Dështon projekti i sistemit të ujitjes në Anamoravë




Drejtoria e Bujqësisë e Gjilanit, nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e sistemit të ujitjes së parcelave bujqësore.

 

Zyrtarë të LDK-së patën premtuar zgjidhjen e problemit të ujitjes së parcelave dhe plantacioneve bujqësore, ku përfshihej një numër i madh i fshatrave të kësaj komune, ku më pas do të krijoheshin mundësi për rritje rendimentesh, por ngelën fjalë boshe. Si formë alternative për ujitjen e platancioneve bujqësore është shpimi i puseve të ujit, që në këtë komunë nuk është aq e përhapur.

Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë është shprehur se megjithëkëtë ka pasur disa projekte të mëhershme, ku tentohej të bëhej zgjidhja e problemit të ujitjes për rajonin e Anamoravës, por ato projekte kanë qenë të dështuara që në fillim.

Sipas tij, ndërtimi i sistemit të ujitjes për platancionet bujqësore pothuajse tashmë është i pamundur. «Sistemi i ujitjes është problemi kryesor dhe të drejtën duhet që të them, sepse në kalendarin e planifikimeve vjetore nuk e kam. Sepse e di që nuk do të mund që t’ia dalë, sepse nuk është aq e thjeshtë. Ka qenë një projekt e cila ka pasur si qëllim ndërtimin e një pende, në Viti. Kjo do të shërbente për ujitjen e tokave bujqësore të Vitisë dhe Gjilanit. Mirëpo unë e kam siguruar atë projekt të cilin e kanë bërë gjermanët dhe kam parë se kryesisht i kushtohet ujit të pijshëm. Ndërsa ishe planifikuar që tepricat e ujit të shfrytëzoheshin për ujitjen e tokave bujqësore në Viti, e pastaj teprica do t’i shkonte edhe Gjilanit. Unë prej atij projekti nuk pres asgjë», ka thënë Ramadani.