Dhuna ndaj grupit të Kumanovës sa vjen e shtohet, kompetentët heshtin

Pjestërët e grupit të Kumanovës janë ankuar rrishtazi për dhunë të ushtruar nga policisa gjatë transportit në gjykatë. Ata gjithë kohës mbahen të lidhur me pranga të shtrënguara, me kokë të ulur dhe iu ndështrohen formave të tjera të dhunës psiqike dhe fizike. Për katër prej tyre dhunën e kanë konstatuar edhe mjekët, dy të tjerët gjykata nuk ka lejuar të kontrollohen. Ata janë detyruar të ndjekin seancën pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore.




14 korrik 2016

Malltretimi i grupit të Kumanovës nuk ka të ndalur. Gjatë transportimit nga burgu drejt gjykatës, policët e njësiteve speciale ushtrojnë dhunë psiqike dhe fizike ndaj tyre. Dhuna konstatohet edhe nga vetë mjekët, ndërsa plagët mund t’u shihen me sy, ndërsa asnjë institucion nuk ndërmerr asgjë. Nga një dhunë e këtillë janë ankuar sot gjashtë pjestarë të grupit të Kumanovës. Sami Ukshini, i njohur si komandant Sokoli, Lirim Krasniqi i njohur si Komandant Malisheva, Hajrush Abdija, Esat Kafexholli pas ankesës para trupit gjykues janë kontrolluar nga mjekët e ndihmës së shpejtë, e cila ka ardhur në gjykatë dhe ka konstatuar se ata janë në një gjendje të keqe. Ndërkaq për dy të burgosurit e tjerë, që poashtu janë ankuar për lëndime të mara dhe gjendje të rëndë shëndetësore, Shefqet Hallaçi dhe Demë Shehu, gjykata ka refuzuar kontrollin mjeksor duke e vlerësuar si të panevojshme.

Dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve që u arrestuan në ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë, e kanë konfirmuar edhe avokatët e tyre mbrojtës, të cilët trajtimin e klientëve të tyre nga policët e përshkruajnë si jonjerëzor. «Torturë psikofizike. Gjatë transportit malltretohen në mënyrë jonjerëzore, i lidhin në mënyrë të palejuar, kokën ua mbajnë poshtë me qëllim – malltretim që në këto temperatura jashtëzakonisht të larta ndikon te tensioni. Këtë e kanë dëshmuar të arrestuarit», deklaroi avokati Naser Raufi. Avokati tjetër, Mefail Arsllani tha se për dhunën e ushtruar tanimë ka edhe procesverbale dhe paralajmëroi se ato do t’i kërkojë dhe do të ngrejnë padi penale ndaj policëve që kanë keqtrajtuar anëtarët e grupit. «Në seancën e kaluar janë vërtetuar malltretime fizike ndaj dy të burgosurve, ku janë konstatuar lëndime trupore. Dëshmitë për këtë mjekët ia kanë përcjellë trupit gjykues; ne për një kohë të shkurtër do t’i kërkojmë ato procesverbale që të ngrejmë padi ndaj autorëve për keqpërdorim të detyrës. Do të insistojmë që t’i zbardhim këto raste», deklaroi Arsllani. Në rast se dhuna ndaj klientëve të tyre nuk ndalet, ndërsa institucionet kompetente vazhdojnë të heshtin, Avokatja Artene Iseini është kërcënuar se do ta tërheqë autorizimin, pasi nuk mund të pranojë që të vazhdojë malltretimi i klientëve të saj. «Me një kontroll të përgjithshëm u konstatua se seanca gjyqësore mund të vazhdojë. Ne si mbrojtje apelojmë deri te të gjitha institucionet relevante se nëse nuk ndërmarrin masa që të ndërpritet dhuna ndaj klientëve tanë, atëherë do të jemi të detyruar që tua tërheqim autorizimet dhe gjykimi i këtyre njerëzve të vazhdojë në mënyrë arbitrare», deklaroi Iseini.

Kjo nuk është hera e parë që të burgosurit ankohen për dhunë të ushtruar nga ana e policisë gjatë transportit nga burgu në gjykatë dhe anasjelltas. Kjo dhunë në shumë raste është konstatuar edhe zyrtarisht nga mjekët dhe vetë gjykata, për këtë shkak madje janë anuluar edhe disa seanca gjyqësore.

Të rrahur, detyrohen të qëndrojnë në gjykatë

Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dhunës së ushtruar gjatë transportit, të burgosurit e grupit të Kumanovës janë detyruar që të qëndrojnë në gjykatë dhe ta ndjekin seancën deri në fund. Kjo për shkak se mjekët internistë të ndihmës së shpejtë kanë konstatuar kështu. Avokati Naser Raufi thotë se në të ardhmen nuk do të pranojnë që kientët e tyre të kontrollohen nga ndihma e shpejtë, për shkak të specifikës së rastit do të kërkojnë që ata të kontrollohen nga mjekë specialist. «Si avokatë tentuam ta bojkotojmë këtë seancë, mirëpo pasi na lajmëruan se mjekët e ndihmës së shpejtë nuk kanë konstatuar ndonjë lëndim, i cili shkon deri aty sa të arrestuarit nuk mund ta përcjellin gjykimin, seanca vazhdoi. Për radhën tjetër do të kërkojmë që kontrollin ta bëjnë specialistët dhe jo mjeku internist», deklaroi avokati Naser Raufi.

Deri në fund të vitit seancat gjyqësore për rastin e Kumanovës zhvillohen me dyer të mbyllura, për shkak se në këtë fazë dëgjohen dëshmitarë të fshehur, kryesisht punonjës policorë dhe të shërbimeve të sigurisë së shtetit të Maqedonisë. Për rastin e luftimeve mes grupit të armatosur dhe policisë maqedonase më 9 dhe 10 maj 2015 në Kumanovë, autoritetet maqedonase kanë akuzuar 37 persona, prej të cilëve 18 si logjistikë e grupit. Shumica e personave të arrestuar si pjesë e grupit që drejtëpërdrejt kanë marrë pjesë në luftimet në lagjen e trimave në Kumanovë janë nga Kosova.