Dhunuesi me emrin Kosovë

Për burrat që shtetin dhe tentativën për shtet e kanë trajtuar si gruan e tyre: dhunshëm, pa respekt dhe si pronë!



Kosovë! Gjuhësisht ti je një grua, por në të vërtetë je një burrë i tërbuar. Je një burrë i pasigurt, i paarrirë, i papërmbushur dhe, rrjedhimisht, je një burrë që dhunon. Dhunon të pazëshmin, të pafuqishmin, të pakrekosurin. Burrat që të kanë drejtuar, sidomos këta të dy dekadave të fundit, të kanë bërë edhe ty një burrë të tërbuar e të dhunshëm. Ashtu siç janë edhe ata vetë.

Tërbimi është sëmundje viroze që shkakton probleme të trurit, sjellja e dhunshme është vetëm njëra prej pasojave. Burrat e tu të tërbuar janë të dhunshëm konceptualisht e praktikisht. Ata janë të plotfuqishmit në shtëpi, në marrëdhënie familjare, martesore, në «punët e mëdha» e të vogla të shtetit, në «laps e në kallash». Janë njerëz që dhunën e kanë sistem të drejtësisë, të krenarisë dhe rendit.

Ata sillen me ty njëlloj siç sillen ndaj gruas: të dhunshëm, të parespektueshëm, zhvatës. Ata sillen me ty njëlloj siç sillen me nëpunëset e tyre të cilat herë i trajtojnë si dekore për zyra, herë si kuota që duhen përmbushur, e herë si «femra» për t’i ikur martesave të tyre të lodhura. Ata sillen me ty njëlloj sikur janë sjellë me gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës: pa ua pranuar dhimbjen e traumën, pa ua njohur kontributin në histori. Në hapësirën e monumentit «Heroinat» nuk është lënë asnjë shteg i vogël kalimi për t’u afruar. Me aftësi prej kanguri kapërcehet nëpër puseta balte për të parë prej afër një monument që simbolizon atë që edhe në të drejtën ndërkombëtare njihet si «krim lufte». Ai monument është tregues se duke qenë një burrë i tërbuar, ti nuk ke respekt as për të vdekurin kur ajo është grua. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Shaip Muja, parti e cila e ka monopolizuar luftën dhe thirrjen në emër të luftës, kishte kërkuar që të «kontrollohen» gratë e dhunuara para se të kategorizohen si të tilla.

Mbi të gjitha, Kosovë, burrat që të drejtojnë ty të trajtojnë ashtu siç i trajtojnë vetë bashkëshortet e tyre. Pra, ti je në shërbim të tyre njëlloj siç janë në shërbim gratë e tyre (të ligjshme e të jashtëligjshme) – pa zë. Kosovë ti je shtëpi e burrave të dhunshëm. Në këtë shtëpi ata sillen njëlloj siç sillen nëpër shtëpitë e veta: pa marrë kurrë një përgjegjësi të vetme për mbarëvajtje të shtëpisë. Pa e mësuar kurrë vendin e një tigani apo të miellit. Pa kontribuar kurrë në asnjë punë shtëpie. Pa të pasur shtëpi, por thjeshtë krevat ku flihet e ku trashëgohet tutje mbiemri. Pa të pasur atdhe, por thjeshtë si një pronë për t’u zhvatur.

