Dështon sivjet zgjerimi i rrjetit të koogjenerimit

Ngrohtorja e qytetit «Termokos» sivjet ka dështuar ta zgjerojë rrjetin e koogjenerimit, siç ishte paralajmëruar një vit më parë, shkruan sot «Koha Ditore».




Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se tashmë është duke u punuar në fazën e dytë, ndërkaq faza e tretë do të realizohet në vitin 2016. Zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka thënë se aktualisht 60 mijë qytetarë nga 370 mijë, sa jetojnë në kryeqytet, janë të lidhur me ngrohtoren e qytetit.

«Tashmë jemi në fazën e dytë të projektit të koogjenerimit, që nënkupton riparimin e nënstacioneve në mënyrë që ngrohja të sigurohet njëjtë për të gjithë banorët e lidhur me ngrohtoren ‘Termokos’. Duke bërë lidhjen në termocentralet B1 dhe B2, në kapacitetin maksimal, Komuna e Prishtinës ka bërë zgjidhjen e problemit të ngrohjes me koogjenerim për 90 mijë banorë të Prishtinës. Ndërsa faza e tretë e këtij projekti-zgjerimi i rrjetit të ngrohjes me koogjenerim, do të realizohet vitin e ardhshëm», ka thënë Mullafazliu-Bejta. Ndërkaq ky zgjerim pritet të bëhet në lagjen Mat, si dhe në atë Arbëria.

Komuna e Prishtinës i ka zotuar 1.8 milionë euro, të cilat së bashku me 4 milionë të Qeverisë Gjermane dhe 1.2 milionë të Qeverisë së Kosovës për realizimin e fazës së tretë të këtij projekti, për riparimin e nënstacioneve dhe zgjerimin e ngrohjes me koogjenerim.

Ndërkaq për këtë projekt, që përfshin 3 faza, janë ndarë gjithsej 30 milionë euro. 13 milionë nga Komisioni Evropian, 11 milionë nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim dhe 2 milionë nga Komuna e Prishtinës. «Termokosit» i janë ofruar edhe dy donatorë të rinj. Qeveria e Luksemburgut, që ka ndarë 2 milionë euro dhe ajo suedeze me një grant prej 1.4 milionë euro.