Dhjetë rrëfenja nga Peter Bichsel

Bichsel, 82-vjeçar, është njëri prej shkrimtarëve më të njohur të Zvicrës.

Peter Bichsel. Foto: SRF



Kujtim

Ai drejtoi shtatin prapa birrës së tij, pas së cilës kishte qëndruar gjatë, dhe tha: «Nathalie, kështu e ka pasur emrin një grua që e kam dashur».

Mbijetesa

«Po, gjithsesi», tha 80-vjeçari me rastin e ditëlindjes së tij dhe kur e lavdëruan për kujtesën e tij të fortë. «Po, gjithsesi», tha ai, «por ajo ndjenja e përhershme se ke harruar diçka».

Si 22-vjeçar ai e kishte ndërmend të vrasë veten.

Mall

Në Langnau im Emmental ishte një shtëpi mallrash. Quhej «Në qytetin e Parisit». Athua ky është një tregim?

Këmishët

«Kur të vdesësh», thotë ajo, «nuk do t’ia jap askujt këmishët tua». Këmishët e tij janë të kaltra si kompania ajrore zvicerane Swissair.

«Më pëlqen t’i hekuros këmishët e tua», thotë ajo. «Dua të vdes para teje», thotë ajo.

Atëbotë ngjyrë ishte e kaltra e Swissairit.

Kotësi

Kurrë s’kam dëgjuar një fjalim kaq të bukur mortor, i tha një zonjë folësit dhe folësi iu falënderua për komplimentin.

Kam vetëm një pyetje, tha zonja, e keni urryer apo e keni dashur atë?

Profesion

Pasi kryejnë punë dhe duke pasur parasysh se klienti i saj ishte për t’ia qarë hallin, prostituta, pasi mendonte se duhet thënë diçka, njëherë tha: «Edhe mua më pëlqeu», dhe që nga atëherë këtë ua thoshte të gjithëve.

Me fjalën «Shërim të shpejtë!» dhe me një shtrëngim të fortë dore kirurgu ndahet nga secili pacient pas konsultimit të parë mbi analizat mjekësore – kështu bën ai disa herë gjatë ditës dhe tashmë tridhjetë vjet.

Zotit K.

Ti do të mund ta bëjë këtë më mirë, i tha mjeshtri nxënësit, kur e pa se nxënësi ia doli të bëjë diçka që ai – nxënësi – nuk e dinte fare.

Tani mund të supozojmë se mjeshtri nuk kishte të drejtë.

Koha

E pyetën të dënuarin me burg të përjetshëm se si i duronte dhe si ia dilte me gjithë këto vite në burg dhe ai u përgjigj: «E di si, unë përherë i them vetes, këtë kohë që po e kaloj këtu do të duhej ta kaloja edhe jashtë».

Mungesë

Njëri tregon se si deshën ta vrasin, si e lidhën, si ia shtypën tytën e revoles në zverk dhe bërtitën.

Ai jeton dhe rrëfen.

Edhe ne jetojmë dhe dëgjojmë.

Aventurë

Njëherë në jetën e tij – ishte 47-vjeçar – ai u rrëzua në pikë të ditës, në qendër të qytetit. Disi e nënçmoi lartësinë e trotuarit. Fillimisht ekzistonte dyshimi se e kishte thyer ashtin e pëllëmbës së dorës.

Përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI

(Marrë nga libri i Peter Bichsel: «Në qytetin e Parisit»).