Detektivët zviceranë zbulojnë mashtruesin shqiptar: merrte pension si invalid, por punonte si roje në diskotekë

Një shqiptar nga Kosova ka arritur të marrë një pension të plotë invalidor në Zürich duke mashtruar autoritetet. Tani ai është dënuar me burg për shkak se kundërligjshëm i ka marrë 420 mijë franga. Më 25 nëntor zviceranët do të votojnë për një ligj, i cili rregullon angazhimin e detektivëve për zbulimin e mashtruesve të sigurimeve. Kryetari i trupit gjykues i tha mashtruesit nga Kosova: «Me sjelljen tuaj ju keni bërë reklamën më të mirë për referendumin e ardhshëm».

Ndërtesa e Gjykatës së Lartë në Zürich.



Shqiptarët dhe pensionet invalidore në Zvicër – kjo është një temë e përhershme. Natyrisht shumica e mbi 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në Zvicër janë qytetarë lojalë të këtij vendi, punojnë dhe paguajnë tatime. Por, ana tjetër e medaljes është edhe kjo: ka jo pak shqiptarë që synim të tyre jetësor e kanë që sa më herët të dalin «n’penzi», pra të marrin një pension duke gënjyer se janë invalidë. Ose duke e tepruar me ankesa shëndetësore për të marrë së paku një gjysmë pensioni. Ndër shqiptarë rasti më prominent është ai i politikanit të PDK-së, Azem Syla, i cili nga autoritetet zvicerane është akuzuar se ka marrë ilegalisht gati gjysmë milioni franga nga sigurimi invalidor. Për shkak të kësaj sjelljeje atij i është anuluar leja e qëndrimit në Zvicër. Por, nuk janë mashtrues vetëm shqiptarët në këtë fushë. Simulantë të shquar janë edhe pjesëtarë të kombeve të tjera nga Ballkani, por edhe turq, afrikanë e arabë.

Partia Popullore e Zvicrës (SVP) prej vitesh zhvillon një fushatë të ashpër kundër atyre «invalidëve të rrejshëm», duke apeluar për mbikëqyrje të ashpër të atyre që marrin pensione invalidore. Më 25 nëntor zviceranët do të votojnë në referendum për një ligj mbi mbikëqyrjen sekrete të atyre personave që dyshohen se mashtrojnë sigurimet sociale. Nëse kalon kjo nismë, atëherë sigurimet do të kenë bazë ligjore për të observuar të siguruarit. Sigurimet mund të angazhojnë detektivë, të cilët kanë të drejtë të fotografojnë dhe incizojnë të dyshuarit. Qeveria, parlamenti dhe partitë e qendrës dhe të së djathtës e përkrahin ligjin, e majta (socialdemokratët dhe të gjelbrit) janë kundër. Anketat e fundit tregojnë se shumica e votuesve zviceranë përkrahin mbikëqyrjen e atyre që mund të mashtrojnë sigurimet.

Në vlugun e debatit mbi referendumin e 25 nëntorit, Gjykata e Lartë e Zürichut e ka dënuar një shqiptar, i cili gati 10 vjet ka marrë pension invalidor, ndonëse nuk i ka takuar. Gjatë kësaj kohe mashtruesi tani 47-vjeçar ka përfituar 420 mijë franga. Si kishte filluar mashtrimi? Në vitin 2000 kosovari me faj të vetin kishte shkaktuar një aksident në trafik, pastaj, siç shkruan gazeta «Tages Anzeiger», ai ishte ankuar se vuante nga trauma, dhembjet e kokës, shpinës, nervozizmi dhe agresionet. Gruaja e tij iu tha mjekëve se burri i saj ishte apatik, se jetonte tërësisht i izoluar dhe se ajo duhej të kujdesej për të si për një fëmijë të vogël. Rrena funksionoi: autoritetet zvicerane e shpallën kosovarin 100 për qind të paaftë për punë; ai mori pension invalidor. Përveç pensionit, i cili nuk i mjaftonte, ai mori edhe përkrahje shtesë financiare nga komunat ku kishte banuar në dekadën e fundit.

Në tetor të vitit 2008 një person anonim e njoftoi entin e pensioneve invalidore në Zürich se «invalidi» kosovar qe pesë vjet po punonte si roje në një diskotekë afër Zürichut. Zyrtarët e sigurimit invalidor ngarkuan një byro private të detektivëve për të observuar kosovarin. Incizimet dhe fotografitë e bëra nga detektivët dyshonin se kosovari ishte larg për të qenë invalid. Ai ishte shumë aktiv në jetën e përditshme. Në një qytezë afër Zürichut ai për tre muaj udhëhoqi një bar, punoi me vite të tëra si roje në një diskotekë të zhurmshme, u parapagua në një qendër fitnesi, udhëtoi disa herë me vetura të shtrenjta në Kosovë, ku u mor edhe në punë ndërtimore në shtëpinë e tij; ai po ashtu kaloi pushimet në Turqi dhe në Egjipt. Për shkak të hetimeve autoritetet zvicerane më 2011 vendosën t’ia ndërpresin pensionin.

Në vitin 2016 Gjykata e Qarkut në Dietikon e dënoi kosovarin mashtrues me 29 muaj burg. Kundër këtij verdikti ai u ankua në Gjykatën e Lartë të Zürichut, e cila e dënoi atë të enjten me 36 muaj burg, prej të cilëve 12 muaj duhet t’i vuajë në burg. Gjatë procesit u bë e ditur se i akuzuari bashkë me gruan e tij kanë inskenuar një aksident në trafik në vitin 2003 me qëllim që të përfitojnë para nga sigurimi. Për këtë vepër ata janë dënuar si mashtrues. Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi, kosovari tha se nuk dinte asgjë për gjendjen financiare të familjes së tij. Për këto punë, tha ai, përgjegjëse është gruaja e tij. Në pyetjen e gjykatësit se kush është pronar i veturës BMW X5, me të cilën ai shëtitet, kosovari tha se ajo i përkiste firmës së gruas së tij. Por, gruaja e tij punon si floktare dhe për gjykatësin ishte e pabesueshme që një floktare të ketë veturë të firmës të markës BMW X5. Gjatë marrjes në pyetje doli në shesh se kundër tij është duke u zhvilluar një hetim për shkak të fajdeve, një fenomen mjaft i përhapur viteve të fundit edhe në mesin e komunitetit shqiptar në Zürich dhe rrethinë. Kryetari i trupit gjykues në fund i tha mashtruesit nga Kosova: «Me sjelljen tuaj ju keni bërë reklamën më të mirë për referendumin e ardhshëm».