Destinacionet sekrete të mrekullive të Ballkanit

Të shpërndara kudo në Ballkan ndodhen xhevahire natyrore ose historike të cilat shërbejnë si destinacionet më të pazakonta dhe aventuriere të Ballkanit.

Lëpusha në Kelmend. Foto: Ivana Dervishi/BIRN



Fshehur lart në male ose thellë nën tokë, në të gjithë Ballkanin, këto janë pamjet më fantastike që presin të zbulohen.

Plazhi Gjipe, Shqipëri

Gjipe, Foto Miguel Palhinha/Flickr

Ujërat e detit Jon në Gjipe janë të thella dhe të kaltra, por shanset janë të pakta për t’u hasur me një turmë në këtë plazh me guralecë në Shqipërinë jugore. Arsyeja është e thjeshtë; Nuk ka rrugë për në plazh. Ju mund të mbërrini aty me varkë ose të ecni rreth gjysmë ore jashtë rrugës së asfaltuar nga fshatrat Dhërmi ose Jalë. Ecja në vetvete është një udhëtim i bukur përmes një kanioni. Vizitorët duhet të marrin me vete ushqimin dhe çadrat e plazhit pasi pak shitës e vizitojnë zonën.

Lugina e Kelmendit, Shqipëri

Lëpusha në Kelmend. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Në veri të Shqipërisë pranë kufirit me Malin e Zi shtrihet lugina e largët e Kelmendit. Me një popullsi jo më shumë se 6,000 banorë, lugina përfshin tetë fshatra. Rruga nëpër luginë është mahnitëse për ata që pëlqejnë panoramat, ujëvarat dhe shtigjet piktoreske të ecjes. Fshatarët e Kelmendit njihen për mikpritjen dhe traditën e vjetër shqiptare kur bëhet fjalë për ushqim, veshje dhe muzikë tradicionale.

Ujëvara e Gramshit, Shqipëri

Ujvara e Gramshit. Foto: Margott Wikimedia

Në zemër të Shqipërisë, rrethinat e Gramshit ofrojnë xhevahirë befasues. Një nga më të mahnitshmit është ujëvara e Sotirës, 16 km nga qyteti, nga ku rrjedh uji prej malit të Tomorrit. Zona e Gramshit ofron gjithashtu bukuri të tjera natyrore si kanioni në Holta dhe Liqeni i Zi, i krijuar nga akulli mes maleve.

Klinje, Bosnjë

Foto: JankoSam/Wikimedia

Lart në male, liqeni i Klinjes është i rrethuar nga shkëmbinj dhe pemë. Afër qytetit Gacko, në Republikën Sërpska, ky është një nga liqenet më të vjetra artificiale në Bosnje. Gjatë periudhës jugosllave, liqeni ishte një destinacion i njohur për elitën e vendit, pasi ndodhet afër rrugës për në bregdetin kroat dhe në qytetin e Dubrovnikut. Sot, restorantet apo kafenetë janë zhdukur dhe shumica e vizitorëve janë vendas.

Sutjeska, Bosnje

Foto: Michael Kötter/Flickr

Parku kombëtar Sutjeska u bë i famshëm në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore si fushëbetejë e madhe e vitit 1943 mes forcave naziste gjermane dhe partizanëve të udhëhequr nga komunistët nën Josip Broz Titon. Filmi i vitit 1973 për betejën pati si protagonist edhe Richard Burton në rolin e Titos! Disa rrugë e përshkojnë parkun dhe një xhiro me makinë ofron pamje mbresëlënëse të maleve të larta, liqeneve, kanioneve, lumenjve dhe pyjeve të thella.

Mali Lindor Rhodope, Bullgari

Foto: Klearchos Kapoutsis/Flickr

Alpinistët e etur për historinë e lashtë dhe ritualet tradicionale do ta shohin malin Lindor të Rhodopesë si një destinacion të përshtatshëm. Larg nga pikat e nxehta të Rhodopës, pjesa lindore e vargmalit ofron një zhytje në një botë misticizmi. Ju duhet të vizitoni patjetër shenjtëroren në Tatul, e cila daton 4,000 vjet para Krishtit dhe që është përfshirë ndër dhjetë mrekullitë e Bullgarisë dhe Perperikoni, një kompleks arkeologjik i mrekullueshëm që përmban një vend të shenjtë trak. Rajoni është i pasur me shkëmbinj dhe shpella të bukura, ndërsa fansat e sporteve të ujit mund të zgjedhin të bëjnë kanoe përgjatë lumit Arda.