Gjithandej nëpër botë, kjo duket të jetë epoka e burrave të padijshëm e të tërbuar. Jo se historia e njerëzimit njeh peridha të arta kur rendi botëror nuk është përcaktuar nga burra të tillë, por këtë radhë kemi të bëjmë me një koktej burrash të cilët janë hapur mizogjinistë, racistë e diktatorë krenarë. Është epoka e Donald Trumpit, i cili dhunën verbale dhe mungesën e respektit ndaj gruas e ka më të afërt se lëkurën. Deklarata e tij se sa herë që sheh një grua të bukur «i vjen ta kap prej vagine» paçka se çoi në protesta të shumta jo vetëm nga gra por nga njerëz me mend në kokë, u pasua me një gjoja kërkim falje. Është epoka e Viktor Orbanit të Hungarisë i cili terrorizon shtetasit e tij nga rreziku i refugjatëve. Në mënyrë të hapur ai kërcënon të drejtat dhe liritë e njeriut të cilat garantohen në demokracitë liberale. Po kaq burra të frustruar kemi parë këto vite edhe në Poloni të cilët desh e shpallën abortin të paligjshëm. Në mars të këtij viti, në sallën e Parlamentit Europian, parlamentari polak Janusz Korëin-Mikke deklaroi se gratë duhet të paguhen më pak se burrat për shkak se ato janë «dobëta dhe më pak inteligjente». Është epoka e Rexhep Taip Erdoganit të Turqisë i cili me çdo kusht do ta shndërrojë Turqinë në një vend autokratik. Në fund të vitit që shkoi, oborrtarë të tij desh kaluan ligjin që mundësonte faljen e burrave që seksualisht kishin dhunuar gra nëse dhunuesi do të martohej me të.

Ti Kosovë, kë një varg rrathësh me burra të tillë në politikën zyrtare, qoftë në qeveri, në parlament, ashtu edhe në presidencë. Vetë kreu i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli iu drejtua një deputeteje me fjalët «Ma honksh…»! Burra që drejtojnë komunat sikur drejtojnë tribu. Ata janë të parët që tymosin aty ku drekohet derisa paturpësisht në murin përbri ju rri varur një poster që sinjalizon ligjin anti-duhan. Si për ironi në të shihet edhe një numër telefoni ku mund të telefonohet për të denoncuar prishësit e rendit publik – vetë të parin e komunës në këtë rast.

Cuba të tërbuar drejtojnë shtetin edhe jozyrtarisht. Fakt për këtë janë një varg bisedash telefonike në aferën «pronto». Fakt për këtë janë policët rrugorë të rrahur nga bijtë e këtyre burrave të tërbuar me pushtet. Dëshmitarë të vrarë që potencialisht do të dëshmonin për krimet dhe aferat jashtëmartesore të po këtyre burrave. Pa harruar këtu edhe biznismenë të rrekur pas monopoleve, «intelektualë» e analistë (kryesisht burra) të cilët e formësojnë këtë rreth të tërbuarish.

Ti nuk je më vetëm një pronë burrash të tërbuar. Ti tashmë je bërë vetë një burrë i tërbuar. Përkundër fondeve, programeve e organizatave për barazi gjinore, ti u bëre një burrë i tërbuar. Si e tillë, ti dhunon vazhdimisht. Jo vetëm në sistemin politik, por edhe në shoqëri e familje. Të dhunon në ajrin që thithë, në restorantet e dendura në tym duhani ku nuk respektohet as ligji, as njeriu. Nëpër rrugë, ti të dhunon me ngacmimet verbale e fizike nga burra të rritur, nga baballarë të dhunshëm dhe nëna të nënshtruara. Ti dhunon në çdo familje kur i jep privilegje biologjike djemve të familjes, duke i bërë ata përgjithmonë njerëz të pasigurt dhe gjysmak, por materialisht më të pasur pasi që trashëgojnë automatikisht pronën e kryefamiljarit. Të njëjtit nesër do të bëhen burra të ri të tërbuar që drejtojnë vendin. Kosovë ti sot je një burrë që vret gra çdo ditë (http://kallxo.com/gjnk/turp-kombetar-kosova-dhe-grate-e-saj-te-vrara/).

Së këndejmi, ti ke mbetur vetëm vend i të tërbuarve dhe të dhunshmëve, qofshin këta gra apo burra. Të tjerët, ata që nuk kanë në plan të bëhen pjesë e kalvarit të dhunës ikin prej teje në vazhdimësi. Ikin edhe kur janë të vetëdijshëm që ndjesia e shtëpisë (e vendit tënd) nuk mund të zëvendësohet gjëkundi. E do të vazhdojnë të ikin përderisa ti do të mbetesh vetëm dhunë dhe tërbim.