Dhjetë mendime të Azem Shkrelit

Fillet e ideve përherë nisen nga individë. Po të jenë të qëlluara bëhen pronë e përbashkët: Azem Shkreli.



1. Punën s’na e do fort. Herë-herë s’na e do hiq fare. Jo natë e ditë po as ditën as natën. (…) As ne kosovarëve nuk na ka rrahur zëri i mirë për punë. Kosovari punon mirë kur mbështetet mirë për muri. Kur i duhet. Kur s’ka nga t’ia mbajë. Kjo është një. E dyta, kosovari do të ketë mjaft po jo shumë, të ketë sa i duhet po jo sa mundet. Ka një zotërillëk në punë kosovari. Don që t’ia punojë ai punës dhe jo puna atij.

2. Demokracia nuk është vetëm kënaqësi, as vetëm e drejtë e të gjithëve. Është më shumë se kaq. Është edhe kulturë. Këtë të fundit nuk e kemi të gjithë. Të zësh sot një vend në një forum, një pozitë në një opozitë, një emision a një kënd gazete, dhe nga këto pikëpamje, nga ky këndvështrim, nga këto paragjykime, të marrësh në shënjestër, të përrallosh e të përlyesh njerëz, është pusi e ligë dhe guxim i lig.

3. Atë që nuk e mbajmë mend ne shqiptarët, e mban mend historia. Historia jonë nuk është ajo që duam ne, është ajo që ishim dhe që jemi. Ç’tjetër mund të jetë historia jonë? Ajo që e bëmë ne me kohën tonë dhe ajo që bëri koha jonë me ne.

4. Tëndin, atë që e do me gjithë mend e me gjithë zemër, je i zoti ta duash aq sa je i zoti ta qortosh, ta kritikosh, t’ia çveshësh të pamirat dhe të pahieshmet, t’i biesh aty ku të dhemb plaga e tij që është e jotja.

5. Ai që të sulmon kulturën, shkencën, dijen, të sulmon esencën. Ai të sulmon palcën e qenies.

6. Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve. Jo pse ata sjellin a krijojnë kohën e ligë, sado që e ndihmojnë të krijohet, po pse shfaqen në kohë të tillë, pse me shfaqjen dhe praninë e tyre tregojnë sa është ora në një kulturë e në një shoqëri. Shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese. Ajo nxjerr krye në tregun e lëkundur të vlerave duke e nxitur këtë lëkundje dhe merr mision përmbysës të këtij tregu. Interesi i mediokërve është pikërisht lëkundja, zhvendosja dhe përmbysja. Mediokrët janë, në mënyrë latente, të armiqësuar me hierarkinë e vlerave.

7. Fillet e ideve përherë nisen nga individë. Po të jenë të qëlluara bëhen pronë e përbashkët.

8. E keqja nuk vjen për të mirë. Ajo nuk vjen të na e provojë durimin. As të na e forcojë qëndresën. Vjen të na ligështojë, të na thyejë, të na mundi.

9. Demokracia te ne erdhi si një tundim i brendshëm shoqëror. U desh të provonim mundimin e ndërrimeve të mëdha dhe të shpejta të cilat i dëshironim po për të cilat nuk e kishim përgatitur vetveten. Ishte mundim i lindjes së diçkaje të re me të cilën nuk ishim mësuar dhe ende nuk po mësohemi.

10. Shkaqet e formimit të shumicës së partive tona politike mezi u motivuan disi. Motivimi i tyre s’kishte si të ishte tjetër pos formal. Dashja për të pasur gjithë këto parti politike ishte më e madhe se sa nevoja për to. Njerëzit deshën t’i kenë partitë e tyre politike, qoftë edhe të ngjashme, qoftë edhe të përsëritura. Sot kemi më shumë parti se sa parti politike. Një shumëpartishmëri që nuk do të thotë edhe pluralizëm politik.

(Nga libri: «Muri përfundi shqipeve». Në këtë libër janë botuar një pjesë e shkrimeve të Azem Shkrelit, të cilat më parë, në vitet ’90, ishin botuar te gazetat «Illyria» në New York, «Demokracia» në Zürich, «Bujku», «Fjala», «Zëri» e «Dielli» në Prishtinë).