Sinemorets, Bullgari

Foto: Delysia/Wikimedia

Pa hotele të mëdha dhe disko të çmendura siç ndodh në vendpushimet bregdetare të Detit të Zi, Sinemorets është një vend paqeje, romance dhe natyre të ruajtur mirë. I ndodhur në një rezervë natyrore në pjesën më jugore të bregdetit, fshati i vogël strehon disa nga plazhet më piktoreske të vendit. Padyshim më e njohur është pjesa ku lumi Veleka derdhet në Detin e Zi, duke formuar një rrip rëre të rrethuar nga uji.

Muzeu i Evolucionit, Kroaci

Foto: Tromber/Wikimedia

Muzeu i Krapinës së Njeriut Neandertal – i quajtur edhe si Muzeu i Evolucionit – ndodhet në një gjetje arkeologjike mahnitëse në Husnjakovo, një kodër pranë qytetit verior të Krapinës. Në vitin 1899, arkeologu dhe paleontologu Dragutin Gorjanoviq-Kramberger zbuloi 800 fosile që i përkisnin burrave të Neandertalit që kishin jetuar rreth 125.000 vjet më parë. Kjo ishte një nga gjetjet më të mëdha në botë. Pas 11 vitesh ndërtimi, një muze i ri u hap në vitin 2010, i projektuar në arkitekturë moderne dhe i futur në kodër. Ai tregon historinë e njerëzve të Neandertalit dhe evolucionin në përgjithësi.

Lastovo, Kroaci

Foto: Luisa Josue/Flickr

Një nga ishujt më jugor në Kroaci, Lastova qe një bazë ushtarake gjatë epokës jugosllave, e cila shpëtoi nga shfrytëzimi i zakonshëm i turizmit. Si rezultat, nuk ka hotele të mëdha, kampe, vendpushime apo mijëra turistë. Aty ka objekte të kufizuara turistike dhe vetëm një hotel, ndërsa ishulli gëzon një zonë pyjore prej 40 kilometrash katrorë dhe rreth 800 njerëzish, ku mund të gjesh plazhe të paprekura. Fshati kryesor është një vend i këndshëm që duket sikur ka dalë nga një përrallë, me shtëpi që datojnë që nga shekulli i 15-të dhe i 16-të, shumë prej të cilave janë të mbuluara nga oxhakë tradicional të ndërtuara në mënyrë të pazakontë.

Shpella e Gadimes, Kosovë

Foto: Arben Llapashtica /Wikimedia

E njohur edhe si Shpella e Mermerit, në fshatin Gidime në komunën e Lipjanit, shpella e Gadimës u gjet në vitin 1966 nga një fshatar i quajtur Ahmet Asllani, i cili kishte dalë për të prerë gurë. Shpella është 1.300 metra e gjatë dhe përmban shumë kristale të rralla. Ajo besohet të jetë 80,000 vjeçare.

Ulpiana, Kosovë

Foto: Gashi Bujar/Wikimedia

Qyteti i lashtë i Ulpianës, rreth shtatë kilometra në juglindje të Prishtinës, u themelua gjatë Perandorisë Romake dhe besohet të jetë me origjinë ilire, bazuar në artefaktet e gjetura atje nga arkeologët. Thesaret e gjetura në Ulpiana datojnë që nga shek IV para Krishtit dhe i përkasin Dardanisë, një fis ilir. Ulpiana u quajt më vonë Justiniana Secunda, pasi perandori Justinian rindërtoi qytetin, i cili u godit nga një tërmet në vitin 518 pas Krishtit.

