Dhe erdhi dita: Shqipëria në katalogët e agjencive zvicerane të turizmit

Gazeta zvicerane «SonntagsZeitung» shkruan se agjencitë e mëdha të turizmit në Zvicër e kanë futur Shqipërinë në programin e tyre veror për vitin 2019. Së shpejti kompanitë ajrore «Edelweiss» dhe «Germania» do të fluturojnë nga Zürichu në Tiranë.

Plazhi i Gjipesë.



Ndër kompanitë e para të huaja që në vitet ’80 fluturonte në Tiranë ka qenë «Swissair». Kjo kompani nuk ekziston më, e kanë falimentuar menaxherët dhe politikanët e papërgjegjshëm liberalë të Zürichut. Tirana dhe Zürichu qëmoti nuk janë të lidhura me vijë ajrore. Pas falimentimit të «Swissair» u themelua kompania e re «Swiss», e cila është pronë e Lufthansas gjermane dhe këtë shumë zviceranë krenarë e përjetojnë si fyerje. Në kuadër të «Swiss» funksionin edhe «Edelweiss», një kompani e specializuar për destinacione turistike. Nga prilli «Edelweiss» do të fluturojë nga Zürichu në Tiranë – dy herë në javë. Menjëherë pas këtij lajmi, edhe kompania ajrore «Germania» paralajmëroi nisjen e fluturimeve nga Zürichu në Tiranë. (Të dy kompanitë, «Edelweiss» dhe «Germania» prej vitesh lidhin Prishtinën me Zvicrën).

Gazeta zvicerane «SonntagsZeitung» shkruan se agjencitë e mëdha të turizmit në Zvicër e kanë futur Shqipërinë në programin e tyre veror për vitin 2019. Nicole Pfammatter nga «Hotelplan Suisse» konfirmon: «Plazhet janë shumë të bukura, çmimet dhe ofertat befasuese, dhe shqiptarët i mirëpresin përzemërsisht turistët». Hotelet në Durrës dhe Sarandë janë të standardit solid me tre dhe katër yje, shkruan «SonntagsZeitung». Pfammatter thotë se vizitorët ndoshta duhet të kenë pak mirëkuptim nëse shërbimi nuk është bash si duhet. Ky është një apel edhe ndaj autoriteteve shqiptare dhe pronarëve të hoteleve e restoranteve që të kujdesen për shërbim më të mirë. Durrësi është 45 minuta larg aeroportit të Tiranës dhe ka një plazh 12 kilometra të gjatë. Saranda mund të arrihet më mirë me trajekt nga Korfuzi, shkruan «SonntagsZeitung». Pushimet në bregdetin shqiptar mund të rezervohen që tani përmes webfaqeve të agjencive zvicerane të turizmit.