur kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, takoi atë dhe fëmijë të tjerë boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995, u dha çokollata dhe i gënjeu duke u premtuar se çdo gjë do të shkonte mirë.

Ratko Mlladiq me Izudin Aliqin në Srebrenicë në korrik 1995.



Më 11 korrik 1995, ndërsa forcat serbe të Bosnjës zbarkonin në «zonën e sigurt» të Srebrenicës të mbrojtur nga OKB-ja, tetëvjeçari Izudin Aliq ishte me gjyshin e tij pranë bazës së paqeruajtësve të OKB-së në Potoçari ku mijëra boshnjakë u përpoqën të kërkonin strehim.

«Gjyshi im më dërgoi të merrja ujë dhe pashë një grup fëmijësh. Mbaj mend që pashë disa ushtarë që po shpërndanin diçka. Vrapova dhe një burrë me uniformë serbe më preku flokët, më pyeti për emrin dhe moshën dhe më dha disa çokollata», kujton Aliq.

«Nuk kisha frikë dhe nuk e dija se kush ishte ai. Më interesonte vetëm çokollata dhe e hëngra menjëherë», tha ai.

Një regjistrim video i komandantit ushtarak serb të Bosnjës ndërsa hynte në Srebrenicë më 11 korrik 1995 dhe teksa u jepte ëmbëlsira dhe çokollata fëmijëve u pa në të gjithë botën.

Ajo u filmua në fillim të një operacioni ushtarak, i cili do të zgjaste për ditë me radhë dhe do të merrte jetën e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë dhe do të rezultonte në dëbimin e 40,000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Mlladiq e pyeti Aliqin se si e kishte emrin dhe sa vjeç ishte, kujton ai.

«Mbaj mend që i thashë se quhesha Izudin dhe se isha 12 vjeç. Nuk e di pse gënjeva për moshën time. Mendoj se doja të isha më i rritur. Nuk e di. Di që më tha se çdo gjë do të shkonte mirë, që nuk ishte e vërtetë», tha ai.

Aliq para luftës jetonte në Prohici pranë Srebrenicës, në kufi me Serbinë. Pasi ushtarët serbë sulmuan fshatin në vitin 1993, familja e tij u largua për në Srebrenicë ku ata qëndruan deri në korrik 1995.

Pas sulmit në Srebrenicë, Aliq shkoi me nënën dhe vëllezërit, motrat dhe gjyshërit e tij në Potoçari, ndërsa babai i tij, xhaxhai dhe kushëriri u arratisën në pyll duke kërkuar siguri në qytetin e Tuzlës, që kontrollohej nga forcat boshnjake.

«Isha tetë vjeç dhe kur përpiqem ta kujtoj, nuk e kuptoj se çfarë po ndodhte. Në Potoçari kishte kaos, shumë ushtarë, shumë burra», tha Aliq.

Në mes të kaosit në Potoçari, u mblodhën me mijëra boshnjakë që përpiqeshin të arratiseshin dhe pikërisht atëherë ndodhi që Aliq shkoi të mbushte ujë dhe takoi Mlladiqin.

Pas kësaj, Aliq e kaloi pjesën e mbetur në luftës në një qendër refugjatësh në Tuzla dhe pastaj u kthye në Prohici, ku jeton edhe sot.

Babai dhe kushëriri i tij nuk i mbijetuan dot gjenocidit për të cilin Mlladiq akuzohet sot.

«Nuk e di se ku dhe si u vranë. Babanë dhe xhaxhanë i varrosa menjëherë pas luftës. Ata u gjetën në Kamenicë, pranë Zvornikut. Kushëriri im s’u gjet kurrë», tha Aliq.

Ai tha se sot mendon për Mlladiqin e atyre ditëve dhe pyet veten nëse ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës, i cili tani është në gjyq në Hagë, e mban mend atë.

«Shpesh pyes veten për këtë kur e shoh në Hagë. Pyes veten nëse ai e dinte që të gjithë ata burra do të vriteshin. Babai dhe xhaxhai im, të gjithë ata…», tha ai.

Mlladiq akuzohet si përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte. Vendimi pritet të merret në nëntor.

«Çfarë ndiej për të? Asgjë. Thjesht jam i lumtur që e kanë arrestuar dhe që ka dalë në gjyq», përfundoi Aliq.

«Ai duhet të përgjigjet për çdo gjë që bëri në Srebrenicë».

(https://www.reporter.al/dhuratat-e-mlladicit-per-femijet-cokollata-dhe-genjeshtra/)