«Detaje»

Skena politike shqiptare në katër plane. Ligjërim dhe aksion politik që e fyen inteligjencën e opinionit publik.

Foto: Spumador / shutterstock



I.

Në Shqipëri po sillet fantazma e trazirave. Eksponentë të partisë në pushtet ia tundin opinionit publik ‘97-tën. Si presion ndaj këmbënguljes së opozitës për qeveri teknike, apo qoftë si njëmendësi. Kësaj i paraprin deklarata e Kryeministrit se ajo e ka kontratën me qytetarët për katër vjet.

Edhe sikur të mos ishin raportimet e medieve botërore për përhapjen galopante të kultivimit të drogës, edhe sikur të mos ishte pranimi që i ka bërë vetë Kryeministri kriminalizimit të politikës me Ligjin për Dekriminalizimin, këtu ka një keqkuptim: Legjitimiteti nuk është një resurs i mirëqenë, konstant!

Në kushtet e një rrëmuje politike, kur një pjesë e Qeverisë është bërë opozitë, legjitimiteti është harxhuar. Për një hapje rruge do të mjaftonte përfundimisht aeroplani i dytë i drogës, që dëshmon për një dështim spektakolar të sistemit. Ta kujtojmë një burrështetas të madh – socialdemokrat – Helmut Schmidt, i cili pledonte për zgjedhje në çdo dy vjet.

II.

Publicisti Fatos Lubonja në një artikull të fundit spikat një «finesë» që e provon arrogancën e pushtetit në Shqipëri. Ai e ka me Kryeministrin dhe shërbehet me kualifikime, nga të cilat këtu do të përmbahemi. Fjala është për maltretimin e një grupi studentësh që në një takim të Kryeministrit me afaristë në ambientet e universitetit (!) e gjujtën me vezë.

Në fakt, Lubonja është i skandalizuar nga maltretimi në polici i disa prej studenteve, të përfshira në këtë incident me Kryeministrin. Ato, artikuluar në terma eufemikë, janë trajtuar në mënyrë hakmarrëse dhe të padinjitetshme. Në artikull shquan fakti që vajzat në polici janë trajtuar nga policë burra.

Kjo vjen nga një qeveri që mburret me përkushtimin ndaj pozitës së gruas në shoqëri. Kujtojini falangat e policeve gra, për hir të së vërtetës plot nur, që e rrethojnë objektin e Qeverisë në demonstratat e opozitës. Atëherë kur rreziku i eskalimit është potencial. Sidomos nëse i kujtojmë protestat e Kryeministrit kur ishte në opozitë.

III.

Një kohë, ishte kryetari i Partisë Demokratike të Shipërisë, i cili takimet në rrethe të vendit i përcillte në opinion nëpërmjet të ashtuquajturave kaseta. Takimi dokumentohej nga njerëzit e partisë dhe si të tilla u servoheshin medieve dhe opinionit. Prapa kësaj praktike fshihet luksi për t’i shmangur dëshmitarët e gjarjes dhe pyetjet e gazetarëve.

Këtij marifeti i ka dhënë karar kryebashkiaku i Tiranës. Ai është bërë i famshëm për përgënjeshtrimin e një aksiome të njohur më së voni nga Aristoteli, se njeriu nuk mund të jetë në të njëjtën kohë në dy vende. Është faktuar që ai njëkohësisht ka qenë në udhëtim jashtë shtetit dhe në aktivitete në Tiranë! Falë kasetave. Dhe, të një stafi të egzagjeruar për marrëdhënie me publikun. Kryebashkiaku e ka perfeksionuar këtë mënyrë të PR-it, duke prodhuar spote të mirëfillta publicitare, me efekte artistike vizuale.

Kryeparlamentari i Kosovës para ca kohësh e gostiti opinionin me një tamam video-klip të transmetuar si reportazh në edicionin e lajmeve të televizionit publik të vendit, ku ai e stërstilizon angazhimin e tij politik. Këto materiale janë përvjedhje publicitare, ato duhet të identifikohen si të tilla. Edhe nëse paguhen, shtrohet pyetja se me cilët lekë dhe a justifikohet kjo?

Gjithsesi: Në instancë të fundit janë mediet ato që në këtë rast u bëjnë një shërbim të keq qytetarëve, duke pranuar të trasmetojnë materiale të gatshme, promovuese, si raportime të zakonshme gazetareske.

IV.

Në Maqedoni duket pak dritë në fund të tunelit. Më në fund po konstituohet parlamenti! Dhe, për më tepër, kryetari i tij ka mundësi të jetë një shqiptar! Mirëpo, pavarësisht Platformës së partive shqiptare, apo tanimë Deklaratës, për t’u paraqitur të unifikuar, ata dalin me dy kandidatura.

Me gjasë, ky do të jetë kuadri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi. Ai ka qenë epror ushtarak dhe aktiv gjatë kryengritjes së shqiptarëve në Maqedoni në vitin 2001. Së fundmi ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe koordinator i grupit parlamentar të partisë së tij.

Nominimi i një kuadri të gardës së vjetër të partisë nuk është patjetër një ogur i mbarë. Kjo në njëfarë mënyre shkon kah konfirmimi i dyshimit se kuadrot e vjetra janë oferta e partisë dhe të rejat janë farsë. Por, s’kemi parë gjë akoma… Urojmë fort që të mos dalë ndonjë material me kryetarin e ri të Parlamentit.