Dezinfektimi i QKMF-së në Podujevë bëhet në prani të stafit mjekësor

Këshilltarë të opozitës kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me dezinfektimin që është bërë në institucionin kryesor të shëndetësisë në Podujevë.




Sipas tyre, ky dezinfektim është bërë në kohën sa ka qenë prezent stafi mjekësor. Për këshilltaren e LVV-së, Adelinë Stublla, e cila është edhe punëtore e QKMF-së, kjo ka mundur të jetë e dëmshme për shëndetin e personelit, pasi, sipas saj, të gjitha preparatet e dezinfektimin janë të dëmshme, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se ky është një veprim i papranueshëm.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së QKMF-së, Afrim Shabani, ka thënë se në kohën kur është bërë dezinfektimi nuk ka qenë në këtë pozitë. Në atë kohë thotë të ketë qenë duke punuar në fshatin Lupç.

Ndërsa, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Agron Hyseni, nuk është përgjigjur rreth kësaj çështje.

Çështjen e dezinfektimit të QKMF-së e kishte ngritur për herë të parë shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Haki Rudari, i cili ka thënë se stafi në këtë institucion as që është njoftuar se po bëhet dezinfektimi i objektit.