Dhunë – duhet thyer heshtja sa nuk është bërë vonë

Për pesë deri dhjetë për qind të nxënësve në Zvicër shkolla është një tmerr. Viktimat e dhunës në shkolla shpeshherë vuajnë në heshtje dhe duhet të jetojnë me pasoja afatgjata. Ndërkohë që specialistët rekomandojnë forcimin e preventivës nëpër shkolla.

Foto: Zoeytoja / Shutterstock.com



Kur është fjala për dhunën në shkolla, ekspertët flasin për një marrëdhënie trekëndëshi, ku secili ka rolin e tij dhe nuk del nga ai: dhunues, viktimë dhe sehirxhi. Viktimat shpeshherë mësohen me gjendjen e tyre, duke lëvizur strukur përgjatë mureve, gjë që shpie në një instalim afatgjatë të dhunës, që njihet me emrin «mobbing», e transmeton «swissinfo.ch» studiuesen Zoé Moody, e cila ka punuar në një studim për dhunën në mesin e nxënësve në shkollat e Wallisit. Mobiingu mund të jetë i natyrës fizike dhe psiqike. Sipas saj, ai nganjëherë mund të përfundojë me vdekje. Ndonëse vuajnë edhe dhunuesit. «Nuk ka vetëm humbës», thotë studiuesja.

Sipas raportit, studime të ndryshme tregojnë që ka një marrëdhënie ndërmjet mobingut dhe veprimeve kriminale në moshë të rritur. Njëri prej studimeve thotë që 36 për qind e atyre të cilët në moshën 13 dhe 16 vjeç i kanë dhunuar fëmijët e tjerë në moshën 16 dhe 24 vjeç janë përndjekur penalisht. Për shkak të mugesës së empatisë, dhunuesit nuk integrohen mirë dhe nuk përjetojnë ndonjë zhvillim social. Ayre ua kanë frikën në grup dhe shoqëritë e tyre bazohen në të drejtën e më të fortit. Ndërkohë që edhe sehirxhinjtë ngelin rob i rolit të tyre, sepse druajnë të ndërhyjnë. Sipas specialistes, 87 për qind e njerëzve në kohën e shkollës konfrontohen me mobing.

Deviza e Zoé Moody është aktivizimi i hershëm që të mos vijë deri te rrethi vicioz i dhunës në shkollë. Duhet qenë aktiv me fëmijët, prindërit, mësuesit dhe të gjithë aktorët relevantë në shkollë me qëllimin e parandalimit të tij. Kantonet e Gjenevës dhe Waudit janë duke instaluar programe sistematike, kurse në regjionet tjera të Zvicrës ka më shumë iniciativa individuale. Moody e thekson rëndësinë e rregullave themelore për një respekt të ndërsjellë në funksion të një klime paqësore në klasë. «Nuk është e thënë që nxënësit të duhen, por është e domosdoshme që ata ta respektojnë njëri-tjetrin; fyerjet nuk tolerohen.

Nëse paraqitet një rast mobingu, duhet reaguar menjëherë, sepse sa më shumë që të eskalojë situata, aq më të mëdha janë pasojat. Duhet përpjekur që të vendoset dialogu ndërmjet të përfshirëve në konflikt, të dëgjohen të gjitha palët dhe të diskutohet me ta se si mund ta ndryshojnë sjelljen e tyre në dobi të normalizimit të situatës. Megjithatë, nganjëherë nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç përfshirjes së gjyqësisë, pohon specialistja. Fëmijët duhet ta mësojnë që një fyerje mund të jetë e sanksionuar me ligj. ks