Despoti me stil

Një biografi e bollshme ndriçon liderin jugosllav Josip Broz Tito – si revolucionar, partizan, diktator të preferuar dhe «gjuetar ushkuri».

Josip Broz Tito në piano.

Vdiq Tito. Lajmi i 4 majit 1980 nuk erdhi aq befasishëm: njerëzit në Jugosllavinë e atëhershme ishin informuar në mënyrë preventive nga Lidhja e Komunistëve se, për shkak të qarkullimit të dobët të gjakut, mjekët kishin qenë të detyruar t’ia heqin një këmbë themeluesit të shtetit, i cili tashmë kishte mbushur 87-vjet. Kur në mbrëmje mediat jugosllave dhanë lajmin për vdekjen e Titos, futbollistët në Split, një qytete në Adriatik, ia plasën vajit dhe, bashkë me shikuesit, kënduan këngën e vjetër luftarake: «Shoku Tito ne të betohemi, nga rruga e jote kurrë nuk do të largohemi». Me një tren special kufoma u soll nga Lubjana përmes Zagrebit në Beograd, atëbotë kryeqytet i shtetit shumëkombësh të Jugosllavisë. Bujq, punëtorë fabrikash, nxënës, akademikë – të gjithë dolën përgjatë linjës hekurudhore për t’i thënë lamtumirë Titos.

Kur më 8 maj 1980 u varros në Beograd në Shtëpinë e Luleve «biri më i madh» i popujve jugosllavë, erdhën 4 mbretër, 5 princa, 31 kryetarë shtetesh, 22 kryeministra dhe 47 ministra të Jashtëm nga mbarë bota. Ishte njëra ndër ceremonitë më të mëdha mortore në histori. Si fëmijë po qëndronim para televizorit duke parë me habi uniforma ushtarake, veshje afrikane, bartës të kostumeve nga Perëndimi, udhëheqës komunistë sovjetikë me pallto të hirta, Jasir Arafatin me shallin palestinez.

Shumëçka dihet për Titon, dhe prej se Jugosllavia është shpërbërë përgjakshëm shumë publicistë me veprat e tyre të dyshimta ose e kanë himnizuar plotësisht, ose e kanë mallkuar plotësisht. Por, kështu nuk ka vepruar historiani slloven Jozhe Pirjevec: gjatë 30 viteve ai me gjasë ka lexuar gjithçka çfarë është shkruar për Titon, ka hulumtuar arkivat në mbarë botën, ka analizuar shënimet private dhe ka folur me bashkëkohës. Rezultat i këtij obsesioni është një libër i vëllimshëm prej 700 faqesh, i cili ndriçon disa jetë të Titos – si revolucionar, partizan, diktator të preferuar dhe «gjuetar ushkuri». Që nga viti 2011 kjo vepër është bërë bestseller nga Sllovenia në Kroaci dhe tutje në Serbi deri në Mal të Zi. Tani është botuar në gjermanisht – në një përkthim kompetent të Klaus Detlef Olof, por, për fat të keq, ky përkthim nuk i është nënshtruar lekturës së kujdesshme nga ana e shtëpisë botuese.

Talenti konspirativ

Ngjitjen e Titos prej nënshtetasit të Monarkisë së Habsburgut në revolucionar komunist Pirjevec e përshkruan me të gjitha shtresëzimet dhe hollësitë, gjë që në fillim leximi është pak i lodhshëm. Josip Brozi, siç ishte emri civil i tij, u lind më 1892 në Kumrovec në një familje slloveno-kroate, më shumë rastësisht mësoi zanatin e mekanikut, mori pjesë në luftë për Austro-Hungarinë dhe e zbuloi komunizmin në burgjet ruse.

Pas daljes nga burgu u kthye në Jugosllavi për të organizuar rezistencën kundër diktaturës mbretërore të dominuar nga serbët. Talenti i tij konspirativ është legjendar: ai përdori rreth 30 pseudonime, lëvizte i shtirur si turist elegant austriak, udhëtonte me pasaportë të falsifikuar, ngjyente flokët me ngjyrë të zezë, që të mos binte në rrjetin e policisë sekrete.

