Dhembje për njerëz të panjohur

Rrjetet sociale na bëjnë pjesëmarrës edhe në dhimbje për njerëz që nuk i kemi njohur personalisht. Për shembull Dua Dauti-Kadriu, Visar Binishi dhe Skender Ibishi, të cilët këto ditë u larguan nga kjo botë.

Foto: Shutterstock



I.
Nuk i kam njohur Dua Dauti-Kadriun, Visar Binishin dhe Skender Ibishin. Që të tre këto ditë u larguan nga kjo botë shumë herët. Tmerrësisht herët. Aq herët, aq padrejtësisht, saqë në çast pafuqie njeriu edhe për një të panjohur thërret në ndihmë vargjet e famshme të Migjenit: «O, si nuk kam një grusht të fortë / t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë, / ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët – / n’agoni të përdihet si vigan i vramë». I shohim në Facebook familjarët e Dua Dautit-Kadriut, Visar Binishit dhe Skender Ibishit duke shprehur dhembjen, duke ndarë kujtime, fotografi nga fëmijëria dhe rinia, nga çastet e lumtura në familje dhe shoqëri, nga jeta e tyre publike dhe angazhimet e tyre të përditshme. Kështu edhe ne, krejtësisht të panjohur për ta, bëhemi pjesë e një dhembjeje. Sepse dhembja i bën njerëzit bashkë.

Çdo vdekje, e pritur apo e papritur, është moment mospajtimi. Mospajtim me ligjet e natyrës, të cilat godasin njerëzit edhe kur janë 99-vjeçar. Ose kur këto ligje gllabërojnë jetën e një gruaje, një nëne 36-vjeçare, siç ishte Dua Dauti-Kadriu. «Koha Ditore» shkruan: «Sipas familjarëve të saj, rreth orës 6 pasdite, dy fëmijët e saj ishin në ujë, ndërsa ishte ngritur flamuri i kuq i rrezikut nga valët e mëdha. Ajo kishte hyrë për t’i shpëtuar fëmijët, kishte arritur t’i nxjerrë ata, por vetë nuk kishte dalë nga uji. Sipas familjarëve, trupi i pajetë i saj është gjetur pas 3 orë kërkimesh. Dua Dauti-Kadriu do të varroset sot në Prizren, rreth orës 17». Mësojmë se Dua Dauti-Kadriu ishte psikologe, një profesion shumë i rëndësishëm për t’i shërbyer çdo shoqërie, e sidomos shoqërisë kosovare që ende vuan trauma lufte e stresi të përditshëm. Para se të largohej në mënyrë aq tragjike, aq të llahtarshme nga kjo botë, ajo u gjend para një dileme hamletiane: të hidhet në det dhe të shpëtojë fëmijët apo të qëndrojë në breg të detit dhe të shpresojë se një dorë engjëlli do t’i shpëtojë ata nga rreziku. Instinkti i nënës ishte i pafrenueshëm. Dhe Dua Dauti-Kadriu bëri atë që bën çdo nënë që dashurinë ndaj fëmijës e ka të pakusht: u hodh në det dhe shpëtoi fëmijët, por pagoi një çmim të shtrenjtë. Një çmim që është e gatshme ta paguajë vetëm nëna. Në Librin e Kabusit, një vepër persiane e shekullit të ’11, thuhet: «Pasi që Zoti s’mund t’i bënte të gjitha punët vetë, ai e shpiku nënën». U prehtë në paqe, nëna Dua Dauti-Kadriu!

II.
Është e mundur që e kam parë ndonjëherë Visar Binishin. Kam qenë më shumë se njëherë në restorantin e tij në periferi të Prishtinës. Kështu të gjithë ne, pa marrë parasysh nëse njihemi apo jo personalisht, bëhemi pjese e jetës së njëri-tjetrit. Diku fijet e jetës na kanë përpjekur. Por, edhe nëse kjo s’ka ndodhur, prapë një vdekje e tillë si kjo e Visar Binishit nuk të lë indiferent. Sidomos kur një njeri në moshën më të mirë pllakoset nga një sëmundje e rëndë, lufton kundër saj, shpreson dhe beson se do ta përballojë atë, nuk lë gur pa lëvizur që të mbetet në këtë botë edhe një çast më shumë dhe – në fund – dorëzohet para kosës së pamëshirshme të vdekjes. Grushti i Migjenit është i vogël për të goditur kosën e vdekjes. Çka mbetet? Për familjen dhe shoqërinë e tij – kujtimet e mira. «Kush jeton në kujtimet e më të dashurve të tij, ai s’ka vdekur, ai vetëm është larg; i vdekur është vetëm ai që harrohet», thoshte Immanuel Kant.

III.
I treti me radhë që la këtë botë këto ditë është Skender Ibishi. Edhe ky vdiq nga një sëmundje e rëndë, siç thuhet zakonisht, pa dashur të gërmohet në detaje, sepse detaji më i padrejtë është se një njeri po perëndon në horizont. Mësojmë se jeta e tij e moshës madhore ishte jetë politike. Dhe jetë politike për një njeri të moshës së tij domethënë: ballafaqim me anët e errëta të Jugosllavisë, arrestim, dënim, burg, përbuzje, keqtrajtim, nënçmim. Zakonisht të gjithë njerëzve u urohet një jetë e gjatë, por ata që kanë vuajtur burg për arsye politike do të duhej të jetonin aq gjatë, saqë t’i kompensonin vitet që ua ka grabitur një sistem i padrejtë gjyqësor. Jo vetëm për shkak të sëmundjes, por edhe për shkak të së kaluarës si i burgosur politik Skender Ibishi do të duhej të jetonte ende. Ndoshta ngushëllimi i vetëm për të është se e pa vendin e tij të lirë. Por, si çdo idealisti as atij kjo s’i mjaftonte. Liria për të ishte vetëm parakusht për të luftuar për një shoqëri të drejtë. Kosovës i duhen më shumë qytetarë të tillë.