Godinje, Mali i Zi

Foto: Mercy/Wikimedia

Një zonë e vogël pranë Liqenit të Shkodrës dhe pjesë e komunës bregdetare të Tivarit, vetëm 15 km larg nga deti, Godinje është bërë një vend popullor i njohur për shtëpitë intriguese të lashta prej guri. Arkitektura përfshin një sistem zinxhir të shtëpive të lidhura, të bashkuara me njëra-tjetrën, me bodrume të harkuara. Turistët mund të vizitojnë Zonën e Vjetër të Dinastisë Balshiq, ose të shohin fortesën e Gërmozurit në ishullin me të njëjtin emër, në gjirin e Godinit.

Ura Tara e Gjurgjevicës, Mali i Zi

Foto: Arno Hoyer/Flickr

172 metra mbi lumin Tara, ura me të njëjtin emër është një burim frymëzimi për artistët. Një destinacion popullor për turistët, ura është gjithashtu shumë e dashur nga ata në kërkim të aventurës. Ura Tara u ndërtua nga vitet 1937 deri në 1940, kohë kur ishte ura më e madhe e betonit në Europë.

Perast, Mali i Zi

Foto: Marjan Lazarevski/Flickr

Një perlë në bregdetin malazez, ky qytet i vogël mesjetar në Gjirin Boka shtrihet vetëm pak kilometra në veriperëndim të Kotorrit. Një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, qyteti është i pasur me arkitekturë që daton nga koha kur bregdeti ra nën kontrollin e Venedikut. Gjashtëmbëdhjetë pallate të stilit barok, kisha të lashta katolike dhe ortodokse si dhe një sërë kullash mbrojtëse janë vetëm disa nga kënaqësitë që duhet të eksplorohen. Perast dikur ishte një vendpushim për rusët – dhe zona mbetet e populluar me turistë rusë.

Gura Portitei, Rumani

Foto: Ihopulele/Wikimedia

Dashamirët e plazheve të egra duhet ta vizitojnë këtë copë rërë mes Detit të Zi dhe Liqenit Golovita në Deltën e Danubit në Rumaninë juglindore. Shtëpi për një fshat peshkatarësh, Gura Portitei është e vështirë të arrihet edhe me anije edhe nga toka.

Kështjellë Poenari, Rumani

Foto: Emmanuel Brunner/Wikimedia

Kështjella Poenari ishte rezidenca e vërtetë e Vlad III, i cili frymëzoi shkrimtarin britanik Bram Stoker të shkruante romanin e tij të famshëm, Drakula. Kështjella ndodhet në rrafshnaltën e malit Cetatea. Për të arritur atje duhen ngjitur 1,480 shkallë betoni.

Lopatari, Rumani

Foto: Petr Sporer/Wikimedia

Zjarret e vazhdueshme të Lopatarit, në Buzau, janë ndër fenomenet më misterioze dhe të pazakonta që mund të gjenden kudo në natyrë. Turistët e huaj i kanë krahasuar ato me Mordorin, mbretërinë e zjarrtë të Sauronit te «Zoti i unazave». Shpërthimet natyrore të gazit marrin flakë në sipërfaqe nga rrezet e diellit. Zjarri digjet edhe natën, kur peizazhi është më spektakolar.

Lumit Gradac, Serbi

Foto: Nenad Sakovic/Wikimedia

Lumi Gradac është një nga vendet më të vogla të njohura për ecje në shtigje në rajon. Një lumë i gjatë 17 km rrjedh nëpër natyrën përreth duke bërë që shpesh të krijohen vende të përsosura për të bërë plazh. Në afërsi të Gradacit janë dy shpella të famshme – shpella Deguriçka dhe shpella e Petnicës, e cila madje ka një restorant në hyrje.

Gryka Ovçarsko-Kablarska, Serbi

Foto: NeDJo/Wikimedia

Në Serbinë jugperëndimore, lumi Zapadna Morava krijon një grykë të bukur midis maleve Ovçar dhe Kablar. Pamja në grykë është një ndërthurje mbresëlënëse e lumit dhe dy liqeneve artificiale. Zona është e njohur edhe si Mali i Shenjtë i Serbisë. Kjo ngaqë ekzistojnë 11 manastire ortodokse serbe të shekullit 15 dh 16 të fshura mes pyjeve dhe shkëmbinjve.

(https://www.reporter.al/destinacionet-sekrete-te-mrekullive-te-ballkanit/)