Që në vitet ’30 Brozi dëshmoi cilësitë e tij prej udhëheqësi dhe i dërgoi Moskës sinjale të qarta se nuk dëshiron të jetë marionetë sovjetike. Libri zgjon kureshtjen e madhe të lexuesit tek kur Pirjevec përshkruan rolin e Titos si udhëheqës partizan në Luftën e Dytë Botërore. Ndonëse nuk kishte ndonjë përgatitje ushtarake për të thënë, Tito brenda një kohe të shkurtër arriti të krijojë një lëvizje të fuqishme të rezistencës kundër nazistëve, sepse në krye të divizioneve të tij vendosi para së gjithash ish-luftëtarë të Spanjës. Dhe sepse ai dinte të luante mjeshtërisht me Fuqitë e Mëdha: Stalinit i prezantohej si komunist besnik, ndërsa Churchillit Tito i premtoi se kurrsesi nuk e kishte ndërmend të ndërtonte një regjim komunist në Jugosllavi. Përkundër disa përpjekjeve («Operation Schwarz», «Operation Weiss», «Operation Rösselsprung») Hitleri nuk ia doli të arrestojë apo të vrasë Titon. Me partizanët e tij ai u tërhoq sidomos në kodrat gati të padepërtueshme në Bosnjë dhe u shkaktoi gjermanëve disfata të ndjeshme. Shefi i skuadrës naziste SS, Heinrich Himmler, qe i detyruar ta pranojë: «Ai është armiku ynë, por do të doja të kishin dhjetëra Tito në Gjermani. Ai është në anën e rusëve, anglezëve dhe amerikanëve, por ai ka guxim t’i shpotis ata dhe anglezët dhe amerikanët edhe t’i poshtërojë në mënyrë shumë të turpshme».

Pirjevec nuk ka shkruar vetëm biografinë e Titos, por ka skicuar edhe rrugën jetësore të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Andaj në origjinal libri mban këtë titull: «Tito dhe shokët». Me kryeideologun Edvard Kardel nga Sllovenia, shkrimtarin mendjemprehtë Milovan Gjilas nga Mali i Zi dhe torturuesin Aleksandar Rankoviq nga Serbia ai themeloi Jugosllavinë e re, socialiste. Veçanërisht në 20 vitet e para të sundimit të tij Tito veproi në mënyrë brutale kundër kolaboracionistëve, demontoi shumicën e kundërshtarëve në Lidhjen e Komunistëve, kritikët përfunduan në ishullin-burg Goli Otok. Pirjevec përmend edhe këtë kapitull të errët, i cili nga shumë nostalgjikë të Jugosllavisë deri më sot ose heshtet, ose minimizohet.

Që Tito në Perëndim u prit krahëhapur si diktator i preferuar kishte të bënte me politikën e tij ndaj Bashkimit Sovjetik: në vitin 1948 ai sfidoi Stalinin dhe këmbënguli në pavarësinë e Jugosllavisë. Pirjevec shpreh qartë simpatinë e tij për këtë qëndrim. Dhe ai citon një gjoja mesazh të Titos dërguar Stalinit: «Ndali të gjithë këta atentatorë që po i ndërsen kundër meje. Tashmë i kemi kapur pesë prej tyre, njërin me bombë, tjetrin me pushkë. Nëse s’ndalesh, do të jem i shtyrë ta dërgoj një në Moskë dhe për të dytin s’do të ketë nevojë».

Me të filloi fundi i Jugosllavisë

Si themelues i lëvizjes së shteteve të painkuadruara Tito mund të luante rol në skenën e politikës botërore. Në Jugosllavi ai arriti që me socializmin e tij vetëqeverisës të ndërtojë një shtet relativisht modern, por si të gjithë despotët edhe Tito nuk ishte i gatshëm të lejojë zhvillimet demokratike. Në fillim të viteve ’70 ai i largoi nga pushteti komunistët liberalë në Zagreb dhe Beograd – për Pirjevacin ky ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë. Ky historian është i bindur se që atëherë nisi shpërbërja e vendit. Kur Tito vdiq, shteti shumëkombësh kishte më shumë se 20 miliardë dollarë borxhe të jashtme.

Pirjevec e përshkruan Titon si despot me stil, i cili jetonte në luks pothuaj vulgar, përgatiste pasta me Sophia Lornin në ishullin adriatik Brioni, u bënte hyzmet Liz Taylorit, Gina Lollobrigidas dhe Richard Burtonit dhe shëtiti gati mbarë botën. Uria e tij për ushqim dhe pije, dashuri dhe armiqësi ishte e pakufishme, shkruan biografi me të drejtë. Gruaja e fundit e Titos, Jovanka Budisavleviq, e cila ishte tepër e etur për pushtet, ka thënë se ai i kishte dashur gratë më shumë se Sulejmani i Madhërishëm. Ky «gjuetar i ushkurit» nga Jugosllavia thuhet se ishte katër herë i martuar dhe kishte afera të panumërta.

Të gjitha këto detaje janë «thjeshtë tepër», shkroi një revistë sllovene. Një botim pak më i hollë ndoshta do të ishte pritur më mirë nga lexuesit në hapësirën gjermanishtfolëse.

Joze Pirjevec: Tito. Die Biografie. Kunstmann-Verlag, München.

[Ky recension u botua në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger»]